` . Shqiptari i përjashtuar dhe i diskriminuar - TV-SHENJA

Shqiptari i përjashtuar dhe i diskriminuar

Gur i qitun n’rrafsh të lamës / Djal’ i tepërt i nanës (Nexhat Pustina)

Shkruan: Zeqirija IBRAHIMI, Shkup

Janë këto vargje të poetit dibran Nexhat Pustina, pak të njohur në letërsinë shqipe, i cili – si shumë shqiptarë të Maqedonisë  – e mbajti gjallë fjalën e bukur shqipe në kohën kur pakkush shfaqi ndonjë mirënjohje për të. Por, përveç emrit të këtij poeti, e rëndësishme me këtë rast edhe tipizimi që ia bën ai shqiptarit të Maqedonisë. Sipas tij, ky është një shqiptar që e ka prishur “rrafshin e lamës” dhe është një “djalë i tepërt i nanës”. Nëse asgjë tjetër në këtë shkrim nuk do të elaboronim, mbase do të mjaftonin vetëm këto vargje për ta kuptuar se si ndjehet një shqiptar i Maqedonisë (ky term i referohet përkatësisë shtetërore dhe gjeografike) përballë sivëllezërve të tij matanë kufirit.

Perceptimet

Perceptimi i vetvetes dhe i tjetrit është mbase çelësi më i rëndësishëm për identifikimin e secilit në botën tonë dhe për ndërtimin e secilit identitet. Në këtë drejtim, besoj se nuk ka shqiptar të Maqedonisë, që ka pasur përvojë me shqiptarë të Shqipërisë, e që nuk është habitur nga perceptimi që kanë ata për një shqiptar të Maqedonisë ose edhe për veten e tyre në relacion me shqiptarët e tjerë.

Për ta ilustruar këtë do ta sjell një histori të këtyre marrëdhënieve. Në fillim të viteve të ’90-ta një shqiptar i Maqedonisë, i njohur si patriot dhe disident me shumë probleme politike në raport me ligjin në RSFJ, sapo hapet kufiri me Shqipërinë, e merr makinën dhe niset për ta vizituar shtetin amë. Por, në kufi e pret zhgënjimi – kufitarët e Shqipërisë i kërkojnë vërtetim se a është shqiptar. Si përgjigje ndaj kësaj ai ua zbulon tatuazhin në krah me shqiponjën dykrerëshe, që pakkush kishte pasur guxim ta bënte në Jugosllavi. Por, kufitarët nuk donin të dëgjojnë. Ata ia kërkojnë “vërtetimin”, që asokohe merrej nga bashkësitë lokale, ndërsa me të dëshmohej përkatësia etnike. Dhe, zgjidhja e tij ishte o të kthehej në shtëpi o të paguante 10 marka gjermane e ta kalonte kufirin. Sepse, kufitarëve nuk u bënte përshtypje as tatuazhi i shqiponjës, e as gjuha shqipe e shqiptarit të Maqedonisë. E, sipas këtij shembulli, shumë nga ne kanë pasur përvojën që në Shqipëri të quhen “maqedonc” dhe kjo jo si pezhorativ, por thjesht si identifikim, si shtetas i Maqedonisë, ose, siç më ndodhi personalisht një herë, derisa flisnim për përkthyesit e mirë, një mik nga Shqipëria më tha: “Preferoj libra të përkthyera nga përkthyes shqiptarë”. E pas reagimit tim se edhe librat tanë përkthehen nga përkthyes shqiptarë, përgjigja ishte: “Mendova për qytetarë të Shqipërisë”.

Përvojë të ngjashme kemi edhe me perceptimin që kanë kosovarët (shqiptarët e Kosovës), të cilët për shqiptarin e Maqedonisë në biseda private a miqësore shprehen se “shqiptari i Maqedonisë është një shqiptar disi me handikap, e konsiderojnë shumë religjioz, konservator, patriarkal etj.”. Madje, disa prej tyre i kanë dhënë vetes të drejtë të rolit mesianik, që ta shqiptarizojnë dhe kombëtarizojnë këtë shqiptar, bile për këtë nuk kanë ngurruar që të dërgojnë edhe emisarë politikë, fati i të cilëve dihet si ka përfunduar.

