` . Shtrenjtohet për 25% çmimi i energjisë elektrike në Kosovë - TV SHENJA

Shtrenjtohet për 25% çmimi i energjisë elektrike në Kosovë

Në qershorin e 2017-ës, energjia elektrike në Kosovë u shtrenjtua mbi 25% në krahasim me muajin e njëjtë të vitit të kaluar. Ngritje të çmimit shënuan edhe gazi dhe lëndët djegëse.

Sipas indeksit të çmimeve të konsumit në muajin qershor të Agjencisë së Statistikave të Kosovës janë regjistruar çmime më të larta sesa në muajin paraprak.

Pemët, rryma dhe lëndët djegëse janë kontribuuesit e rritjes së çmimeve.

“Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë për 0.3% në muajin qershor 2017, krahasuar me muajin maj 2017. Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit te nëngrupet e COICOP-it: pemë (5.6%); rrymë, gaz dhe lëndë djegëse të tjera (17.9%)-(ngritje e çmimit të energjisë elektrike) me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 0.9% në IHÇK-it”, thuhet në komunikatën e ASK-së.

Ulje të çmimeve kishte te disa produkte ushqimore. Qumështi së bashku me djathin dhe vezët ndikuan në neutralizimin e ngritjes së çmimeve tek nëngrupet e tjera.

“Ngritja u neutralizua, kryesisht nga rënia e çmimeve të konsumit te nëngrupet: qumësht, djathë dhe vezë (-2.2%); perime (-8.2%); përdorimi i pajisjeve për transportin personal (-0.6%) me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej (-0.6%) në IHÇK”, thotë komunikata.

Shkalla e inflacionit e matur në muajin qershor 2017 në krahasim me muajin qershor 2016 ishte 1.9%. Publikimi i ASK-së konstaton se edhe rryma ishte më e shtrenjtë këtë qershor në raport me qershorin e 2016-ës.

“Ngritje e çmimit të energjisë elektrike për 25.4%, krahasuar me tarifat verore të muajt qershor të vitit 2016”, thuhet në raportin e ASK-së.

Rritje kishte edhe te përdorim i pajisjeve për transportin personal (3.8%)-(ngritje e çmimit të naftës dhe benzinës) me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 2.1% në IHÇK.

Sipas komunikatës, ngritja e çmimeve u neutralizua, kryesisht nga rënia e çmimeve në këtë periudhë te nëngrupet: blerjes e automjeteve -1.7 për qind; pajisje audio-vizuele, fotografike për përpunimin e informatave -6.8 për qind me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej -0.2 për qind në indeksin e harmonizuar të çmimeve të konsumit.

Postime të Ngjajshme