` . Shteti, kombëtarja dhe folklori – TV-SHENJA

Shteti, kombëtarja dhe folklori

Identiteti kombëtar bëhet një temë debati atëherë kur shfaqet një krizë, e cila supozohet se mund ta dëmtojë atë tërësi të konstruktuar nga shteti. Por, debati i identiteteve kombëtare të shqiptarëve, si etni që është e shtrirë në disa shtete, më tepër është rezultat i konfuzionit dhe kaosit me nocionet identitare sesa ndonjë rrezik i vërtetë për atë që quhet identitet kulturor shqiptar.

Shkruan: Xhelal Neziri, Tetovë

Futbollisti i përfaqësueses së Zvicrës, Xherdan Shaqiri, asnjëherë nuk e kishte menduar se suksesi i tij do të shkaktonte aq shumë debate, dridhje, por edhe kriza identitare. Me origjinë nga Kosova, me një identitet kulturor shqiptar dhe me një identitet politik zviceran, Shaqiri pa asnjë faj u gjet në qendër të debateve të nxehta të opinionit të gjeografisë shqiptare.

Ai mbase nuk i ka kuptuar të gjithë ata që i thoshin tradhtar, vetëm sepse midis reprezentacionit të Shqipërisë dhe Zvicrës ai zgjodhi të dytin. Nuk i ka kuptuar ngase as nuk ka lindur në Shqipëri, as nuk ka shtetësi ose pasaportë shqiptare, e as nuk ka fituar ndonjë benefit nga ky shtet, që tash ta kishte detyrim t’i mbrojë ngjyrat e tij në futboll. I lindur e i formësuar si futbollist në Zvicër, Shaqiri i takon kombit politik zviceran, që buron nga kushtetuta e këtij shteti. Në rrafshin kulturor Zvicra është e përbërë nga tre pjesë të popujve fqinjë: gjermanë, italianë, francezë, të cilët bashkërisht kanë krijuar shtetin e Zvicrës dhe, rrjedhimisht, kombin zviceran. Ky fakt mbase edhe më shumë e ka komplikuar kaosin identitar të popullit shqiptar, i cili është i shtrirë në disa shtete. Shaqiri ka parë kolegë të reprezentacionit zviceran, që i përkasin popullit gjerman, por që në ndeshjen me Gjermaninë kanë dhënë maksimumin që të fitojë kombëtarja e tyre, pra Zvicra. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me kolegët italianë e francezë, të cilët asnjëherë nuk janë vënë në siklet nga Italia e Franca që ta braktisin kombëtaren e tyre, pra Zvicrën. Edhe italiani, edhe francezi edhe shqiptari Shaqiri kanë të njëjtën ombrellë identitare – atë shtetërore zvicerane, të ngritur mbi kushtetutën që garanton mundësi të njëjta për të gjithë shtetasit e saj, që njëkohësisht përbëjnë edhe kombin.

Krizat identitare

Kosova, shteti nga i cili e ka prejardhjen Shaqiri, është në rrugë të krijojë një kombëtare të fuqishme futbolli. Pasi shpalli pavarësinë në vitin 2007, një vit më vonë aplikoi për anëtarësimin e saj si shtet i ri në FIFA (Federata Ndërkombëtare e Asociacioneve të Futbollit), me qëllim që të fitojë të drejtën e garimit në rang evropian dhe ndërkombëtar. Kërkesa u refuzua, gjë që shkaktoi revoltë jo vetëm në opinion e Kosovës. Lojtarët, që ishin pjesë e kombëtares së Shqipërisë dhe Zvicrës, por me origjinë nga Kosova, në vitin 2012 i shkruan një letër FIFA-s, ku kërkuan pranimin e shtetit të ri në këtë federatë, me qëllim të fitimit të së drejtës për të garuar. Përveç Shaqirit, në letër u nënshkruan Lorik Cana, Mërgim Mavraj, Granit Xhaka dhe disa të tjerë.

Midis kombit të Zvicrës dhe kombit të Kosovës, shqiptari etnik Shaqiri ka gjasa të zgjedhë të dytin. Pra, vendin ku kanë lindur prindërit e tij, aty ku janë rrënjët. Këtë pritet ta bëjnë edhe shqiptarët etnikë të tjerë me prejardhje nga Kosova, por që luajnë për Zvicrën dhe shtete të tjera. Shumë futbollistë të kombëtares shqiptare me prejardhje nga Kosova pritet t’i bashkëngjiten kombëtares së re të futbollit.

Kjo nxiti një shpërthim të debatit mbi atë nëse përdorimi i termin “kosovar” ose “kombëtare e Kosovës” është e dëmshme për “kauzën kombëtare”. Papritmas, nën lëkurën e Shaqirit u gjetën edhe Cana, Mavraj, Ajeti, Gashi. Edhe ata u quajtën tradhtarë ende pa e marrë vendimin përfundimtar se për cilën nga dy kombëtaret e popullit të njëjtë shqiptar do të luajnë ata.

Identiteti kombëtar bëhet një temë debati atëherë kur shfaqet një krizë, e cila supozohet se mund ta dëmtojë atë tërësi të konstruktuar nga shteti. Por, debati i identiteteve kombëtare të shqiptarëve, si etni që është e shtrirë në disa shtete, më tepër është rezultat i konfuzionit dhe kaosit me nocionet identitare sesa ndonjë rrezik i vërtetë për atë që quhet identitet kulturor shqiptar.

