` . Shqiptarët duhet të bëhen me vetveten – TV SHENJA

Shqiptarët duhet të bëhen me vetveten

“Shqiptarët para se t’ia mbajnë kudo tjetër apo me këdo tjetër, duhet të bëhen me vetveten, pra të bashkohen. Asnjë aleancë apo partneritet, asnjë organizëm a mekanizëm ndërkombëtar, nuk mund të shërbejë si zëvendësim për bashkimin kombëtar. Vetëm dhe vetëm nga lartësia e këtij synimi e qëndrimi merren orientime të drejta e vendime të duhura. Taktikat para strategjive dhe strategjitë bashkë me taktikat para vlerave dhe interesave do të jenë kundërproduktive. Sami Frashëri me veprën e tij “Shqipëria, çka qenë, ç’është e çdo të bëhet” (1899) vazhdon të jetë udhërrëfyes edhe i mirë e i vërtetë, edhe i drejtë e i dobishëm.”, thotë Kurti.

Intervistoi: Latif Mustafa

Albin Kurtin doemos është ndër figurat politike më të rëndësishme që i kanë shqiptarët në skenë dhe atë jo vetëm në Kosovë. Për shumëkënd ai është radikal dhe ekstremist, disa e akuzojnë edhe më rëndë, por ai është ndër politikanët e paktë shqiptarë që qëndrimet e tij politike i ka thellë të mbështetura dhe përligjura edhe me teori politike dhe argumente filozofike e logjike, ashtu që – si i tillë – nuk i lë indiferent as kundërshtarët më të mëdhenj politikë. Kësaj radhe për revistën Shenja flet shtruar e pa doreza për zhvillimet në Europë pas BREXIT-it, por edhe për implikimet e këtij procesi në Ballkan, e veçmas te shqiptarët.

SHENJA: I nderuar z. Kurti, të fillojmë me një ngjarje të freskët, me rastin e përvjetorit të masakrës së Serbrenicës. Prezenca e juaj për të nderuar viktimat e masakrës së Serbrenicës, në përgjithësi, është vlerësuar lart nga opinioni. Çfarë nënkupton për ju Serbrenica, një masakër e kryer para syve të ushtarëve ndërkombëtarë, dhe – në kontekst – cilat janë paralelet me Kosovën apo, edhe ndryshe, a po bosnjëzohet edhe Kosova nga hegjemonia serbe!?

  1. KURTI: Srebrenica paraqet krimin më të madh dhe më të tmerrshëm në Evropë që prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. 8.327 boshnjakë (numër ky i pranuar nga serbët në Bosnje) u vranë masivisht në fare pak ditë. Serbia me forcat e saj zyrtare dhe ato vullnetare kreu gjenocid përgjatë bregut të majtë të lumit Drina për t’i shfarosur boshnjakët në atë territor. Me ftesën e Lëvizjes së Nënave të Srebrenicës dhe Zhepës, të udhëhequr nga kryetarja znj. Munira Subashiq, dhe të Shoqatës së Viktimave dhe Dëshmitarëve të Gjenocidit të udhëhequr nga kryetari z.Murat Tahiroviq, unë shkova në Srebrenicë për të shprehur solidaritetin me familjet e të vrarëve. Atje dihet botërisht e vërteta por mungon dëshpërueshëm drejtësia. Brenda Bosnjës ndodhet një Serbi e vogël, e realizuar nga serbomëdhenjtë. Srebrenica e pushtuar dikur, sot është një varrezë e okupuar.

Ndër shkaqet kryesore të ndërhyrjes së NATO-s me bombardime kundër Jugosllavisë së mbetur në vitin 1999, ishte frika nga mundësia e përsëritjes së Srebrenicës në Kosovë. Në atë vit, me 15 janar, forcat policore e ushtarake të Serbisë kryen masakrën e Reçakut duke vrarë mizorisht 45 shqiptarë. Dy muaj më vonë, saktësisht me 24 mars 1999, sulmohen caqet e para të forcave të Serbisë. E mbaj mend mirë që në mediet ndërkombëtare Srebrenica është përmendur vazhdimisht para e gjatë bombardimeve të NATO-s. Faktorët ndërkombëtarë, që nuk kishin ndërmarrë asgjë për ta ndaluar masakrën në Srebrenicë, katër vjet pas saj duhej ta parandalonin rishfaqjen e saj në Kosovë.