Që kjo tablo perceptimi të rrumbullakohet, mund ta përmendim rastin e para një jave në një televizion të Shqipërisë, kur përballë një “hoxhe të moderuar” të Tiranës ishte ftuar një “hoxhë ekstremist” i Shkupit, që kështu mbase të vuloset bindja se cili është tipi i shqiptarit të Maqedonisë. Prej gjithë shqiptarëve të Maqedonisë, që nga shkrimtari shqiptar më i përkthyer në botë pas Kadaresë, pra Luan Starova, që nga nobelistët Ferid Murati e Gonxhe Bojaxhiu, që nga kritiku letrar Ali Aliu, shkrimtarët Murat Isaku e Kim Mehmeti, piktorët Omer Kaleshi e Adem Kastrati, grupi “Elita 5”, aktori Bajrush Mjaku e sportistët fitues të medaljeve olimpike, si Shaban Tërstena e Shaban Sejdiu, media e Shqipërisë gjen një hoxhë të njohur me deklarime radikale për ta ndërtuar stereotipin e shqiptarit të Maqedonisë ose, sipas tyre, të “maqedoncit”. Dhe, të besosh se kjo është rastësi, është paksa naive. E kur e di se kjo është e qëllimshme, parashtrohet pyetja: kujt i shërben tipizimi i këtillë i shqiptarit të Maqedonisë?

Përveç perceptimit të shqiptarëve të Shqipërisë dhe të Kosovës për shqiptarin e Maqedonisë, ekziston edhe një perceptim tjetër, po ashtu përbuzës, që e kanë maqedonasit ndaj tyre. Ata e shohin këtë njeri si “pjesë të popullit shqiptar” (ashtu e tipizojnë në preambulën e shtetit, sepse autoktoninë e mbajnë për vete), pastaj e shohin si komb i pacivilizuar, si popull që nuk e do Maqedoninë, sepse punon për bashkim me Shqipërinë, ndërsa – duke e parë Maqedoninë si shtet-komb dhe duke e shtrirë identitetin shtetëror mbi atë etnik – shqiptarët e Maqedonisë i quajnë “makedonski Allbanci” (shqiptarë maqedonas), gjë që për shqiptarin e Maqedonisë krijon po aq irritim e ofendim sa edhe etiketimi “maqedonc”, që bëhet nga shqiptarët e Shqipërisë.

Artikulimi identitar

Dhe, derisa për Shqipërinë shqiptar është vetëm ai që ka shtetësi dhe pasaportë shqiptare, ndërsa shqiptari i Maqedonisë është një “maqedonc”, derisa për shqiptarin e Kosovës shqiptari i Maqedonisë është, në rastin më të mirë, një shqiptar me handikap kombëtar, ndërsa, në rastin më të keq, një shqiptar me identitet hibrid dhe derisa, në anën tjetër, kombi maqedonas (sllav) në Maqedoni ushtron trysni që shqiptarin e Maqedonisë ta identifikojë përmes emrit të shtetit (shqiptar maqedonas), kjo për një shqiptar të këtij vendi më së paku krijon frustrim, ndërsa nuk është për t’u habitur që të krijojë edhe fobie. I përjashtuar nga trungu kombëtar (gur i qitun në rrafsh të lamës / djalë i tepërt i nanës) dhe i diskriminuar nga kombi shumicë në shtetin ku jeton, shqiptari i Maqedonisë hëpërhë ka ngelur në kërkim të identitetit të tij të vërtetë: a është ai vetëm “shqiptar”, “shqiptar i Maqedonisë” apo çka është?

Dhe, kur këtij rrëfimi i shtohet mundësia që sot të lind një komb i ri kosovar, kjo sipas shtetit të ri të Kosovës, ky është lajmi më i keq që mund ta marrë një shqiptar i Maqedonisë (por, edhe ai i Preshevës, Ulqinit dhe Çamërisë). Kështu i bie se le që Shqipëria e Kosova nuk kanë projekt integrues të kombit, por në këtë mënyrë e legjitimojnë imponimin sllav në Maqedoni që shqiptari i Maqedonisë identitetin e tij kombëtar ta projektojë në shtetin në të cilin jeton. Që, me fjalë të tjera, i bie ta pranojë atë që ia imponojnë maqedonasit – shqiptar maqedonas. Në këtë frymë shqiptari i Luginës së Preshevës do të duhej të ishte një shqiptar serb dhe ai i Malit të Zi shqiptar malazez. Krejt sipas aspiratave shekullore të fqinjëve jo aq miqësorë ndaj shqiptarëve. Por, derisa dikur kjo imponohej me dhunë, sot vetë disa shqiptarë po e promovojnë këtë si vlerë bashkëkohore, madje duke u shërbyer me interpretime sociologjike për dallimet mes kombit e etnisë, vetëm e vetëm që ta përligjin një argument që aq shumë e dëshirojnë ata që duan të shohin sa më pak shqiptarë në Ballkan. Një mazohizëm pa fund.

