` . Shqiptarët në vitin 2050-të – “Qendra e Civilizimeve” – TV-SHENJA

Shqiptarët në vitin 2050-të – “Qendra e Civilizimeve”

Në botën multipolare qendrat civilizuese luftojnë për protagonizëm, janë në rivalitet. Ata kanë nevojë për bashkëveprim dhe bashkëjetesë. Vendtakimi i vetëm ku civilizimet mund jo vetëm të tolerohen dhe të bashkëjetojnë, por edhe të ndërveprojnë, janë shqiptarët.

Shkruan: Rizvan SULEJMANI, Shkup

Parashikimi i së ardhmes është një dhunti që shumë pak njerëz e kanë. Jo vetëm sot, por gjatë tërë historisë së njerëzimit. Jorastësisht ata që janë marrë me parashikimin e së ardhmes në të kaluarën janë parë si profetë, kurse ata që kanë ofruar rrugë si të arrihet atje, janë quajtur misionarë. Kjo, për arsye se, e ardhmja është fotografi jo e plotë, zakonisht e turbullt, ku mund të shihen vetëm ca pjesë të mozaikut. Vetëm ata që kanë një intuitë të zhvilluar dhe aftësinë e bashkimit të këtyre copëzave, janë të suksesshëm në krijimin e një fotografie më të përafërt për të ardhmen. Në kohë të fundit kjo bëhet edhe më e paparashikueshme për shkak të dinamikës së ngjarjeve, veçanërisht zbulimeve të reja, që në mënyrë direke ose indireke ndikojnë në atë si do të duket e ardhmja. Krijimi i raporteve të ndërvarësisë reciproke të më tepër faktorëve ndikojnë gjithashtu se ku do të jetë një popull pas një periudhe kohore.

Megjithatë, shtetet dhe shoqëritë serioze kanë ngritur metodologji dhe instrumente, përmes të cilave mundohen ta parashohin të ardhmen, duke marrë për bazë më tepër tregues, si: ekonomikë, socialë, demografikë, tekniko teknologjikë, por edhe kulturologjikë dhe ato të filozofisë politike. Kohëve të fundit janë zhvilluar edhe softuerë të fuqishëm për përpunimin e më tepër indikatorëve, kjo sa u përket kaheve të mundshme të zhvillimit, por edhe rreziqeve dhe momenteve të paparashikueshme që mund të paraqiten në të ardhmen. Por, përskaj shumë instrumenteve që janë ngritur për këtë qëllim, faktorë themelorë se si do të duket e nesërmja, megjithatë, është faktori njeri. Natyra specifike e njeriut është ajo që shumë parashikime i vendos në pikëpyetje dhe saktësinë e shkencave politike e bën të dyshimtë. Për këtë arsye do të mundohemi paksa ta shtjellojmë fenomenin njeri, para se të kalojmë në pyetjen kryesore se ku do të jenë shqiptarët pas tridhjetë viteve.

Speciet e tjera, përveç njeriut, janë adaptuar në kushtet ekologjike që ua mundëson një “jetë të përhershme”, andaj edhe nuk merren me ndryshimin as të ambientit dhe as të vetvetes. Ndërkaq, njeriu vazhdon të kërkojë një ambient që i mundëson të ndjehet i qetë dhe i sigurt për të bërë një “jetë të përhershme shtazarake”, andaj angazhohet për ndryshimin e ambientit, por edhe të vetes. Ky ndryshim permanent i qenies njerëzore e bën të pakrahasueshëm një njeri të para 50 vjetëve dhe jo më një të para 500 vjetëve me një njeri të sotëm, e aq më pak me një njeri që do të lind pas 50 vjetëve. Si rezultat i këtij realiteti, parashikimi për të ardhmen bëhet tejet diskutabil. Mbi këto parametra do të mundohemi ta japim pikëpamjen tonë në disa skenarë të mundshëm për ardhmërinë e shqiptarëve në dy-tre dekadat e ardhshme.

Pikësëpari, që të japësh përgjigje në pyetjen se cila është e ardhmja e shqiptarëve në vitin 2050 apo ku do të jenë shqiptarët atëherë, duhet ta dimë ku duan të jenë ata. Vetëm pasi ta kemi definuar destinacionin e fundit, mund ta dimë se ku jemi sot dhe ku do të jemi pas tridhjetë viteve. Që të matemi, duhet ta dimë rrugën që e kemi përcaktuar ta ecim, gjegjësisht se si do të arrijmë atje. Përgjigjja në pyetjen e parë zakonisht kërkohet nga ata që ofrojnë vizion për të ardhmen, kurse përgjigje për pyetjen e dytë duhet të jepet nga ata që duhet ecur rrugën për të arritur atje.

