` . Shtigjet e vështira të një pavarësie - TV-SHENJA

Shtigjet e vështira të një pavarësie

Për shqiptarët e Maqedonisë Kosova ishte piemonti i dijes, arsimit, kulturës dhe çdo lëvizje atje reflektohej edhe te ata. Lidhjet shpirtërore janë të pashkëputshme, ndaj dhe fati i saj gjithnjë ka qenë dhe mbetet brengë edhe për ta

Shkruan: Daut DAUTI, Shkup

Në vitin 1981 isha ushtar në Beograd. Një ditë më thirrën në “kapi”, se më kishte ardhur një shok shkolle. Ky shoku atëherë ishte student në Universitetin e Kosovës, fakt ky që kishte zgjuar interesimin e eprorëve të mi. Në bisedë e sipër, ashtu siç dinë të bëjnë oficerët e armatës, përmes bisedës “së rastit” me një kafe në zyrën e tyre, para se unë të arrija në kapi (objekti ku unë shërbeja ishte larg kazermës), ata kishin ndenjur me shokun në një bisedë spontane. Ishte kohë disa muaj pas demonstratave studentore, për çka një vizitë e një studenti të Prishtinës te shoku i tij në Beograd, ishte diçka “interesante”.

Unë me shokun e klasës u takova dhe dolëm të shëtisim nëpër Beograd dhe më së shumti u ndalëm në Kalemegdan, ku vikendeve mblidheshin shqiptarët dhe organizonin garë pehlivanësh. Ai më fliste për demonstratat dhe për momentin se si ka mundur të shpëtojë pa dajak në konviktin ku kishte qenë i vendosur. Edhe pse nuk i dinte të gjitha detajet, ishte ende i shqetësuar për intervenimin e vrazhdë të policisë në konvikte… Shoku ndejti sa ndejti në Beograd dhe po atë ditë iku me tren për Gjermani, për ku ishte nisur. Por, atje nuk i kishte ecur fati. Pas ndonjë jave përsëri më thonë se kam vizitë. Ishte po ai. Tash edhe më i dëshpëruar për shkak se nuk kishte gjetur punë dhe kishte mbetur edhe pa ato pak para që i kishte pasur. Përsëri ndenjëm gjatë derisa i hipi një autobusi të pasdites për Shkup. Por, fakti se ai kishte ardhur dy herë brenda një kohe të shkurtër në vizitë, u kishte rënë në sy eprorëve të mi.

Një ditë në pavijonin e objektit ku shërbenim, erdhi komandiri i çetës, një “zastavnik” në moshë, i cili u ndal si “pa qëllim” në bisedë. Pak nga pak ai e hapi bisedën e vizitës së shokut. E interesonte a ka marrë pjesë a nuk ka marrë pjesë në demonstrata, a i përkrah a nuk i përkrah demonstratat, çka më ka rrëfyer për to… Biseda ishte me ton miqësor dhe me atë stil përpiqesha ta mbaj bisedën. Biseda ishte e “rastësishme”, siç “rastësisht” kishte qenë pikërisht ai që i kishte dhënë kafe shokut tim në vizitën e parë, kur e kishte zbuluar që është student në Prishtinë. Natyrisht, se nuk kishte çka të flitej shumë. Ndonëse i ri në moshë, prapë se prapë kisha mësuar disa dreqni të komunikimit dhe leximit midis rreshtash, mjaftueshëm që ashtu – miqësisht – ta hidhja kodër më kodër në muhabet dhe të flasim në fund për takimin që me ushtarët shqiptarë ato ditë në Beograd e kishte mbajtur Fadil Hoxha. Ai e dinte çka ka folë Fadili në detyrën partiake nga CK-aja, por nuk shkoi më tutje.