Bosnja e luftës megjithatë nuk arriti të na përsëritej në Kosovë. Ironikisht, më shumë se dy dekada pas Konferencës dhe Marrëveshjes së Daytonit, ne rrezikojmë të na përsëritet Bosnja e paqes, e cila nuk është më pak famëkeqe sesa ajo e luftës. Serbia e Vuçiqit, porsi ajo e Millosheviqit, e do një tjetër Republikë Serbe në Ballkan, kësaj radhe brenda Kosovës. Edhe mënyra është e përsëritur përveçse qëllimit. Më 26 prill 1991 në Bosnje formohet Asociacioni i 14 komunave me shumicë serbe i cili më 9 janar 1992 shpall pavarësinë ndërsa më 28 shkurt 1992 pajiset me kushtetutë. Në Kosovë tash Serbia e do një Asociacion të 10 komunave me shumicë serbe! Ajo që do të pasonte është histori…

SHENJA:  I ashtuquajturi procesi i BREXIT-it, referendumit për dalje apo qëndrim të Britanisë nga BE-ja, rezultoi me përgjigje pozitive për dalje të Britanisë nga BE-ja. Çfarë qasje do të kenë shqiptarët pas këtij momenti përballë BE-së. Më saktë, kur “vija e Teodosit po shfaqet”, kah do të duhej t’ia mbajnë shqiptarët?

  1. KURTI: Së pari, BE-ja nuk do të zgjerohet më tutje edhe për një kohë më të gjatë sesa që e kishin menduar realistët e të mos flasim për atë që e thoshin optimistët. Së dyti, po dëshmohet kthimi i fuqishëm i shtetit dhe kombit si nocione qendrore në skenën dhe arenën evropiane e ndërkombëtare. Së treti, BE-ja e nisur pas fitores mbi fashizmin nuk mbijeton dot me paqe pa anti-fashizëm: prej Le Penit në Francë te partia “Finlandezët e Vërtetë”, prej “Agimit të Artë” në Greqi te UKIP në Britani, të gjitha këto janë pasojë e paqes pa anti-fashizëm. Së katërti, BE-ja si një kullë e fildishtë me mbishkrimin “Masat e Shkurtimit” te porta e saj e rëndë do ta gërryejë solidaritetin shoqëror, i cili është parakusht për jetë të gjatë e të shëndetshme të popujve. E, megjithëkëto, nuk është e thënë se BE-ja pashmangshëm do të shpërbëhet. Mirëpo, ajo kurrë s’ka qenë më e rrezikuar se tash dhe gjithsesi ka nevojë për transformime progresive për të shpëtuar e për të fituar njëkohësisht.

Shqiptarët para se t’ia mbajnë kudo tjetër apo me këdo tjetër, duhet të bëhen me vetveten, pra të bashkohen. Asnjë aleancë apo partneritet, asnjë organizëm a mekanizëm ndërkombëtar, nuk mund të shërbejë si zëvendësim për bashkimin kombëtar. Vetëm dhe vetëm nga lartësia e këtij synimi e qëndrimi merren orientime të drejta e vendime të duhura. Taktikat para strategjive dhe strategjitë bashkë me taktikat para vlerave dhe interesave do të jenë kundërproduktive. Sami Frashëri me veprën e tij “Shqipëria, çka qenë, ç’është e çdo të bëhet” (1899) vazhdon të jetë udhërrëfyes edhe i mirë e i vërtetë, edhe i drejtë e i dobishëm.

SHENJA:  Ngjarja BREXIT a nënkupton fuqizimin edhe më tepër të Gjermanisë dhe SHBA-ve në Ballkan (së fundmi Gjermania i dhuroi Serbisë 1.6 miliardë euro siç e dini)? Në këtë kontekst, a do të përpiqen shqiptarët të krijojnë aleanca të reja dhe të gjejnë partnerë të rinj dhe mbi çfarë kriteresh do të ridefinohen interesat shtetërore dhe kombëtare të shqiptarëve?