Mendimi im është se shqiptarët nuk kanë përgjigje në këto dy pyetje. Ata e kanë pranuar rolin e robit që kërkon fat në gjirin e popujve të tjerë dhe jo të një populli të lirë që e vendos vetë cakun ku dëshiron të arrijë. Për ta bërë dallimin ndërmjet njeriut (popullit) rob dhe njeriut /(popullit të lirë) duhet që në rrafsh individual ta bëjmë dallimin se çka është, apriori, e determinuar nga fuqia mbinatyrore, Zoti, apo edhe nga rrethanat objektive, në të cilat jetojmë dhe se si unë, me vullnetin tim të lirë, mund të zgjedh të jem apo të mos jem pre e një vendimi apriori të përcaktuar nga rrethanat që nuk mund t’i ndërrojë. Në rrafshin kolektiv, si popull, nëse këtë e thjeshtojmë, duhet të bëjmë dallimin se cila pozitë na është caktuar nga faktorët e jashtëm, Bashkimi Evropian, SHBA-të dhe forcat tjera regjionale e globale, apriori, dhe se si ne, me veprimet tona, e përcaktojmë pozitën tonë. Shumë njerëz, mossuksesin e tyre, e arsyetojnë me thënien “ky është vullnet i Zotit”, kurse politikanët tanë paaftësinë e tyre e arsyetojnë me fjalët: “Kështu na kërkojnë fuqitë e mëdha, Amerika dhe BE-ja”. Ky është pozicioni më i ulët që mund të ketë qenia njerëzore ose edhe një komunitet, kur lirinë e mundimshme dhe me dhimbje e bën pazar për robërinë e qetë dhe të mërzitshme, gjegjësisht kur pajtohet me përjetësinë në vend që të kërkojë “pavdekësi”. Ky pozicion është karakteristikë e botës shtazore dhe qenieve të tjera më të ulëta, që jetojnë me cikle të njëjta të mbijetesës biologjike: lindje, rritje, shumim, plakje dhe vdekje. Njeriu, për dallim prej tyre, është qenie intelektibile, me arsye, i cili ka dinjitet dhe nuk punon vetëm për mbijetesë, por edhe vepron për ta arritur “pavdekësinë”. Prandaj, tek ai ciklet kanë një progres drejtvizor, që më së lehti shihet nga ndryshimi i ambientit, krijimi i kushteve për mirëqenie dhe jetëgjatësi, kjo për arsye se, përderisa tek speciet më të ulëta zhvillohet instinkti i mbijetesës për llogari të kufizimit të arsyes, te njeriu ndodhë e kundërta – lëshohet instinkti i mbijetesës për t’i lënë hapësirë arsyes dhe lirisë.

Fatkeqësisht, shqiptarët shumë më tepër kanë kërkuar fat tek të tjerët, për të garantuar mbijetesën biologjike, por jo edhe lirinë që do t’u garantonte progres, “pavdekësi”. Kam përshtypjen se kjo filozofi na ka ndjekur pothuajse gjatë tërë historisë. Kemi kërkuar fat në Perandorinë Romake, në Perandorinë e Bizantit, në Perandorinë Osmane, kemi kërkuar fat në Bashkimin Sovjetik dhe, së fundi, në Bashkimin Evropian. Me një fjalë, me vetëdije ose jo, jemi bërë rob të “zotave” që dominojnë me një fuqi ideologjike ose ekonomike e ushtarake, sa të sajuar, aq edhe reale. Por, asnjëherë nuk e kemi kërkuar lirinë, që të vendosim në mënyrë autonome dhe pa u mbështetur vetëm në këto “zota” të tokës. Për momentin, ideja e bashkimit të shqiptarëve dhe, në përgjithësi, e ardhmja e tyre është lidhur me fatin e BE-së dhe Amerikës mbi ideologjinë e demokracisë liberale. Asnjëherë nuk e kemi shtruar pyetjen se ku dua “unë”/“ne” të jem/jemi me vullnetin e lirë, pa marrë parasysh se çfarë pozicioni do të na përcaktojnë të tjerët. Kjo nuk do të thotë se duhet injoruar faktorët jashtë nesh, që kanë ndikim mbi ne. Përkundrazi, gjithmonë duhet pasur parasysh ata faktorë që kanë ndikim mbi ne, por pa u bërë rob i fuqisë ideologjike ose edhe ekonomike e ushtarake të tyre. Pasi ta kemi definuar se ku duam të jemi, duke kalkuluar paraprakisht rrethanat jashtë nesh, por duke e vlerësuar realisht se cilat janë anët negative e pozitive që i kemi, si dhe mundësitë dhe pengesat që mund të na paraqiten, t’u japim përgjigje pyetjeve: Ku duam të jemi?; dhe Si do të arrimë atje?