Pas do kohe më thirri shefi i “bezbednostit” në zyrën e tij. Nuk e dija as se kush është e as se çka do nga unë, por gjëja e parë që më shkoi ndërmend ishte mos ndoshta prapë më japin ndonjë ditë pushim për të shkuar në shtëpi, edhe pse nuk kishte pak kohë që kisha qenë në një uikend. Por, u habita kur pas fillimit të rëndomtë të bisedës, nisi t’më pyesë për shokun. Edhe këtij i kishte shkuar lajmi për vizitën e tij. Aq më interesant ishte bërë që brenda një kohe të shkurtër kishin ndodhur dy vizita. E pashë se duhej shkathtësi për ta mbrojtur si shokun, si edhe veten. Isha shumë i bindshëm për t’ia hequr dyshimin për çfarëdo involvimi në demonstrata, porse t’ia heqja dyshimin tjetër se nuk ka ardhur me ndonjë qëllim të caktuar indoktrinomi lidhur me demonstratat, por thjeshtë se i ka rastisur të kalojë nëpër Beograd për në Gjermani. Që t’ia heq dyshimin, sajova një rrëfim bindës për të. I thashë se ky shoku im ka qenë i dhënë pas lëndëve matematiko-shkencore dhe se, për dallim nga unë, nuk ka talent për të shkruar, porse në temën e hartimit që ia kishim kushtuar Titos, i thashë se shoku im mori notë maksimale! E kishte tejkaluar veten për shkak të dashurisë ndaj Titos. Nuk e di a u bind se nuk bëhet fjalë për ndonjë student me orientim armiqësor, por, gjithsesi, tema e tij me kaq qe mbyllur, sepse nuk më thirrën më asnjëherë. Ajo që më bëri përshtypje ishte një “lëvizje” e vogël e këtij oficeri, me qëllim ose pa të. Ai doli nga zyra dhe më la vetëm, ndërkaq përballë meje e kishte një letër e cila fillonte me emrin tim në gjuhën maqedonase ose serbe. Nuk pata shumë kohë ta lexoj më poshtë nëse është origjinale ose përkthim. Mund të ishte letër e një shoku torbesh që si fëmijë e kisha njohur në spitalin e Ohrit, ku qëndroja pas një lëndimi të këmbës, por dhe të ishte përkthim i ndonjë letre të ndonjë shoku të klasës. Aty kuptova se, për shkak të ngjarjeve të Kosovës, ushtarëve shqiptarë ua hapnin letrat, ndërkaq ka pasur dhe shumë gjykime për të cilat është shkruar atë kohë, sikundër dhe shumë gjykime veprimtarësh në ballë të lëvizjeve.

Kam ndenjur edhe gjatë kohë si në ethe, por nuk u thirra më në bisedë informative. Ndoshta edhe sepse oficeri i sigurimit ishte një boshnjak ose ndoshta sepse e kisha bindur se s’ka asgjë problematike me vizitën shokut. Por, për shkak të Kosovës, nja tetë vjet më vonë, nga një tregim i imi ishin alarmuar “forumet”. Ishte një tregim me titullin “Ankthi” botuar në “Flakën e vëllazërimit”. “Flaka…”, për shkak të potencialit të vet intelektual, ka qenë gjithnjë nën shënjestër të regjimit, ndaj dhe çdo gjë që është botuar aty, është lexuar me thjerrëz ideologjike për të gjetur ndonjë porosi subversive. Në këtë tregim, ndonjë nga argatët shqiptarë, i kishte alarmuar forumet se “Flaka…” ka botuar diçka të dyshimtë. Ç’ishte ajo e dyshimtë që kishin gjetur në atë tregim? Një koincidencë… Një ditë më parë Kryesia e Jugosllavisë kishte vendosur regjim të posaçëm në Kosovë, me forca të përforcuara të ushtrisë, kurse unë kisha shkruar për një ushtri që nga dikah kishte ardhur në një vend. Nuk përmendej emri i ushtrisë, edhe pse fare qartë dukej se bëhet fjalë për ngjarje në Luftën e Dytë Botërore. Por, në kohën kur CK-aja e Maqedonisë shkonte në disa veprime si pararojë e komunistëve serbë, zelli për të kërkuar elemente armiqësore sajonte edhe këso rastesh qesharake…

