` . Shqiptarët pas largimit të Perandorisë Osmane - TV-SHENJA

Shqiptarët pas largimit të Perandorisë Osmane

Të dhënat që i jep shtypi shqiptar i këtyre viteve për masakrat në trevat shqiptare dhe më gjerë, sado që nuk merren si burime të dorës së parë, ndihmojnë që të kemi një pasqyrë sa më të mirë të asaj që ka ndodhur në këto vite dhe në këto hapësira. Po ashtu, këto të dhëna, krahas dokumenteve të kohës e traditës gojore, ndihmojnë për ndriçimin sa më të mirë të gjithë atyre vrasjeve, masakrimeve dhe shkatërrimeve që kishin bërë ushtritë në fjalë 

Shkruan: Nuridin AHMETI, Prishtinë

Vitet 1912-1913 në literaturën historiografike shqiptare njihen edhe si Periudha e Luftërave Ballkanike dhe për shkak të ngjarjeve që kanë ndodhur, cilësohen si vitet më tragjike për fatet e popujve të Ballkanit, në përgjithësi, dhe për fatin e popullit shqiptarë, në veçanti.

Luftërat Ballkanike nga viti 1945 e deri në ditët e sotme janë objekt studimi të disa studiuesve shqiptarë, si: Arben Puto, Thoma Murzaku, Zekeria Cana, Xheladin Shala, Shpend Avdiu etj., duke ofruar fakte dhe analiza, për rolin e shqiptarëve, pasojat etj., gjatë viteve 1912-1913.

Krahas të dhënave të sipërthëna, këtyre ngjarjeve u kushtoi vëmendje edhe shtypi shqiptar i kohës. Disa nga këto të dhëna lexuesit të “Shenja”-s do t’ia ofrojmë në këtë punim.

Në shtypin shqiptarë të kohës, si: “ Shypnia e re”, “Dielli”, “Taraboshi”, “Liria e Shqipërisë”, “Përlindja e Shqipnisë” etj., që përfshijnë vitet 1912-1913, kemi evidentuar mbi 100 artikuj që flasin për masakra, që përshkruajnë tmerre nga më të ndryshmet mbi popullin shqiptar. Në pamundësi për t’i përfshirë të gjithë këta artikuj, kemi përzgjedhur vetëm disa prej tyre, që mendojmë se japin një pasqyrim thuajse të përgjithshëm.

Luftërat Ballkanike dhe pasojat

Vjeshta e vitit 1912 po numëronte edhe ditët e fundit të Perandorisë Osmane në Ballkan dhe në tokat shqiptare. Largimi i Perandorisë Osmane nga tokat shqiptare, rrethanat e reja politike të krijuar, do të rrisnin marramendshëm ambiciet e fqinjëve, posaçërisht të shteteve të Aleancës Ballkanike për zgjerim të territoreve në dëm të hapësirave shqiptare. Këto rrethana bënë që edhe Lëvizja Kombëtarë Shqiptare ta shikonte pozicionin e saj kundruall kërkesave, nga lufta për autonomi, që e kishin kërkuar dikur, të kalonin në kërkesa për pavarësi.

Rrezikun që po i kanosej tokave shqiptare dhe popullatës nga shtet e Aleancës Ballkanike në prag të largimit të Perandorisë Osmane nga Ballkani, prifti katolik, veprimtari i njohur i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe më pas, Abati i Mirditës, Prend Doçi, në bisedë me miken e shqiptarëve, znj. Edith Durham, rreth largimit të Perandorisë Osmane nga Ballkani dhe pasojat që mund t’i ketë populli shqiptarë pas largimit të Perandorisë deklaron: “Të punosh kundër turkut tani është gabim. Turku nuk është më armiku më i egër i Shqipërisë…, tani është një armik tjetër, madje shumë më i egër se turku, një armik që po forcohej dita-ditës. Ky armik ishte sllavi. Rusia me kishën e sajë fanatike dhe bandat e saj të egra serbe dhe bullgare, ishte gati ta shkretonte Shqipërinë dhe t’i zhdukte njëherësh katolikë e myslimanë bashkë” (Edith Durham, Brenga e Ballkanit dhe vepra të tjera për Shqipërinë dhe shqiptarët, (ribotim) SHB “Naum Veqilharxhi”, Tiranë, 1998, f. 348).

