` . Shuhet Mulla Asllani i Mitrovicës: Hoxha i eshtrave të Isa Boletinit që varroste natën viktimat e serbëve - TV-SHENJA

Shuhet Mulla Asllani i Mitrovicës: Hoxha i eshtrave të Isa Boletinit që varroste natën viktimat e serbëve

Mulla Asllan Murati, kryeimami me shkollim fetar dhe prej historiani, sot u përshëndet me këtë botë, duke e lënë atë e megjithatë, la shumë për të kujtuar.

Ai ishte e do mbetet një ndër klerikët simbol në Kosovë, për gjurmët që la në jetë.

I lindur në flakën e Luftës së Dytë Botërore, fati deshi që jeta e tij të mos pushojë kurrë së përballuri me padrejtësi tipike të luftërave, përballje që më pas do të shndërroheshin në urtësi që i përcillte cdo javë në ligjëratat javore të së premtes në Xhaminë e Zallit në Mitrovicë.

Me prejardhje nga Mitrovica e nga një familje atdhetare, ai s’kishte si të mos kishte lidhje edhe me figura të shquara.

Sot e mot ai do të kujtohet për sakrificat që bëri duke sjell eshtrat e Isa Boletinit nga Podgorica e Malit të Zi në Kosovë.

Kujdesi që kishte për të ruajtur gjuhën, trashëgiminë, kulturën dhe paqen në Mitrovicë, njiheshin nga udhëheqësit e parë të Kosovës, ku vet ish-presidenti Ibrahim Rugova e caktonte si njeri të besueshëm në misione që nuk mund t’i kryente tjetërkush.

Madje, Mulla Asllani, foli disa herë i përlotur për momentin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, kur u drejtua tek eshtrat e heroit Isa Boletini dhe i tha në heshtje që “të pushojë i qetë tani e tutje”.

Por pos historisë që e ndau me bashkëvendësin, ai ishte dëshmitar i historive që nuk arriti t’i adresojë në Gjykata Ndërkombëtare, një dëshirë e tij e kahmotshme.

Formimi i tij intelektual ia kishte mundësuar që ai të ishte edhe poliglot, i kthjellët dhe tejet i afërt, pavarësisht se me kë bisedonte.

Momentet e varrimit të ish-ushtarëve të UÇK-së dhe civilëve të vrarë në Mitrovicë nuk u fshinë nga kujtesa e tij, e kur rrëfehej në emisione televizive, përlotej por nuk ngushtohej.

Ai madje ka treguar në detaje për kohën kur ka rrezikuar jetën dhe familjen e tij, duke i varrosur viktimat gjatë natës, një praktikë jo e njohur për ritin fetar islam.

Megjithëse jeta nuk i premtoi të dëshmonte në Gjykata Ndërkombëtare ato që pa me sy, hoxha i letrave la dëshmi për ngjarjet, duke i dokumentuar me kujdes të përpiktë, një trashëgimi e denjë për një njeri sa të rrallë, aq të rrahur nga sfidat. /tesheshi/