Vetëperceptimi

Megjithëse mund të jetë relative, por, përgjithësisht, shqiptari i Maqedonisë e konsideron veten autokton në trojet e veta, kjo duke iu referuar burimeve historike për fiset ilire që e kanë banuar këtë zonë. Në kohën e represioneve serbe të mesjetës mund të ketë pasur tkurrje dhe lëvizje të popullsisë, por nuk është regjistruar ndonjë dyndje e shqiptarëve nga perëndimi drejt lindjes. Në kohën osmane shqiptarët e këtyre trevave arritën të fuqizohen dhe të luajnë rol të rëndësishëm në administratën osmane, por pas ikjes së osmanëve, ranë përsëri nën sundimin serb, duke përjetuar shpërngulje dhe dhunë. Organizimi i parë politik i shqiptarëve të Maqedonisë, në pamundësi që të krijojnë parti etnike, ishte nën organizatën “Xhemijet” (1919-1925), që ishte identifikuar si parti e myslimanëve, por që udhëhiqej nga patriotë shqiptarë, si Nexhip Draga e Ferhat Draga. Më pas rol të rëndësishëm kanë luajtur konsujt e Mbretërisë së Shqipërisë në Shkup, por edhe organizata “Besa”, që u themelua nga studentët shqiptarë në Beograd, por që pati jehonë edhe në Maqedoni, si edhe Organizata Nacional-Demokratike Shqiptare (NDSH), që u shua më 1946 me dënimin me vdekje të disa eksponentëve të saj.

Falë shkollave shqipe, të hapura për herë të parë në kohën e “Tokave të lirume”, shqiptarët e Maqedonisë vetëm në kohën e Luftës së Dytë Botërore e ndjenë pulsin kombëtar në dejtë e tyre. Por, pas instalimit të Jugosllavisë, ata u gjetën përsëri nën presion dhe të diskriminuar. Në këtë kohë mbështetje e vetme, si mbrojtje nga asimilimi dhe presioni, ka qenë organizimi religjioz. (Ataullah ef. Kurtishi, një hoxhë i njohur i asaj kohe – që ta ndalte shpërnguljen e shqiptarëve në Turqi, kishte deklaruar se “ai që shpërngulet në Turqi, është renegat”). Në këtë mënyrë ndjenja religjioze ishte bërë pjesë e pandashme e shqiptarisë në Maqedoni dhe një barrierë për mbrojtjen e shqiptarisë nga asimilimi – kjo veçmas ka ngjarë në pjesën veri-perëndimore të Maqedonisë: Kumanovë, Shkup, Tetovë e Gostivar. (Gjatë kësaj kohe ndodhi shpërngulja e shqiptarëve katolikë në Kroaci e, më pak, në Kosovë dhe asimilimi i atyre që mbetën në Maqedoni, si edhe asimilimi i plotë i shqiptarëve ortodoksë, të cilët meqë nuk kishin një kishë ortodokse shqiptare, për më pak se gjysmëshekulli u asimiluan dhe sot është bërë gati i pamundur rikthimi i tyre në identitetin amë). Duke pasur një arsimim shumë të kufizuar dhe, gjithsesi, shumë ideologjik, shqiptarët e Maqedonisë mbetën gati të paarsimuar. Kjo, në anën tjetër, i bëri shumë të lidhur me xhaminë dhe klerin religjioz. Në këtë mënyrë shqiptarët e Maqedonisë dolën në shekullin e ri dhe, duke u konservuar në një lloj izolimi, arritën ta mbrojnë identitetin etnik. Kjo sigurisht u kushtoi në planin kulturor e arsimor, por mbase ishte mënyra e vetme për ta shpëtuar qenien shqiptare.

