` . Shtëpia e Bardhë: Kërkesa për hetime ndaj Trumpit "e paligjshme" - TV-SHENJA

Shtëpia e Bardhë: Kërkesa për hetime ndaj Trumpit “e paligjshme”

Shtëpia e Bardhë u shkroi një letër mospërfillëse Demokratëve të martën, në të cilën thotë se ajo nuk do të bashkëpunojë me hetimet e tyre “ilegale dhe antikushtetuese” kundër presidentit të SHBA-ve, Donald Trump lidhur me marrëveshjet me Ukrainën, transmeton AA.

Letra prej 8-faqesh dërguar kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi dhe Demokratëve të tjerë të lartë, thotë se hetimi ishte i padrejtë, nuk kishte bazë në Kushtetutën e SHBA-ve dhe është mospërfillëse lidhur me procesin dhe sundimin e ligjit.

“Presidenti nuk ka bërë asnjë gabim dhe Demokratët e dinë këtë”, ka thënë në një deklaratë Stephanie Grisham, sekretare për shtyp e Republikanëve në Shtëpinë e Bardhë.

“Këto procese partizane janë një sulm ndaj kushtetutës, pasi ato po mbahen pas dyerve të mbyllura dhe mohojnë të drejtën e presidentit për të ftuar dëshmitarë, qasjen për të pyetur dëshmitarin dhe për të pasur qasje në prova dhe shumë të drejta tjera themelore”, tha Grisham.

Letra e shkruar nga avokati i Trumpit, Pat Cipollone, akuzon Demokratët se tentojnë të “përmbysin rezultatet” e zgjedhjeve të vitit 2016 si dhe përpiqen të demtojnë shanset e Trumpit për t’u rizgjedhur në vitin 2020.

“Për këto arsye, ekzekutivi nuk mund të pritet që të marrë pjesë dhe nuk do të marrë pjesë në këto prova partizane të teatrit politik”, shtoi Grisham.

Ligjvënësit e Dhomës së Përfaqësuesve nisën një hetim kundër Trumpit më 24 shtator, duke u bazuar në pretendimet e një informatori se presidenti kishte ushtruar presion ndaj Ukrainës që të ndërhynte në zgjedhjet presidenciale të SHBA-ve në 2020.

Në një telefonatë të 25 korrikut, pretendohet se Trump kërkoi nga presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky që të ngritë hetime kundër ish-zëvendës presidentit të SHBA-ve, Joe Biden dhe djalit të tij Hunter, një biznesmen, lidhur me pretendimet për korrupsion.

Joe Biden është një nga kandidatët kryesorë në garën për nominim nga Demokratët, i cili do të sfidojë Trumpin në zgjedhjet e vitit 2020.