Nuk duhet harruar se ky qëndrim është i një njeriu që nuk kishte reshtur së foluri dhe së punuari kundër Perandorisë Osmane. Por, si njohës i rrethanave të kohës, ai jep mendimin e tij, që në ato rrethana i dukej se ishte i qëndrueshëm. Në fakt, frika e Prend Doçit doli të ishte e vërtetë, sepse me largimin e Perandorisë Osmane ambiciet e Aleancës Ballkanike për zgjerime të territoreve në kurriz të tokave shqiptarë, përveç intrigave diplomatike, luftës psikologjike ndaj shqiptarëve etj., ishin të shoqëruara edhe më masakra të llahtarshme.

Se deri në çfarë masë kishte arritur niveli i këtyre masakrave në këto vite ndaj shqiptarëve, tregon edhe fakti së këto masakra tërhoqën vëmendjen e opinionit botëror, rajonal dhe vendor.

Përveç shumë raporteve të dërguara nga konsujt e ndryshëm, që ishin të vendosur nëpër qendrat e vilajeteve shqiptare dhe raportet i dërgonin në qendrat e tyre përkatëse, ku pasqyronin qartë se deri në çfarë mase kishte shkuar çmenduria e ushtrive të Aleancës Ballkanike, një ngjarje e tillë nuk la pa u vërejtur edhe nga shtypi botërore, rajonal dhe vendor i kohës, i cili po u kushtonte një kujdes të veçantë në pasqyrimin sa më real.

Në arenën botërore, përmes shtypit, këto masakra po pasqyroheshin nga Leo Frendlich, Llav Trocki e Edit Durham, në rajon nga Dimitrije Tucoviqi dhe në hapësirat shqiptare po e pasqyronte shtypi vendor, si gazetat: “Shypnia e re”, “Taraboshi”, “Liria e Shqipërisë”, “Përlindja e Shqipnisë”, “ Besa Shqyptare” etj.

Kështu, gazeta “ Shqypnia e re”, dt. 24 gushtit të vitit 1913, në rubrikën: “Mbi masakrat e sllave në Shkodër si dhe mbi mos marrjen e masave nga Fuqitë e Mëdha për normalizimin e gjendjes”, jep të dhëna trishtuese mbi atë se çfarë po ndodhte në Shkodër, me popullatën e këtij qyteti dhe të rrethinës dhe, gjithashtu, kjo gazetë nuk mbeti pa shprehur edhe mllefin e vetë ndaj Fuqive të Mëdha të kohës, që përballë atyre masakrave, siç shkruante, “bënin sehire”.

Ngjashëm vepronte edhe gazeta “Taroboshi” në artikullin e botuar më 18 tetor 1913 me titull: “Serbët e malazezët mbytin gra, pleq e fëmijë”. Është interesante të potencohet se në çdo artikull ose raport që botohej në gazetat shqiptare të kohës, përmendjen e masakrimit të fëmijëve thuajse e hasim në çdo artikull të çdo gazete shqiptare, që shkruante për këto masakra, dhe kjo për mendimin tim mund të shpjegohet për dy arsye kryesore: e para – për drejtuesit e gazetave, por edhe për çdo njeri me ndërgjegje, mbytja e fëmijëve është e pajustifikueshme në çfarëdo rrethane që ndodh kjo; dhe, e dyta – mbytja e fëmijëve në këtë mënyrë, masakrimi i tyre, nuk ishte i njohur për shqiptarët e asaj kohe, prandaj kjo bëri që popullata ta ndjente thellë këtë gjë, sepse kjo ishte jashtë rregullave kanunore që dominonin te shqiptarët në atë kohe. Kjo ishte një gjë e paparë, ishte një tmerr i vërtetë, që nuk mund ta perceptonin shqiptarët dhe këtë e shprehnin ata, siç shihet, edhe nga opinionet që i botonin gazetat e kohës.

