` . Shteti do të paguajë 15 mijë denarë për pajisjet klimatike (Video) - TV-SHENJA

Shteti do të paguajë 15 mijë denarë për pajisjet klimatike (Video)

Rreth 1.300 amvisëri do të mund të përfitojnë nga Qyteti i Shkupit për subvencionim të pajisjes klimatike inverter dhe pajisjeve të tjera bashkëkohore për ngrohje të amvisërive. Siç njofton kryetari Petre Shilegov nesër më së voni  ditën e hënë, do të hapet konkursi publik, me çka do të mbulohet gjysma e çmimit të pajisjes së blerë. Kjo siç bënë të ditur Shilegov paraqet masë të re promovuese, në luftën kundër ajrit të ndotur.

Petre Shilegov, kryetari i Qytetit të Shkupit
“Për çdo pajisje klimatike inverter, çdo qytetar i interesuar i cili do t’i plotësojë kushtet për subvencionim do të ketë mundësi të marrë gjysmën nga vlera e përgjithshme e pajisjes, por jo më shumë se 15.000 denarë. Pë këtë qëllim, në buxhetin e Qytetit kemi paraparë 20 milionë denarë, ndërsa kjo do të thotë se së paku 1.300 amvisëri prej këtij viti do të kenë mundësi që më lirë t’i ngrohin shtëpitë e tyre, duke mbajtur llogari për uljen e ndotjes së ajrit”.

Përparësia e pajisjes klimatike inverter, sipas tij qëndron në atë se mund të shpenzohen rreth 30% më pak energji elektrike se pajisja e zakonshme klimatike, ndërkaq mbi 50%, i ulin edhe shpenzimet në krahasim me drurin për ngrohje. Shilegov më tej thotë se sipas analizave të Qytetit të Shkupit, interesi tek qytetarët për furnizim të pajisjeve më bashkëkohore për ngrohje është i madh dhe për këtë shkak ata kanë vendosur për subvencionim të këtyre pajisjeve dhe për t’i ulur shpenzimet e qytetarëve.

Për disa herë me radhë, Shkupi u klasifikua si qyteti më i ndotur në Evropë, por jo vetëm kaq analizat e ndryshme ndërkombëtare cilësuan se kryeqyteti i Maqedonisë radhitet edhe ndër qytetet më të ndotur në botë. Ndaj kësaj dukuria, qytetarët protestuan disa herë, duke ju kërkaur institucioneve që të ndërmarrin masa që e zgjidhin vërtetë këtë çështje dhe jo masa të tipit transport falas dhe çmime të dyfishuara të parkingjeve, pasi ky kualitet i ajrit mund të marrë jetë njerëzish. Emine Ismaili /SHENJA/