` . Shtajnmajer-Bushati: Reforma në drejtësi, ndarja përfundimtare nga tranzicioni – TV SHENJA

Shtajnmajer-Bushati: Reforma në drejtësi, ndarja përfundimtare nga tranzicioni

Ministri i jashtëm i Gjermanisë, Fran Uolter Shtajnamjer u prit sot në një takim nga homologu i tij Ditmir Bushati ku në përfundim të takimit dy ministrat mbajtën një konferencë të përbashkët për mediat.

Fjala e ministrit të Jashtëm shqiptar, Ditmir Bushati iu kushtua tërësisht reformës në drejtësi. Sipas Bushatit, miratimi i reformës në drejtësi është shansi që i jepet vendit tonë për të kryer hapin e radhës në rrugëtimin e vet në BE dhe nga ana tjetër shënon, për popullin shqiptar, ndarjen përfundimtare nga tranzicioni.

“Reforma në drejtësi është shansi për të kryer hapin e radhës për marrjen e rekomandimit për statusin e vendit kandidat në Bashkimin Europian. Reforma në drejtësi është shansi ynë për të kaluar pikën e moskthimit. Projekti në parlament shënoj ndarjen përfundimtare nga tranzicioni.

Konstatimi ynë është se sistemi i sotëm i drejtësisë është një përzierje e korrupsionit me drejtësinë. Kjo reformë ka të gjitha premisat të ketë një impakt të fuqishëm edhe në ekonomi, luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe radikalizmit. Kemi marrë ekspertizën më të mirë të partnerëve për këtë reformë”, tha Bushati.

Nga ana e tij, ministri i Jashtëm gjerman theksoi se vendi ka miratuar një sërë reformash të rëndësishme, por përpjekjet janë të kota nëse nuk miratohet ajo në drejtësi. Ai kërkoi që reforma në drejtësi të miratohet sa më parë.

“Gjermanët i ndjekin me vëmendje zhvillimet në Shqipëri, por më duhet të pranoj se që pas shënimit të golit të Shkodran Mustafit, interesi është rritur ndjeshëm. Unë kam ardhur këtu edhe për tema serioze, sikurse është reforma në drejtësi.

Shqipëria është një parter bilateral i rëndësishëm për ne. Ne Ditmir, bashkë me njëri-tjetrin kemi nisur procesin e Berlinit, për të forcuar bashkëpunimin në rajon. Pikërisht nisur nga zhvillimet e rajonit, Shqipëria ka pasur një progres të rëndësishëm.

Një element i rëndësishëm i këtyre takimeve në kuadër të procesit të Berlinit është se ne kemi rënë dakord jo të për të rritur nivelin e bashkëpunimit, por edhe të shkëmbimeve rinore.

Ne kemi interes që ky vend të bëjë përpara në rrugën drejt Europës. Në Gjermani kemi ndjekur me vëmendje zhvillimet. Janë ndërmarrë reforma të rëndësishme në sektorë të ndryshëm, por përpjekjet e reformave nuk janë të plota, nëse nuk miratohet edhe ajo në drejtësi, e cila është në fokus të opinionit publik.

Unë besoj se ajo që gjendet tani në tryezë është një projekt që do të kujdeset për më tepër pavarësi në drejtësi, por do të krijojnë edhe premisa në luftën kundër korrupsionit. Të mos ngelet në mes të rrugës por reforma të përmbyllet në një periudhë sa më të afërt”, tha ai. /Gazeta-shqip/

Postime të Ngjajshme