` . Shtëpia Botuese “Logos A”, rezonuese e vlerave dhe pengesë për demagogët - TV-SHENJA

Shtëpia Botuese “Logos A”, rezonuese e vlerave dhe pengesë për demagogët

Një kontribut të pakrahasueshëm e ka dhënë Shtëpia Botuese “Logos A”, e cila tani shënoi 26-vjetorin e themelimit dhe funksionimit. “Logos A” e fuqizoi lexuesin shqiptar, duke ia nxitur mendimin kritik, duke e bërë më të hapur dhe më refleksiv në raport me dijet e ndryshme dhe duke e pasuruar me dimensione sociale e kulturore, të cilat i mungonin atij.

Shkruan: Labinot KUNUSHEVCI, Prishtinë

Kohëve të fundit po zhvillohet një fushatë politiko-policore e pushtetit maqedonas ndaj Shtëpisë Botuese “Logos A”, që synon ta penalizojë veprimtarinë e këtij botuesi, gjë që e bëjnë dy partitë në pushtet VMRO e BDI.

Kjo fushatë, në fakt, është edhe kundër lexuesit shqiptar, i cili sot gjendet përballë mundësive të shumta që ofron teknologjia bashkëkohore në sistemin dhe kompleksitetin e dijeve të ndryshme. Padija asnjëherë s’ka pasur arsye, aq më pak sot kur mundësitë e participimit me dije, autorë, biblioteka, shtëpi botuese, libra, artikuj, intervista e hulumtime të ndryshme, janë të mëdha.

Ky inovacion i teknologjisë, digjitalizimit e modernizimit ofron një terren jo gjithmonë të favorshëm për dashamirët dhe pasionantët e dijes, sepse u jep mundësi demagogëve të ndërhyjnë me demagogjinë e tyre politike dhe kulturore dhe u jep mundësi qarqeve politike të krijojnë pengesa përmes presioneve dhe penalizimeve, të cilat ndërhyrje e prishin ekuilibrin dhe kohezionin kulturor dhe vleror, që e prodhojnë elitat intelektuale.

Një kontribut të pakrahasueshëm e ka dhënë Shtëpia Botuese “Logos A”, e cila tani shënoi 26-vjetorin e themelimit dhe funksionimit. “Logos A” e fuqizoi lexuesin shqiptar, duke ia nxitur mendimin kritik, duke e bërë më të hapur dhe më refleksiv në raport me dijet e ndryshme dhe duke e pasuruar me dimensione sociale e kulturore, të cilat i mungonin atij. Mirëpo, inatçorëve dhe demagogëve u pengon suksesi i tyre, prandaj pasojnë sulmet dhe presionet kundër tyre.

Të paarsyeshme janë edhe sulmet nga ata “zëra kritikë” që na paraqiten si “gardianë të vlerave moderne”, të cilët jo rrallë herë u kanë thënë studentëve/lexuesve që të heqin dorë nga botimet e Logosit, sepse ato “indoktrinojnë”!

Kjo logjikë është përdorur edhe në sistemin komunist, ku ekskomunikimi ishte mënyrë për realizimin e aspiratave ideologjike. Atje ndaloheshin disa libra dhe disa autorë dhe bëhej thirrje për heqje dorë nga një trashëgimi e mendimit shqiptar, sepse – sipas tyre (komunistëve) historia fillonte me ta dhe jo para tyre. Prandaj edhe kultura ideologjizohej.

E sot kësaj logjike i thonë “çlirim kulturor dhe mendim kritik”. Kjo nuk ka lidhje me mendimin kritik. Lidhje mund të ketë nëse thuhet “lexoni dhe gjeni pasojat dhe efektet e ideve të librave/autorëve dhe analizoni e interpretoni ato me metoda të reja, me kundër-argumente”, e jo nëse thuhet “hiqni dorë nga ato libra, sepse ju indoktrinojnë”.

Këta nuk e dinë çka është doktrina dhe çka është indoktrinimi. E dinë çka është kiçi, improvizimi, klishetë etj., të cilat i karakterizojnë ata. Janë paragjykues dhe nuk kanë arritur të shkëputen nga egocentrizmi dhe dogmatizmi i tyre, prandaj si të tillë me demagogji sulmojnë ata, puna e të cilëve ka peshë dhe kredibilitet shkencor, kulturor e fetar.

“Logos A” shquhet për kreativitet të shprehur përmes diversitetit, multidimensionalitetit e multidiciplinaritetit. Autorë të ndryshëm të trevave shqiptare kanë arritur të trajtojnë dhe të shkruajnë për sferat më të rëndësishme të jetës, kështu duke i harmonizuar dhe komplementarizuar identitetet. Sulmi ndaj tyre është mëkati më i madh ndaj lexuesit shqiptar. Është mëkat edhe ndaj vetë gjuhës shqipe, e cila është pasuruar nga gjithë ato libra të botuara ndër vite.

Prandaj befasohemi kur lexojmë ose dëgjojmë disa duke pretenduar në rrezikun e librave. E kur kjo thuhet në Universitet, siç kam dëgjuar vet në rastin e Logosit, të çuditë! Në fakt unë shtroj pyetje: për çka funksionon Universiteti? A nuk funksionon për t’i vetëdijesuar studentët, për t’ua ngritur aftësinë e rezonimit, reflektimit dhe mendimit kritik? Dhe, për t’ua fuqizuar potencialin përballë tendencave për mirëmbajtje të status quo-së dhe për monopolizimin e dijes? Ne po jetojmë në epokën e decentrimit të dijes. Në këtë mënyrë lexuesi shqiptar paraqitet si i paaftë. Dhe, kjo e ushqen dogmatizimin e lexuesit. Është intolerancë në vete. Është agresivitet. Është absurditet mënyra se si ushqehet perceptimi për rrezikun e librave.

Librat nuk prodhojnë rreziqe. Rreziqet vijnë nga injoranca, nga paragjykimet, nga mbytja e mendimit kritik, nga margjinalizimi dhe nga monopolizimi i dijeve.

Prandaj fushatat kundër botuesve të librave janë absurde dhe nuk mund të kenë sukses.

Postime të Ngjajshme