*          *          *

Kosova te një shqiptar i Maqedonisë mund të gjendet në shumë skuta të kujtesës ose zemrës. Gjenerata ime e pati piemontin e idealit, si vatër e dijes dhe ngritjes arsimore e kulturore, sinonim të emancipimit të përgjithshëm kombëtar. Një peng jete mund t’më ketë mbetur fakti që nuk e realizova ëndrrën time që të studioj në Universitetin e Kosovës si shumë të rinj nga Maqedonia. Fakti që u përcaktova për studimet e gazetarisë në Shkup nuk më ka penguar që lidhjen emocionale ta mbaj gjallë, sepse Kosova mbeti ajo ëndërr e cila realizohej ndryshe: në përpjekjet e para letrare ose gazetareske si student, përmes shtypit rinor të Kosovës. Sa gëzim ndjenim, si krijues të rinj, kur shihnim ndonjë poezi a shkrim të botuar në “Zërin e rinisë”, “Bota sot”, në gazetën Rilindja ose në revistat “Jeta e re” ose “Shkëndija”. Dhe, kanë shumë kuptim ato vizita të kohëpaskohshme të atyre viteve të bujshme pas protestave studentore në Prishtinë në redaksitë rinore ose në pallatin e shtypit (“Rilindje”), në përpjekje për ta botuar librin e parë… Në një konkurs letrar, si student, më qe zgjedhur nga “Zëri i rinisë” përmbledhja me poezi, për të cilën njëri nga redaktorët e atëhershëm më pat thirrur për të më treguar se “do të duhej edhe pak ripunim për botim”… Kjo ishte ajo kohë e elanit rinor dhe shpresës, ndonëse në periudhë të vështirë politike. Kosova e kishte rininë më vitale e më ambicioze ndoshta në gjithë Jugosllavinë, por të ndërgjegjshme edhe për përgjegjësitë para saj. Pra, është kjo ajo Kosovë e lidhjes emocionale dhe e përpjekjeve të para të ngritjes intelektuale. Ajo Kosovë, në shënimet e mia si reporter, megjithatë, nuk do të jetë shumë e pranishme, për dallim nga Shqipëria e tranzicionit. Duke e pasur afër dhe duke i pasur lidhjet e krijuara më parë, ku gazeta “Flaka e vëllazërimit” gjithnjë kishte ndonjë korrespondent të rregullt, nuk kishte nevojë për raportues specialë.

Por, jeta dhe rrethanat e përballën Kosovën para sfidës së mbijetesës. Tito ia kishte lënë Kosovën në dorë Serbisë që ta zhvillojë (siç shkruan Fadil Hoxha në kujtimet e tij), por nuk ishte e lumtur me këtë fakt dekada me radhë. Nëse Tito në Maqedoni kishte ardhur 15-20 herë për vizitat e tij të njohura, Kosovën e kishte vizituar vetëm tri ose katër herë. Aq vlente për të Kosova. Edhe kur e kishte nënshkruar atë marrëveshjen e famshme Tito-Qupërli, për riatdhesimin e turqve myslimanë, sigurisht do të kishte qenë i vetëdijshëm se shpërngulja për Turqi, para së gjithash, do t’i përfshinte shqiptarët. Për këtë çështje, përgjegjësitë ia kishte lënë dorës së tij të djathtë, Aleksandër Rankoviqit. Ndaj dhe nuk kthente shpesh në Kosovë. Herën e fundit u nderua me titullin doctor honoris causa në Universitetin e Kosovës. Shqiptarët mendonin se Rankoviqi ishte i keqi, kurse Tito i miri. Besojnë ndoshta ende se ai ia dha Fadilit (Hoxhës) dhe Mahmutit (Bakallit) atë lloj autonomie, që veç emri i mungonte që të quhej Republikë. Kështu mendonin edhe udhëheqësit serbë, pasardhësit e Rankoviqit. Prandaj edhe luftuan me ngulm që ta luftonin pikërisht atë lloj autonomie, në të cilën Serbia nuk kishte shumë ndikim. Por, edhe për Titon dolën dokumente ku flitej se paska thënë se Kosova dhe kushtetuta e vitit 1974 do t’ia hajë kokën Jugosllavisë. Duket se ka pasur të drejtë “diktatori i butë” properëndimor me nostalgji të pashuar sovjetike. Por, çka do të kishte ndodhur po t’ua jepte Republikën Mahmutit dhe Fadilit? A do të vinin deri te ato dridhje tektonike pas vitit 1981, jo veç në Kosovë, por në mbarë Jugosllavinë? A do të kishte mbijetuar Jugosllavia pa atë hov të hegjemonizmit serb, i cili jo vetëm që e ashpërsoi retorikën dhe luftën kundër “nacionalizmit” shqiptar, por dhe nxiti nacionalizmin dhe separatizmin kroat, slloven, boshnjak, maqedonas…? Për shqiptarët s’ka nevojë të flitet, ishte një luftë e pambyllur që pas kongresit të Berlinit.