Duke u nisur nga kjo situatë faktike dhe duke mos parë në horizont një vizion, që ka përcaktuar një qëllim të qartë se ku duam të arrijmë dhe si do të arrijmë, parashikimi im, bazuar më shumë në një vlerësim racional të rrethanave jashtë nesh dhe më pak brenda vullnetit tonë, me pak intuitë do të mundohem të jap disa skenarë të mundshëm për të ardhmen e shqiptarëve.

Skenari i parë: Tendenca për integrim mund të mbarojë në getoizim, me çka gjykimi dhe veprimi racional i individit dhe bashkësisë mund të pësojë në llogari të instinktit të mbijetesës individuale dhe në vend të një veprimi të përbashkët kombëtar mund të dominojë instinkti i kopesë, ashtu që nga një “jetë njerëzore” mund të degradojmë në “jetë shtazore”.

Skenari i dytë: Procesi i integrimit mund të devijojë në dezintegrim. Në vend të evropeizmit mund të kemi siriizim dhe nga një shoqëri që krijon mundësi për realizim të çdonjërit, mund të kalojmë në gjendje lufte, ku do ta hamë njëri-tjetrin deri në asgjësim.

Skenari i tretë: Para integrimit të punojmë për unifikim, nga toleranca të kalojmë në bashkëveprim, nga një shoqëri me shumë mundësi për zgjedhje, por pa mundësi për zgjidhje të mirë, të kalojmë në një komb që i ofrohen alternativa dhe mundësia për zgjidhje të mirë dhe nga periferia të shndërrohemi në qendër.

Të mundohemi paksa t’i analizojmë këto skenarë. Skenari i parë – kalimi nga integrimi në getoizim është më real në plan afatmesëm, kjo nëse shqiptarët vazhdojnë ta ruajnë status quo-në ekzistuese, që nënkupton që gjithë ardhmërinë ta projektojnë në proceset integruese, pa i shtruar pyetjet se ku duam të jemi? dhe si do të arrimë atje?, kjo për arsye se procesi i integrimit të regjionit dhe, veçanërisht, i shqiptarëve, ku janë bazuar pritshmëritë për të ardhmen, në dhjetë vitet e ardhshme pothuajse është i pamundur. Nga ana tjetër, Perëndimi, shtetet e Evropës, do të vazhdojnë zhvillimin e tyre me një dinamikë serioze, por edhe deficiti demografik do të thellohet. Për shkak se opinioni publik kundër njerëzve të “botës së zezë” do të vazhdoj të rritet, i vetmi rezervuar nga mund ta kompensojnë nevojën për forcë punëtore të re dhe ambicioze është regjioni jonë. Ikja e trurit shqiptar do të ndikojë negativisht në përthithjen e investimeve që duhet të jenë në funksion të ngritjes së teknologjisë së lartë, ku krijohen fitime dhe të ardhura më të mëdha. Me këtë kapaciteti konkurrues viz a vi popujve të tjerë përreth do të bie, kurse jeta në një ambient ku nuk mund të krijohen vlera shtesë degjeneron. Njerëzit fillojnë do të ambientohen dhe ta pranojnë këtë si fat në vend se të kërkojnë mënyrë se si të lirohen nga një gjendje e tillë. Kjo situatë do të ishte mbajtur për shkak se vendet e pasura të Evropës do të kishin dashur qetësi në kufijtë e jashtëm të tyre dhe do të kishin ndarë fonde për të paguar sa për mbijetesë, me qëllim që të blejnë lojalitet dhe vet të promovohen si mbrojtës të tyre. Në këtë mënyrë shqiptarët, në vend të integrimit, do të përfundonin në getoizim, ku mbijetesa është e garantuar, por jo edhe “pavdekësia kolektive”. Nëse nuk ke progres, por jeton vetëm me cikle biologjike, gradualisht, por me siguri, kalohet nga një “jetë njerëzore në progres” në një “jetë shtazarake drejtvizore”. Me këtë, dashuria për kombin dhe shtetin, si institucione që garantojnë jetë të mirë, zhvlerësohet dhe në vend të interesit kombëtar e shtetërorë do të vijë në shprehje instinkti i kopesë. Situata, madje, mund të devijojë dhe të transformohet, pasi supozimet janë se për dhjetë vjetët e ardhshme inteligjenca artificiale do të avancojë, me çka nevoja për disa profile do të zvogëlohet, kurse demografia edhe te shqiptarët do të pësojë. Boshllëku që do të krijohet këtu do të mund të mbushet me prurje të reja nga kontinenti i Afrikës dhe Azisë, me çka gjendja mund të avancojë në një stad tjetër, deri në fërkime ndëretnike dhe ndërfetare. Në këtë fazë, nga ky skenar mund të kalohet edhe në skenarin e dytë, që do ta zhvillojmë në vazhdim, por nuk përjashtohet mundësia të krijohen parakushte edhe për skenarin e tretë. Në një fazë dhe në rrethana të caktuara, mund të ketë përafrim me BE-në, por jo si anëtarë të plotfuqishëm, por si pararojë e saj ose fortifikatë mbrojtëse.

