` . SI ARRITA TE SHENJA – TV-SHENJA

SI ARRITA TE SHENJA

(sebepi i shkrimit: dyvjetori i TV Shenjës)

Hiç nuk kisha qejf të punësohem.

Asgjë s’më mungonte; shkruaja kolumna, lexoja, shetisja dhe kohë pas kohe udhëtoja. Absurde, por pa rrogë udhëtoja më shpesh se sa tash.

Dhe tamam u mësova të jetoja me lirinë, të koordinoja paret dhe dëshirat, erdhi oferta për punë.

Fillimisht nuk e mora me gjithë mend.

Por, gjithmonë ka një Por!

Ende pa u pajtuar unë, prindërit u lumturuan që “si gjithë dynjaja” do të shkoja në punë, do të isha “në listat e rrogës”. Ky ishte halli i parë…Si ti zhgënjeja ata që nuk e meritojnë këtë!?

Një mëngjes të ftohtë janari 2015 erdha në bisedë në Tv Era me ftesë të dy drejtorëve të posaemëruar. Shqiptarët e parë që më ofruan punë, pas vitesh papunësie, të tjerët në pozita vendimmarrëse vetëm më bienin shpatullave, me demek më komplimentonin, POR asgjë më shumë se kjo.

Sa për ilustrim.

Një mëngjes nëntori 2012, sërisht për hir të prindërve, i shkrova kryeredaktorit të Alsatit. Ishte ftesë për kafe, m’u përgjigj që është në spital dhe kuptohet u tërhoqa. Pas një kohe i shkruaj prap, kësaj here me CV të shkurtër dhe dëshirë që të bëj emision kulture. Përgjigje nuk mora, as edhe një Jo. Televizioni, si atëherë si tash, nuk kishte emision kulture.

Duhej ta dëgjoja abinë. Ai ma tha troç se atje nuk më pranojnë në punë.

– Pse? ia ktheva unë.

– Pse je gazetare e mirë. M.Z nuk i afron të mirët, tha. Këtu kërkoj falje për jomodestinë se vetëm e citoj Fehmiun i cili si çdo vëlla ka dozë subjektiviteti.

Pak digresion.

(pas diplomimit, 1996-2003 punoja në TVM. Fillova, siç fillohej atëherë, me raportime nga terreni, mandej lajme dhe kronika kulturore për Ditar, për të dalur në emisione. Fillimisht cikli “Ata vijnë…” emëruar sipas këngës së grupit të preferuar Azra që është në temë tjetër, por më pëlqente motoja. Thuaja të gjithë talentët e rinj që u prezantuan aty u katapultuan në botën e artit ose shkencës, kënaqem kur i takoj, lexoj apo dëgjoj për ta. Mandej “Pasdite kulturore”, pasqyrë javore e ndodhive

kulturore, ku bëja dhe punën e redaktores, posti i parë dhe besoj i fundit se në parim vështirë e menaxhoj veten e ku më të tjerëtJEmisioni megjithatë ishte përjashtim, shoqëroheshim bukur me Merita Çoçolin dhe Mirela Saitin, punonim pa përtesë, me obstrukcione teknike sa të duash. Redaksia shqipe si atëherë si tash kishte status dytësor në RTVM. Në vitin e fundit si gazetare kisha emisionin që më plotësonte më së shumti, bisedime njëorëshe të shtunave mbrëma “Një kafe me artistin”).

…pas lindjes së B nisi mos të më shkohej në punë. Nuk desha djali të rritet me gjyshet derisa nëna sikur ndërton karrierë. Më duket vetëm arsyetim i bukur se qenka me rëndësi “cilësia e kohës, e jo vetë koha që kalojmë me fëmijët”; nuk e besoj të ketë fëmijë që do ta pohonte. Nënat e reja me orare moderne të punës – pra pa orare, të cilat nga qejfi e jo zori ekonomik dalin në mëngjes dhe s’dihet kur kthehen më duken josimpatike. Ato, mendoj unë, as profesionin as privatitetin nuk i kanë sagllam.

Roli dhe rrjedhimisht mungesa e nënës nuk barazohet me rolin dhe mungesën e babait.. E thonë dhe librat e shenjtë, por e them edhe nga përvoja.

(Nesër: “Si e lash gazetarinë dhe pse iu riktheva”)