Ajo lëvizje studentore e 1981-shit ndryshoi gjithçka: i vuri në lëvizje proceset që do të përfundojnë në vitin 1999, kur intervenimi i NATO-s e ndihmoi lëvizjen çlirimtare në Kosovë për t’u shkëputur nga kthetrat e Serbisë së Millosheviqit.

*          *          *

Nga fundi i të ‘80-ave kishte shumë demonstrata në Kosovë. Në një nga ato, redaksia më dërgoi si raportues special. Me fotoreporterin e “Flakës” shkuam në Ferizaj, ku kishte disa barrikada të vendosura rrugës dhe ne para se të afroheshim te demonstruesit, policia na e tërhoqi vërejtjen të mos afrohemi shumë. Megjithatë, një i ri mund të jetë pak dhe trim-budallë dhe ne me fotoreporterin vendosëm të afrohemi te demonstruesit dhe të marrim ndonjë deklaratë. Që të na njohin se jemi gazetarë, unë e vendosa çantën time të duket përpara dhe në dorë e mbaja legjitimacionin, ndërkaq Shemoja (fotoreporteri), e kishte fotoaparatin, që gjithsesi binte në sy. Por, tek po afroheshin afër barrikadës së demonstruesve, çuan krye disa të rinj dhe u sulën nga ne, gjersa ne po bërtisnim se jemi gazetarë… Por, kjo nuk do të na ndihmonte të mos hanin ndonjë gurë kokës sikur të mos ishim sprapsur me vrap, sepse nuk e di a dëgjuan apo jo se kush jemi. Ne për ta ishim ata që vinim prej nga ishte e pozicionuar policia dhe ishim cak për ta gjuajtur… Kështu e shpëtuam kokën.

Pas një kohe, në valën më të madhe të histerisë nacionaliste serbe të nxitur nga Sllobodan Millosheviqi, më dërguan në kongresin e rinisë së Kosovës. Diskutimet në kongres ishin të zjarrta – në të kishte shumë diskutues që e mbronin pozicionin e udhëheqësisë kosovare, e cila tashmë ishte në shënjestër të Millosheviqit, por, për çudi, kishte edhe eksponentë të Millosheviqit jo vetëm nga radhët e delegatëve serbë, por dhe shqiptarë. Më ka mbetur në kujtesë njëfarë Rexhep Hoxha, i cili duhej të ishte ose goran ose turk, i cili ishte në pozitat e hegjemonizmit serb. Por, ajo që më së shumti më habiti ishte një i ri shqiptar i cili foli me shumë zell po në atë vijë. Ndërkaq, ndër diskutimet më dinjitoze që e mbajta në mend ishte ai i Nexhmedin Spahiut, të cilin e intervistova, e me të cilin pastaj do të takohesha shpesh në Tiranë pasi u hap Shqipëria, ku ai qëndroi një kohë të gjatë, prej nga shpesh na dërgonte analiza politike. Në atë kongres e luta një koleg kosovarë që të zbresë poshtë në sallë dhe t’ma thërrasë këtë shqiptarin e krisur që e donte aq shumë Millosheviqin. Dhe, ma solli lart te pres-qendra, ku bëra një intervistë me të. Ishte një nga intervistat më nervoze që kam bërë në karrierë, por në çastet kur e intervistoja, e vura veten në pozitën e një neuropsikiatri, duke e zhbiruar trurin e tij për të parë si mundet një shqiptar ta dojë një antishqiptar. Kishim edhe në Maqedoni të tillë, nuk ishte për t’u çuditur, por ky ishte vërtet rast psikiatrik! Ai nuk ishte si Rahman Morina, të cilit iu dhanë detyrat nga një nivel i lartë dhe duhej ta luante vallen, ndoshta edhe nga bindja. Ky ishte një soj edhe më i veçantë, një verban i rrallë në Kosovë, i cili vërtet e donte Millosheviqin. Të tillët ishin ata që e zhvillonin betejën brenda “llojit” e në emër të një kauze të huaj… Ata kishin çmim të veçantë.