Skenari i dytë mund të zhvillohet edhe si një fazë më e vonshme e skenarit të parë, por edhe më herët – nëse, prapë, procesi i integrimit vonohet dhe, posaçërisht, nëse shqiptarët nuk e kuptojnë se qendra të reja të vendosjes me pretendime hegjemone janë në ngritje e sipër. Rreziku për një skenar të tillë mund të rritet nëse qendrat e vendosjes, që kanë pretendime për ndikim në këtë regjion, paraprakisht nuk merren vesh dhe të vendosin që ndikimin e tyre ta shtrojnë me marrëveshje dhe me metoda konvencionale. Kur përmendi forcat hegjemone, kamë parasysh SHBA-të, më tepër Gjermaninë, Rusinë dhe Turqinë, por bile edhe Kinën. Këto forca, para integrimit, duhet të kenë qëndrim unik se cili do të jetë pozicioni i shqiptarëve në regjion, si dhe si do të rregullohen raportet e shqiptarëve me serbët (jo vetëm Kosovës dhe Serbisë), por edhe rreth ndikimit që do të kenë në Bosnjë, Maqedoni dhe Mal të Zi. Bosnja dhe Kosova nuk janë storje të mbyllura dhe as Maqedonia nuk mund të llogaritet si e tillë, pra edhe përskaj përpjekjeve që të dalë në një terren më të sigurt me referendumin dhe anëtarësimin në NATO. Nëse shqiptarët përfshihen në këtë përplasje të fuqive që kërkojnë të kenë ndikim, e që kanë prefiks fetar, atëherë procesi evropianizimit mund të eskalojë në siriizim. Kjo mund të ndodhë lehtë nëse ata nuk gjejnë një përgjigje, një formulë, për kombin në rrethana të reja të globalizimit, që jo detyrimisht përputhet me mitin e ndërtuar me vite se “lindja e shqiptarëve është perëndimi”. Në këtë situatë duket se krijohen më tepër mundësi për zgjedhje, por pa mundësi për zgjidhje të mirë. Atëherë është e mundur lehtë që nga një gjendje shoqërore të kalohet në një gjendje lufte, ku “njeriu për njeriun është ujk”. Është ky një siriizim i Ballkanit dhe, veçanërisht, i shqiptarëve.