  1. KURTI: Në një BE veçse kontinentale nuk ka më balance të brendshme sikurse që kishte në BE-në me Britaninë e Madhe brenda. Tash, te BE-ja si ndërtesë, Gjermania është shtylla kryesore; te BE-ja si makinë, Gjermania është motori. Mirëpo, ajo që duket si shkak ndoshta është më parë pasojë. Nuk mund të thuhet, thjesht, se dalja e Britanisë së Madhe nga BE-ja po e bën Gjermaninë dominuese pa e kuptuar që një Gjermani gjithnjë e më dominuese mbase e bëri Britaninë gjithnjë e më të paaftë për të qenë balancuese. Menjëherë pas rënies së Murit të Berlinit, Ukshin Hoti pati paralajmëruar se nga evropeizimi i Gjermanisë do të kalojmë te gjermanizimi i Evropës. Fuqia ekonomike e Gjermanisë, e cila përfshin edhe prodhimin e mjeteve të prodhimit e dikton një gjë të tillë. Gjermania s’mund të ketë konkurrencë brenda BE-së, por nëpërmjet BE-së ajo mund të rivalizojë suksesshëm me Kinën.

Në aspektin politik, çelësi i mbijetesës së BE-së besoj se ndodhet te Partia Socialiste në Francë. I ashtuquajturi boshti franko-gjerman, gjithsesi më shumë politik sesa ekonomik, varet si asnjëherë më parë nga zgjedhjet presidenciale në vitin e ardhshëm. Po qe se fiton Le Pen, atëherë minimalisht pritet që Franca ta braktisë euron si valutë. Berlini optimist për shtëpinë e përbashkët evropiane do të bëhet i pafuqishëm karshi pesimizmit të Parisit. Nëse socialistët francezë nuk fitojnë, por detyrohen ta votojnë në raundin e dytë Sarkozyn ose dikë të ngjashëm nga të djathtët për ta parandaluar Le Penin, atëherë në planin afatmesëm ose do të krijohet ndonjë Syriza franceze ose në krye të Partisë Socialiste pas Holland do të vjen ndonjë Corbyn francez.

Në anën tjetër, më parë sesa dilema se cili kandidat, Clinton apo Trump, do të fitojë në zgjedhjet e të martës së parë të nëntorit sivjet në SHBA, shtimi i qartë i luftërave nëpër botë i rikthen SHBA-të (shpesh si NATO) dhe NATO-n (dukshëm si ShBA) në gjeopolitikat dhe krizat rajonale e globale.

Shqiptarët nuk kanë nevojë dhe nuk duhet ta braktisin idenë dhe politikat për integrim e anëtarësim në BE. Por as të jenë naivë e të besojnë në iluzione e të shpresojnë për mrekulli. BE-ja ndodhet në krizë të thellë kurse re të zeza në Ballkan po shfaqen sërish. Me bashkimin kombëtar duhet t’i ndihmojmë e shërbejmë edhe Bashkimit Evropian. Me idenë dhe procesin e Bashkimit Evropian duhet ta fuqizojmë veten tonë pa inate për të tjerët. Sa u përket shteteve të veçanta, ne duhet të bashkëpunojmë më së shumti me ato shtete të cilat na përkrahin e ndihmojnë më së shumti për bashkimin tonë kombëtar.

SHENJA: Në rast se referendumi në Britani nuk respektohet ose bishtnohet për t’u realizuar, siç kemi rastin edhe me referendumin e Greqisë, a do të thotë kjo se po futemi në një fazë ku nuk respektohen vullnetet popullore, por ato kontrollohen nga korporatat ekonomike?

  1. KURTI: Nga fizika e dimë se energjia varet shumë më tepër nga shpejtësia sesa nga masa. Referendumi ka shumë masë, por pak shpejtësi, andaj energjia e tillë është bërë e tejkalueshme në këtë botë të sunduar nga ekonomia e sunduar nga financat. Votimet shumëmilionëshe nëpër referendume gjithëpopullore janë të ngadalshme për transaksionet shumëmiliardëshe në financat e korporatave.