Sa do që krimet e forcave xhonturke janë të njohura ndaj popullatës shqiptare, për drejtuesit e gazetës “Dielli”, që botohej në Boston të SHBA-ve, krahasuar me krimet e ushtrive të Aleancës Ballkanike, që po bënin ndaj shqiptarëve, ushtria osmane u “tregua e qytetëruar”, sepse sipas drejtuesve të kësaj gazete ushtria osmane “se s’trazoj, s’prishi, s’therri njeri”. Drejtuesit e gazetës shkojnë aq larg, sa ushtritë e Aleancës Ballkanike i përshkruajnë edhe me epitete të ndryshme negative si: qena, kanibala, vandala etj., “Për çudi moti 1912-1913 na tregoj që Turqia megjithëse humbte luftën, por ushtria e saj u tregua e qytetëruar, se s’trazoj, s’prishi, s’therri njeri, për kundër Aleancës Ballkanike që banë të gjitha barabarizmat, ushtritë e tyre qenë bashibozuk, kasape, vandale, kanibale. Këta s’lanë gurë mi gurë, përmbysën, theren, dogjen, çnderuan, të tëra të ligat i bën këta qena. Pastaj kanë sy e fytyrë e faqe e thonë luftojmë për kryq e të krisherë” (Shpend Avdiu, Çështja shqiptare më 1913-1914, në: “ Shenja”, nr. 27, Shkup, 2013, f. 33 – 35).

Në vitet 1912-1913 grekët nuk po i realizonin ambiciet e tyre territoriale sipas parashikimeve të tyre. Qytetet e jugut të Shqipërisë, si Korça, Gjirokastra, Delvina, Himara dhe Permeti etj., ishin vendosur që t’i mbesin Shqipërisë. Sipas gazetës “Dielli”, kur grekët morën vesh se këto qytete nuk u mbetën atyre, ata (grekët N.A.) “u tërbuan po bëjnë barbari…, ushtarët grekë zënë dhe dhunojnë gratë dhe vajzat në mes të rrugëve, si kafshë të egra!” (“Dielli”, 22 gusht, 1913).

Përballë padrejtësive të tilla, sidomos ndaj dhunimit të vajzave dhe grave, popullata vendase nuk mund të qëndronte indiferentë. Skenat të tilla i kishin prekur thellë njerëzit, andaj është e natyrshme që të kishte edhe reagime, për t’u dalë në mbrojtje motrave dhe nënave të tyre. Gazeta “Dielli” më 1 gusht të vitit 1913 shkruante se si e vranë oficerët grekë një shqiptar, sepse tentoi ta mbronte nderin e një gruaje “të cilën oficerët e Greqisë e kishin zanë ta turpëronin”.

Gazeta “Dielli” mund të thuhet se u bë zëri më i guximshëm për denoncimin e këtyre masakrave dhe informimin sa më të drejtë për ngjarjet e tjera që po zhvilloheshin në hapësirat shqiptare.

Gazeta “Përlindja e Shqipëniës”, e cila ishte edha gazeta e parë e qeverisë së Vlorës, të kryesuar nga Ismail Qemali, masakrave serbo-malazeze mbi popullin shqiptar u dha hapësirë të konsiderueshme, duke evidentuar çdo fshat të djegur, njerëzit e mbytur, shtëpitë e djegura, deri edhe në numrin e kafshëve të mbytura (Dielli”,1 Gusht, 1913).

Të dhënat që ofron “Përlindja e Shqipëniës” i prezanton te lexuesi si të dhëna zyrtare në disa vazhdime me titull “Barbarizamt e mizorrinat e sërbëvekunder shqiptarëve” (“Përlindja e Shqipëniës” vjet’i II, nr. 1, 14 kallënduer 1914).

Të dhëna me interes mbi masakrat e serbëve në Shqipëri ofron edhe gazeta “Atdheu” e vitit 1913. Në titullin “Keqberjet e sërbëve në Shqipëri”, duke iu referuar edhe disa dokumenteve, jep informacione të hollësishme mbi atë se çfarë po ndodhte në Veriun e Shqipërisë (“Atdheu”, 30 shtator, 1913).

Një shqetësim dhe një tmerr tjetër për qytetarët e viseve shqiptare në ato vite ishte edhe përballja me mbytjen e kafshëve të tyre të shtëpisë, që ishin shumë jetike për mirëqenien e popullatës në atë kohë, kjo në njërën anë, kurse, në anën tjetër, kjo tregon se deri në ç’masë kishte arritur shkatërrimi dhe barbaria ndaj shqiptarëve, pra duke mos e kursyer as jetën, as kafshët dhe as pasurinë e tyre.