Që të mund t’u iket dy skenarëve paraprakë dhe të kalohet në të tretin, shqiptarët duhet ta kuptojnë këtë: ata duhet të mbarojnë me filozofinë e robit, ku fatin ua kanë dorëzuar “zotërove të tokës”, fuqive të mëdha dhe atë ta marrin në duar të veta, që do të jetë shumë e vështir dhe shumë e mundimshme. Shqiptarët duhet ta kuptojnë se nuk mund të ketë ëndërr evropiane, amerikane ose turke e kineze, por vetëm ëndërr shqiptare. Duhet ta dinë se nuk ka patriotizëm evropian, amerikan, turke e kinez, por vetëm patriotizëm shqiptar. Me Evropën dhe Perëndimi ndajmë vetëm vlera të përbashkëta, si edhe me civilizimet tjera, por ajo nuk nënkupton se mund të jemi patriotë evropian. Ëndrra shqiptare nënkupton të kesh qëllim se ku dëshiron të jesh në vitin 2050-të dhe pastaj të ëndërrosh si të arrish atje. Atë ëndërr nuk mund ta kenë shqiptarët e shpërndarë në pesë shtete edhe sikur të integrohen në BE e ku më në këtë gjendje që janë. Vizioni që shpesh shihet edhe si iluzion duhet të jetë një për të gjithë, që ta mobilizojë potencialin e fjetur, të çorientuar e kaotik dhe ta orientojnë në një drejtim, në një qëllim. Bindja se ajo ëndërr mund të jetë integrimi në Bashkimin Evropian është e rrejshme, temporale, tejet racionale, që nuk ngjall emocione për t’i mobilizuar masat, posaçërisht jo sot, kur kjo organizatë përjeton krizë të thellë identiteti dhe shfaq tendenca të dezintegrimit. Fundja, historia dëshmon se shqiptarët aktualizohen në formën e tyre autentike dhe krijojnë alternativë për të ardhmen e tyre, në momente krize, pasigurie, kur e humbin lostin e mbështetjes. Kjo zakonisht ndodhë kur prishen ekuilibrat Lindje-Perëndim. Vetëm të përkujtojmë: mendohet se ilirishtja e vjetër, si paraardhëse e shqipes së sotme, lidhet me shekullin IV, më saktë me vitin 395 kur Perandoria Romake ndahet në atë Lindore, me kryeqytet Konstatinopojën, dhe në atë Perëndimore me kryeqytet Romën. Shteti i Arbërit lindi në kohën e ndarjes së Kishës Katolike me Kryepeshkopatën e Konstatinopojës dhe papatin e Romës në vitin 1054. Rilindja shqiptare, që kulmoi me Lidhjen e Prizrenit, lidhet me Luftën e Krimesë, kur u prishën balancat ndërmjet Perandorisë Osmane dhe asaj Austro-Hungareze. Shteti shqiptar u krijua pas luftërave ballkanike dhe pas Luftës së Parë Botërore, kur u rrënuan perandoritë dhe lindën fuqi të reja botërore. Pavarësia e Kosovës ndodhi pas mbarimit të botës bipolare, me rënien e Murit të Berlinit në vitin 1989, kur u prishën ekuilibrat Lindje Perëndim për t’i lënë vend botës unipolaretë SHBA-së. Në vitin 2014 ndodhi Krimeja e Dytë, me okupimin e saj nga Rusia. Kjo e shënon fundin e botës unipolare, për t’i lënë hapësirë asaj multipolare. Kjo do të thotë se sërish kemi prishje të balancave, sërish shqetësime, sërish pasiguri. Andaj shqiptarët kanë nevojë për një ëndërr të re, për mobilizim, për t’u aktualizuar dhe për ta avancuar pozitën e tyre konform këtij realiteti të ri.

Në botën multipolare qendrat civilizuese luftojnë për protagonizëm, janë në rivalitet. Ata kanë nevojë për bashkëveprim dhe bashkëjetesë. Vendtakimi i vetëm ku civilizimet mund jo vetëm të tolerohen dhe të bashkëjetojnë, por edhe të ndërveprojnë, janë shqiptarët. Ëndrra e shqiptarëve në kohën e globalizimit dhe botës multipolare duhet të jetë “Ne jemi Qendra”, “Qendra e Civilizimeve”, “Të gjitha rrugët shpien kah ne”. Pse? Sepse shqiptarët nuk mund ta ndërrojnë as gjeografinë, as historinë dhe as proceset globale, por ata mund t’i interpretojnë në favor të tyre. Të gjitha të dhënat tregojnë se Perëndimi dhe Lindja duhet të afrohen dhe jo të ndahen. Pikëtakimi i tyre janë shqiptarët. Kjo duhet shfrytëzuar. Nga fundi i Lindjes ose nga fillimi i Perëndimit, të kalojmë në qendër. Për këtë nevojitet një strategji dhe filozofi e re për kombin, globalist. Kjo do të thotë se duhet ta braktisim filozofinë e robit, që kërkon lost për t’u mbështetur në llogari të lirisë për të qëndruar në këmbët tona. Unë dua që shqiptarët në vitin 2050-të të jenë “Qendra”, “Qendra e Civilizimeve”.