*          *          *

Në vitin 1999, në vlugun më të madh të dëbimit nga Kosova, në kampin e refugjatëve në Stenkovec duhej të vinte Bill, Hilari dhe Çellsi Klinton. Për t’u dhënë kurajë refugjatëve se së shpejti do të kthehen në vatrat e tyre. Ishte një ndërmarrje e madhe sigurie për këtë vizitë. Helikopterët qarkullonin në të katër anët e Shkupit, kurse ne gazetarët, që e përcillnim këtë vizitë, u desh dy orë përpara të kalonim nëpër kontroll dhe të vendoseshim te vendi ku do të vinte Klintoni me familje. Ishte një moment i veçantë për gazetarët, që ta kishin aq afër “kryetarin e botës”. Më kujtohet edhe takimi i tij me refugjatët. Isha vetëm gjysmë metri larg tij kur si bisedonte me një djalosh të mitur, të cilit forcat serbe ia kishin vrarë disa anëtarë të familjes… Dhe, premtimi i tij se shumë shpejt do të ndodhë kthimi. Dhe, ashtu u bë.

(Në po këtë mision, po në Stenkovec, pata rastin të shënoj edhe vizitën e Hashim Thaçit, si kryeministër i Qeverisë së përkohshme të Kosovës, i shoqëruar nga Arbër Xhaferi e Menduh Thaçi, të cilët ia aranzhuan edhe takimin me kryeministrin e atëhershëm, Lubço Georgievski, që pat bërë bujë negative te një pjesë e shtypit të atëhershëm në gjuhën maqedonase)

Dhe, kur përfundoi lufta, prapë ndodha në vendin e duhur, ku na u komunikua lajmi. Me një grup gazetarësh ishim në Bruksel, ku kishim takim me Havier Sollanën, atëherë Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s, kur na thanë se ka diçka për të komunikuar dhe për këtë doli zëdhënësi Xhemi Shej për ta dhënë lajmin se ka përfunduar lufta në Kosovë. Ishte një lehtësim i përgjithshëm dhe shpresë se vërtet kosovarët do të kthehen shpejt në shtëpitë e braktisura.

*          *          *

Në angazhimet profesionale Kosova “e pasluftës” nuk do të jetë më e pranishme për shkak të shumë rrethanave të reja që më larguan nga puna e reporterit, pos në një palë ato zgjedhje të para, ku u gjeta vetëm kalimthi. Kosova ose, më mirë thënë, fati i saj mbetet preokupim i çdo shqiptari. Andaj me vëmendje vazhdojmë të përcjellim çkado që ndodhë atje. Në vitet e para të lirisë anketat thoshin se kosovarët janë ndër popujt më optimistë në botë, por në vitin 2019, njëzet vjet pas luftës, mund të konstatojmë shumë paradokse të jetës në liri, sepse është pritur më shumë përparim dhe gjeturi në zgjidhjen e shumë problemeve e situatave, vërehet një dëshpërim i madh se është bërë pak në përmirësimin e standardit dhe uljen e papunësisë. Andaj shumëkush perspektivën e shikon jashtë Kosovës. Duhet konstatuar se rruga ka qenë e vështirë objektivisht dhe e përshkuar edhe me shumë kontroversa të politikës ndërkombëtare dhe mosgjeturi të subjekteve kosovare. Por, Kosova është afër dhe larg rrumbullakimit të shtetësisë së vet, gjithnjë e përballur me obstruksionet e Serbisë. Por, edhe kjo betejë duhet të fitohet, ndonëse tashmë ka dy koncepte për të cilat janë të ndarë udhëheqësit më të lartë kosovarë, diçka që duket paksa paradoksale.

As armiqtë më të mëdhenj të shqiptarëve, ata të cilët punojnë natë e ditë kundër tyre (uji fle, armiku s’fle), nuk do të kishin besuar se do të vijë një ditë që shqiptarët do t’i shohin kaq të çorientuar dhe çakorduar!

S’na mbetet gjë tjetër, pos të shpresojmë se kjo është një situatë kalimtare dhe shumë shpejt do të marrë të mbarën.