Kështu, gazeta “Shqypnia e Re” e datës 20 nanduer 1913, në shkrimin “Barbarizmat Serbe në Kosovë”, përcjell lajme që, siç vë në dukje kjo gazetë, i kishte marrë nga gazeta serbe “Radniçke Novine”, duke përshkruar djegiet dhe barbaritë që kishin bërë ndaj fshatrave shqiptare midis Tetovës e Prizrenit. Ajo, veç të tjerash, shkruan: “Nër të gjitha këto katunde shqyptare kjene mbytun të gjithë njerëzit, e deri te qejt e pulat”.

Në të gjitha viset shqiptare ku këto gazeta merrnin informacionet e tyre nga banorët e vendorët, shprehnin dhembjen e tyre, sa do që ardhja deri të informacioni nuk ishte e lehtë për rrethanat teknike të kohës kur ato mbuluan gjithë hapësirat shqiptare. Për rajonin e Maqedonisë së sotme të dhëna më të shumta hasim tek gazeta “Liri e Shqipërisë” e datës 12 tetor 1913. Në dy artikuj të kësaj gazete përshkruhen në detaje masakrat dhe tmerret që i përjetoi krahina e Dibrës dhe Manastiri me rrethinat e tyre. Për Manastirin me rrethinë kjo gazetë, përveç të tjerash, raporton se si serbët dogjën katundet dhe masakruan popullsinë e këtyre anëve, si i ndanë e fëmijët nga nënat e tyre etj. Ndërkaq në Dibër raportohet edhe për masakrimin e figurave fetare islame dhe jorastësisht kishte ndodhur kjo kur dihet se Dibra dhe figurat fetare islame të kësaj krahinë kishin qenë gjithmonë pararoje e interesave kombëtare në çdo lëvizje me karakter kombëtarë.

Duhet thënë se shtypi shqiptarë i asaj kohe, pikërisht për arsyen që u tha më sipër, gjithmonë me theks të veçantë kishte raportuar për masakrimin e figurave fetare shqiptare të të gjitha komuniteteve. Me një shqetësim të madh shtypi shqiptar i kohës kishte ngritur zërin për vrasjen në Kosovë nga ushtritë serbo malazeze edhe të priftit At Luigj Palaj etj.

Përfundimi

Nga materialet e shfletuara mund të thuhet se shtypi shqiptar i viteve 1912-1913 bëri një prezantim dhe paraqiti, për aq sa lejonin mundësitë politike dhe teknike të kohës, në mënyrën më të mirë të mundshme, gjendjen e popullit shqiptarë pas largimit të Perandorisë Osmane dhe tmerret që i përjetoi kjo popullatë nga ushtritë e Aleancës Ballkanike.

Të dhënat që i jep shtypi shqiptar i këtyre viteve për masakrat në trevat shqiptare dhe më gjerë, sado që nuk merren si burime të dorës së parë, ndihmojnë që të kemi një pasqyrë sa më të mirë të asaj që ka ndodhur në këto vite dhe në këto hapësira. Po ashtu, këto të dhëna, krahas dokumenteve të kohës e traditës gojore, ndihmojnë për ndriçimin sa më të mirë të gjithë atyre vrasjeve, masakrimeve dhe shkatërrimeve që kishin bërë ushtritë në fjalë.

Një mendim të asaj se çfarë po ndodhte në trojet shqiptare gjatë viteve 1912-1913 e ka dhënë edhe humanistja e njohur dhe mikja e madhe e popullit shqiptarë, znj Edith Durham, e cila me pak fjalë e prezanton panoramën e njerëzve të këtyre trevave, konkretisht vuajtjet e tyre në këto troje dhe pasojat e ardhjes së ushtrive ballkanike në këto vende. Janë këto fjalë jo të një udhëtareje të zakonshme, por të një dëshmitare të drejtpërdrejtë dhe njohëse të mirë të rrethanave ndërkombëtare të kohës dhe të asaj çfarë po ndodhte me popullatën e pambrojtur të këtyre trojeve, e cila ndër të tjera shkruante: “Tani që serbët erdhën në Ohër dhe grekët në Korçë, fillova ta ndjeja veten fajtore pse dikur kisha uruar që turku të largohej nga Europa. Sa ishte turku aty, shpresat nuk ishin shuar. Ndërsa këta pushtues “të krishterë” ishin njëqind herë më të këqij” (Edith Durham, Brenga e Ballkanit dhe vepra të tjera për Shqipërinë dhe shqiptarët, (ribotim) SHB “Naum Veqilharxhi”, Tiranë, 1998, f. 394).