` . Shtatori foshnjor - TV-SHENJA

Shtatori foshnjor

Fjolla Spanca 

N’kohna tjera, pranvera niste me ardhë anej kah fundgushti. Stina e lulave dhe e andrrave njomëzake çilte bashkë me gjethet që shtroheshin përtokë; gjethet e nusnueme me bojnat ma t’ngrohta; ato bojna që qysh vaktit janë lidhun për rrjetash zemre, përmes së cilave mbrohej xhani prej çdo pishmani.

Rrjetat e zemrave kaherë janë pasë përdorun edhe për me i kullue tik-taket nga metjet e fundme të vernave përvluese: lëkura t’sosuna, kambë t’sakatosuna, fytyrat all t’kuqe, kalamendje të vazhdueme, sy t’praruem, etj, etj, etj.  Për ma tepër, rrjetat e tilla ishin edhe uzurpuese të dekikave që fluturonin muzgjeve t’vona … mbasi kish prarue zhegu trullosës, na i shtronim sofrabezat me bostan e pjepen. T’uj ndigjue zana’ që dilnin prej nji radioje t’vockël sipër barit, na kapte maraku me i rrokun ca pyetje t’çuditshme, përgjigjet e të cilave na ftonin për me udhëtue cepave t’hanës.

Fundi i gushtit ma dëftonte se pranë veres ngjitej lehtë shtatori i germave dhe fletëve me vija e kutija! Muaji i zileve dhe sahatit t’kuridsun! Muaji i lapsave të rinj, që kishin me u thye tuj shkrujtun ‘detyrat e shpisë’ … stina e gërshetave, kifleve me reçel e tostave me pak djath kaçkavall e sallam pule.

Shtatori ishte stinë pazari! Libraritë gëlonin prej kangës e haresë! Libratitë notonin në dëlirësinë e gzimeve foshnjore! Çatitë gjithanej tundeshin prej premtimeve! S’mbetej kush pa zanë be e rrufe se ka me msue e me lexue! Edhe ata që në vizatim përfundonin me 1-sh, kishin ymyd’ se kanë me i knue notat n’pentagram! Shtatori, flladi i jetëve t’reja!

Shtatori ish moti i trandofilave! Me trandofile në dorë, ne niseshim në shkollë.  Kurse vocrrakët i mbushnin krahët me vazo bojë tulle, mrena së cilave ndrinin petalet e ‘Lulës së Fatit’ a t’zambakut! Nuk e di nëse ne e kuptonim përnjimen vlerën e mësimit, mësuesit e shkollës. (Me shumë mundësi, jo! Nuk kishim peshore, t’sakta. Masnim veç me zemër, asokohe. Prandaj, druej se zemra mund të ketë ba numra disi). Di vetëm se disa mësues/e i përthekonim n’shpirt. Ashtu n’heshtje!

Shtatori edhe mundet të ketë qenë nji shtatëshe mistike!

Si shtatë palë qiejtë e shtatë ditnetët e javës, ky muaj do t’i qëndiste krahnorët e zgjanuem me dashuni e kërshëri! Shtatori na përkundi fisëm n’oqeanet e thella t’ditunisë; në kodrat e pashkeluna të mësuesisë e në djejtë e pasosun të urtnisë! Shtatori ish ninullë. Ma e zorta kangë e djepit por ma e lehta dhimtë e rritjes!

 

n’bankat e shkollës

Hovin fëminor te papërkufizuem që me ditë t’parë do e fiknin mësuesitë fytyrë mrrolun. Ose fytyrat e mësuesve të lodhun që dukej sheshit se zori i sillte në punë, sepse përtesa u lexohej në lule t’ballit! Jo se kishin faj. Zaten, ata s’kishin hiç faj. Prindërit tanë gëzonin hutueshëm që po vinte dita me na çue a ngarkue n’shkollë. Kësisoj, mësuesit, me sa duket, e dinin bukur mirë menjen e brymosun me ide prapanike (se prindër ishin vet), prandaj dhe e digjnin vullnetin hala pa e nisun punën! Dorën n’zemër, marazit të tyne gjithmonë i shtohej dalldisja jonë dhe kështu jo rrallë klasa do të kthehej në orë karateje! Mësuesit, me kompas e thupër, përpiqeshin me i edukue fëmijtë e prindërve të papërgjegjshëm: mësuesit që shpitë i patën kthyer në qendra kursesh private..

Anise të tilla skena sa vinin e shtoheshin, drejtorët e shkollave të sapoanëtarsuem në radhët e partive politike (për ne formacione krejt të panjohuna) s’rreshtnin së nënshkruajtuni konventa të drejtash; letra këto që jo rrallë herë mund të jenë përdorun për me u ndezë zjarri në dimnat e ftohtë që kërcenin mbas vjeshtës së ujshme!

 

n’bankat e shkollës, tjetër

Hovin fëminor të papërkufizuem që me ditë të parë do e naltonte buzëqeshja e përqafimi prindëror i mësuesve që na prisnin në oborr të shkollës! Veshun me qetësi e butësi, prej loçkës së tyne, s’ka plas asnjiherë marazi! Ata ishin prehja jonë e paprerë! Ishin prehja e mungueme edhe ditunia e jetueme! Shtatori ish pranverë prej aromës së tyne! Ata mbanin mbi supe ylberin … ndën krahët e tyne në strukeshim pa frigna! Mësuesit e shtatorit Tjetër, ishin tunele me llamba plotë! Porta t’Nalta pa dryna t’ndryshkun! Penxhere t’larma prej ku lexohej bota, amël!

 

Shtatori dhe Shiu

Kur bjen shi, m’bahet sikur rete shkundin lodhjet e tubueme… Rete e perhimta’ shfryjne idhnimin tuj e pastrue qiellin … masandej, ashtu lehte – lehtë  ato i bajne ven’ rrezeve t’pa prarueme t’nji dite me diell! Bari i verdhuem dhe pishat e bana qull flladiten prej puhizese se lehte t’ketij sabahu veror! Çadra vazhdon me u praptue’ teksa bardaku i vale, e mane mrena çajin e pervluem me shije dhe nji kokerr hurme, se ciles lulat e tablles i bajne hije!

Kur bjen shi, m’bahet sikur retë shkundin lodhjet e tubueme. Retë e përhimta shfryjnë idhnimin tuj e pasture qiellin! Masandej, ashtu lehtë – lehtë ato i bajnë vend rrezeve t’pa prarueme të nji dite me diell! Bari i verdhuem dhe pishat e bana qulll flladiten prej kësaj puhize. Tymnat vazhdojnë me u praptue, teksa Toka stoliset me aromnat e Parajsës që dalin mbas shiut!

Ja, kështu dukej jeta kur fillonte shtatori. Ne festonim ashtu siç gëzon Toka puqjen me rigat e shiut! Shtatori ish fllad, puhizë e Frymë e açikume!