Kundruar sipas shqiptarisë së projektuar në kohën e Rilindjes nga Sami Frashëri, shqiptari më primordial – për shkak të izolimit – mbase mund të gjendet në Maqedoni. Por, kjo – fatkeqësisht – e ka bërë edhe gati të papranueshëm për pjesën tjetër të kombit, sepse ata andej – duke pasur një zhvillim paska më normal në kuptimin kulturor e arsimor –  sot janë gati ta fajësojnë shqiptarin e Maqedonisë pse është i këtillë e jo ta pranojnë të tillë siç ai ka arritur t’u shpëtojë shtrëngatave të historisë. Dhe, në vend që kjo të shihet vetëm si perceptim relativ, ngase edhe shqiptari i Maqedonisë, nga ana e tij, e sheh veten tamam në këmishën e tij autentike dhe autoktone (edhe shqiptari i Maqedonisë i ka vërejtjet e tij për shqiptarinë e të tjerëve), ndodhë shpesh që perceptimi i andejkufirit të absolutizohet.

Dhe, derisa shqiptari i Maqedonisë sot nuk shfaq prirje për asnjë lloj asimilimi, por synon konvergjencën kombëtare me ato vlera konservatore që i posedon, kujtojmë se kjo nuk duhet të jetë asnjë pengesë për integrimin e tij brendakombëtar. Madje, ky tip morali dhe identiteti ndoshta mund të jetë vlerë shtesë e kombit, sepse në këtë soj shqiptari akoma ruhen vlerat e rilindësve shqiptarë. Zaten edhe ashtu shqiptaria është sot mjaft heterogjene dhe kjo do të duhej të merrej si begati dhe pasurim i identitetit shqiptar.

Mes bashkimit dhe diskriminimit

Të gjendur në këtë situatë, kur shqiptarët e Maqedonisë nuk guxojnë ta përmendin bashkimin kombëtar, sepse këtë nuk e dëshiron as shteti amë, ndërsa maqedonasit dhe të huajt i gjykojnë si separatistë, ata edhe kur duan të integrohen në Maqedoni, diskriminohen. Kështu, gjendja e tyre është përtej frustrimit. Në të vërtetë, duke qenë pa asnjë përkrahje në artikulimin e tyre entik në Maqedoni, shqiptarët e Maqedonisë janë mbështetur vetëm në forcat e veta dhe identitetin e tyre tashmë e projektojnë pavarësisht Shqipërisë dhe Kosovës. Ata në asnjë mënyrë nuk pranojnë të jenë “maqedonc”, as “shqiptarë me handikap”, e aq më pak “shqiptarë maqedonas”. Ata, përmes organizimeve të reja politike, por edhe kërkesave të opinionistëve edhe klasës akademike shqiptare në Maqedoni, tashmë e kanë shtruar nevojën që Maqedonia të ridefinohet si shtet, ndërsa kështu të ridefinohen edhe identitetet e saj.

Ky konstatim ka ardhur nga faktet se Maqedonia nuk është një shtet me shumicë absolute etnike (siç është Sllovenia, Kroacia dhe Serbia), andaj edhe modeli i ndërtimit të shtetit nuk mund të jetë i tillë. Maqedonia ka një shoqëri shumetnike, ku shqiptarët marrin pjesë me së paku një të katërtën e popullsisë, por shteti është njëetnik. Që nga emri i shtetit, që lidhet vetëm me emrin e kombit shumicë (maqedonas – Maqedoni), preambula e Kushtetutës, që Maqedoninë e identifikon si produkt historik të luftës së kombit maqedonas për pavarësi dhe sovranitetin e mbështet mbi kombin maqedonas, ndërsa kombet e tjera i vendos në pozitë dytësore dhe në rrafsh të njëjtë të gjitha njësoj (shqiptarët i bën të barabartë me serbët, romët e vllehtë), pastaj edhe simbolet njëetnike të shtetit (stema, flamuri dhe himni janë të lidhura vetëm me etninë maqedonase), e deri te përfaqësimi “i kujdesshëm” njëetnik në institucionet themelore të shtetit, Maqedonia është bërë një sajesë asimetrike, ku shoqëria nuk përkon me shtetin, gjë që në vazhdimësi prodhon kriza politike. Për këtë arsye shqiptarët e Maqedonisë kërkojnë të ridefinohet karakteri i shtetit – a është ai qytetar apo etnik? Nëse është qytetar, atëherë bartës i sovranitetit është qytetari e, rrjedhimisht, emri i shtetit nuk duhet të jetë i lidhur për asnjë etni, ndërsa simbolet e shtetit nuk duhet të kenë asnjë tipizim etnik. E nëse karakteri i shtetit është etnik, atëherë shqiptarët kërkojnë që Maqedonia të jetë shtet binacional dhe kjo të reflektohet në emrin e shtetit, si edhe në simbolet e tij.