Shtresat e identitetit

Identiteti individual dhe kolektiv, i lindur ose i fituar, nuk është njështresor. Nëse çdonjëri ia parashtron vetes pyetjen “kush jam unë?”, përgjigja do të fillojë nga identiteti që e dallon nga kafshët, pra identifikimi me njeriun. Për t’u dalluar nga pjesa tjetër brenda identitetit të njeriut, përgjigjja e dytë do ta nënkuptonte identitetin e lindur, pra identifikimin me gjininë. Pastaj, mund të vijojnë edhe ndarje të tjera, si identifikimi me ngjyrën e lëkurës, gjeografinë, profesionin, vendbanimin, qytetin, komunën, rajonin, partinë, klubin e futbollit e kështu me radhë.

Në këtë kohë të globalizimit, kur qarkullimi i informacionit është më i shpejtë e më efektiv, kemi krijimin e identiteteve të reja, që janë karakteristikë të kësaj kohe. Lehtësia e udhëtimit, intensifikimi i transportit, turizmi dhe komunikimi i lehtë dhe intensiv që mundësohet nga interneti, ka bërë që të krijohet identiteti kosmopolitan, në të cilin bashkohen qytetarë të ndryshëm të botës rreth kauzave të ngjashme. Kriza identitare e shqiptarëve në gjeografinë e tyre, në fakt, ka të bëjë me gabimin që bëhet gjatë përdorimit të nocioneve komb dhe etni/popull. Kombi krijohet nga shteti dhe, në fakt, nënkupton të gjithë qytetarët që posedojnë shtetësi të asaj tërësie gjeografike, me kufij dhe kushtetutë të definuar. Ndërkaq etnia/populli nuk është i konstruktuar nga shteti, por është natyror, historik ose kulturor. Një shtet/komb mund të jetë multietnik.

Sociologu Xhanfranko Poxhi thotë se shteti modern paraqet një realitet historik, të ndërtuar qëllimisht për të shërbyer si një makinë funksionale specifike. Për të bërë që njerëzit të jenë më afër shtetit, ta duan dhe të vdesin në mbrojtje të shtetit, ndërtohet identiteti kombëtar. Shtetet që nuk kanë arritur t’i krijojnë këto identitete, ose kanë ngelur të përçarë në dallime ose nuk kanë arritur të funksionojnë.

Filozofi Ernest Geller thotë se identiteti kombëtar është një formë e religjionit shekullar, ndërkohë që shtetësia është një kartë anëtarësie.

Ndryshe nga pikëpamjet folklorike, teoritë identitare thonë se shqiptarët etnikë kryesisht janë pjesë ose përbëjnë shumicën e tre kombeve në Ballkan – Shqipëri, Kosovë, Maqedoni. Shqipëria është shtet, ku identiteti etnik është gati tërësisht i përputhshëm me identitetin kombëtar. Edhe Kosova në masë të madhe ka një realitet të tillë. Por, identiteti kombëtar përfshin edhe pakicat malazeze, greke ose serbe që jetojnë në Shqipëri ose Kosovë, përderisa identiteti etnik i përjashton ato. Pra, kombi i Kosovës duhet të jetë përfshirës e i hapur, jo përjashtues për qytetarët/shtetasit e saj që u përkasin identiteteve etnike joshqiptare. Shqiptarët e Maqedonisë edhe në kushtetutën e vendit janë të definuar si pjesë e popullit/etnisë shqiptare në aspektin kulturor, pasi me shqiptarët etnikë të Kosovës e Shqipërisë i bashkon gjuha, kultura, historia dhe flamuri. Nga ana tjetër, me shtetin identifikohen më shumë vetëm maqedonasit etnikë, duke krijuar kështu një identitet kombëtar me simbole ekskluziviste dhe përjashtuese.

Shqiptarët etnikë jashtë kufijve të Shqipërisë e kanë forcuar më shumë identitetit lokal, që është i lidhur me vendin e banimit, dhe atë regjional, që është i lidhur me komunën ose rajonin, sesa atë shtetëror. Ndryshe nga situata ende e komplikuar rreth identitetit shtetëror të Maqedonisë, reagimet kundër kombit kosovar nënkuptojnë pamundësimin e zhvillimit të shtetit. Mungesa e këtij identiteti kombëtar bën që qytetari i Kosovës të mos jetë i interesuar për shtetin e tij, të mos jetë në funksion të shtetit dhe të refuzojë ta bëjë edhe sakrificën më të vogël për zhvillimin e tij.

Ta duash Kosovën ose Maqedoninë si shtet dhe të jesh shtetas me “kartë anëtarësimi” nuk do të thotë asimilim ose tjetërsim nga identiteti etnik shqiptar. Njëjtë si në rastet e identiteteve komplementare të skocezëve, të cilët njëkohësisht janë edhe britanikë, por që nuk e përjashtojnë njëri-tjetrin.

Shqiptari etnik Xhardan Shaqiri, i cili i përket kombit zviceran, pritet të jetë ylli më i madh i kombëtares së sapoformuar të Kosovës. Do ta ketë vështirë t’ua shpjegojë kolegëve zviceranë këtë hap të tij, por rëndë do ta ketë ta sqarojë lidhjen e tij më të fortë me kombin/shtetin e prindërve sesa me etninë si trashëgimi historike.