Cilado nga këto që do të pranohej, shqiptarët do të vetërealizoheshin si entitet i veçantë etnik në Maqedoni. Në variantin e shtetit qytetar identiteti shtetëror nuk do të ishte “maqedonas”, por një emërtim sipas emrit të shtetit pa përkufizime etnike – me identitet të përbashkët shtetëror, ndërsa shqiptarët do t’ia njihnin kombit maqedonas të drejtën që ai ta ruajë emrin e kombit “maqedonas”, gjuhën “maqedonase”, simbolet etnike “maqedonase”. Natyrisht, në atë rast, edhe shqiptarët do ta kishin identitetin e tyre etnik, gjuhën shqipe të barabartë me maqedonishten, simbolet e tyre etnike etj. Kjo i bie diçka si modeli i Zvicrës, ku emri i shtetit nuk lidhet me asnjë enti, ndërsa etnitë e kultivojnë dhe zhvillojnë identitetin e tyre të veçantë etnik. Në rastin e dytë, nëse Maqedonia bëhet shtet binacional, atëherë edhe emri i shtetit do ta reflektonte këtë identitet dhe, rrjedhimisht, edhe identiteti shtetëror do të ishte i tillë, ndërsa identitetet etnike do të ishin shtyllat e shtetit (siç është shembulli i Belgjikës).

E rëndësishme është se shqiptarët e Maqedonisë e kanë kuptuar hilenë dhe kërkojnë që identiteti shtetëror (macedonian) të mos jetë i njëjtë me identitetin etnik të kombit shumicë në këtë shtet (macedonian), sepse në identitetin shtetëror përfshihen edhe shqiptarët dhe, e dyta, që për shqiptarët është e rëndësishme – në çfarëdo rrethane – ata duan të mbeten vetëm shqiptarë (pa parashtesa e pa prapashtesa).

Koha për Konsultë Kombëtare

Në kohën që shtetet shqiptare në Ballkan, Shqipëria dhe Kosova, nuk kanë asnjë projekt integrues kombëtar në rrafshin shkencor, arsimor, kulturor e sportiv, me çka do ta homogjenizonin identitetin kombëtar të shqiptarëve në Ballkan, madje janë në gjendje që edhe të grinden se a je çam, a je kosovar apo çka je, mundësia e vetme që i mbetet shqiptarit të Maqedonisë është ta shpëtojë atë që mund të shpëtohet – ta ruajë identitetin e vet etnik, ta artikulojë e afirmojë dhe të shpresojë e të lobojë që dy shtetet e sipërpërmendura dikur ta ridefinojnë qasjen ndaj shqiptarëve jashtë kufijve të tyre. Sipas rregullës, kohezionin brendaetnik duhet ta nxisë i madhi, por – te ne – të mëdhenjtë i hanë kumbullat, ndërsa të vegjëlve u mpihen dhëmbët.

Nëse ata do ta kuptonin rolin e tyre, do të duhej të silleshin si bërthama, rreth të cilave do të silleshin mbështjellësit elektronikë me elektrone, ashtu që sa më e fuqishme që të ishte fuqia centrifugale e bërthamës, aq më afër do të ishte mbështjellësi elektronik dhe elektronet nuk do të iknin nga orbita. Por, në rastin tonë, si duket, po ndodhë e kundërta: bërthamat reflektojnë fuqi të dobët kundrejt mbështjellësit, andaj mbështjellësi elektronik është aq larg dhe elektronet fluturojnë gjithandej në kaos.

Për këtë arsye, kam përshtypje se ka ardhur koha që – sipas shembullit të Konsultës Gjuhësore të 1968-tës në Prishtinë, kur u bë presion për një gjuhë unike standarde – sot shqiptarët e Maqedonisë ta organizojnë një Konsultë Kombëtare në Shkup, që të ushtrojnë presion se nuk i lejohet askujt luksi që të prodhojë identitete hibride dhe ta anashkalojë faktin më të rëndësishëm historik se ne, kudo që të jetojmë e çfarëdo shtetësie të kemi, jemi vetëm shqiptarë.

Postime të Ngjajshme