Vetëm një vit pasi që ish presidenti amerikan Richard Nixon merr vendimin që dollari të mos jetë më i konvertueshëm në ar dhe kësisoj t’i jap fund sistemit të Bretton Woods-it, pra qysh në vitin 1972, ekonomisti James Tobin pat propozuar taksën në shkëmbime të huaja të transaksionit, që figurativisht do të thotë që nëpër rrotat e financave të shpenguara të hidhet ca rërë për t’i ngadalësuar ato dhe për t’i vështirësuar spekulimet. Synim të ngjashëm kishte akti Glass-Steagall, për t’i ndarë bankat investive nga ato komerciale, e i cili përfundimisht u shfuqizua nga Alan Greenspan në vitin 1996, aty kah fundi i mandatit të parë të ish presidentit Bill Clinton.

Pra, pajtohem: njerëzit jo vetëm si refugjatë pa kulm mbi kokë, por edhe si qytetarë republikash demokratike e kanë tejet të vështirë në garën me paratë (e për paratë). Tregu i lirë është bërë liri e tregut. Dominimi i tregut të lirë mbi parlamentet e republikave është bërë edhe dominim mbi referendumet e popujve.

Legjislacioni i daljes së një vendi anëtar nga BE-ja nuk është i thjeshtë dhe merr kohë. Megjithatë referendumi në Britani nuk mendoj se do ta ketë fatin e referendumit në Greqi, jo vetëm pse Britania nuk është Greqi. Gjermania duket tejet e pezmatuar nga Britania për ta lutur atë që të qëndrojë edhe më tej në BE. Përkundrazi, do të thosha që votuesit e BREXIT-it sot e kanë aleat të tyre pikërisht Gjermaninë.

SHENJA:  Një shthurje eventuale e BE-së a do të mund ta vë në rrezik edhe identitetin kulturor dhe qytetërimor të kontinentit pas efekteve ekonomike dhe politike që mund të pësojë institucioni supranacional i BE-së?

  1. KURTI: Nuk u përkas atyre që besojnë se BE-në e mban bashkë identiteti i caktuar apo i posaçëm. Interesi ekonomik është më i rëndësishëm se dallimet kulturore. Në një botë multipolare ku SHBA-të janë superfuqia kryesore, por jo e vetme, edhe BE-ja natyrshëm orvatet ta ketë vendin e rolin e saj. Mirëpo, nëse për garën e jashtme ajo e vë në plan të dytë a të tretë solidaritetin e brendshëm, atëherë vijnë në pah diferencat e brendshme që i rilindin partitë e tyre politike ekstreme, e të cilat dallimet i shndërrojnë në probleme dhe problemet në kundërthënie gjithnjë e më të papajtueshme.

SHENJA:  A keni menduar ndonjëherë se, për t’i paraprirë bashkimit kombëtar, është shumë i rëndësishëm krijimi i organizatave të përbashkëta kombëtare, sidomos i atyre politike, sepse deri më tani në sektorin civil ka pasur këso lloj organizatash. Nëse marrim edhe modelin hungarez, të cilët kanë format e veta të veprimit pan-kombëtar, siç është “Forumi i të deleguarve të pellgut të Karpatit” (Poslanika iz Karpatskog Bazena) përmes të cilit i koordinojnë politikat e përbashkëta kombëtare, pse ne nuk kemi një organizatë të tillë shqiptare apo, të paktën, një vullnet për të krijuar një pararojë të tillë?

  1. KURTI: Është e vërtetë se ka një pluralizëm të partive e shoqatave për bashkim kombëtar të shqiptarëve. Në njërën anë, kjo njëmend mund të jetë dëshmi e nivelit të ultë të organizimit të tyre. Mirëpo, në anën tjetër, kjo tregon që pavarësisht qeveritarëve shqiptarë anekënd kufijve që na ndajnë padrejtësisht, e të cilët punojnë kundër bashkimit kombëtar, dëshira e shqiptarëve për bashkim mbetet aktuale dhe e fuqishme. Nuk e kemi kollaj: përderisa popujt e tjerë e aspirojnë bashkimin nëpërmjet elitave të tyre politike dhe ekonomike e shpeshherë edhe për shkak të tyre, te ne shqiptarët bashkimi aspirohet përkundër këtyre elitave! Duke mos i pasur prodhues njerëzit tanë më të pasur, por veçse tregtarë e përfaqësues të kapitalit të huaj, dhe, me arsimimin e degraduar si mos më keq, nuk mund të presim që qeveritë dhe biznesmenët të na bashkojnë. Karakteri i bashkimit të shqiptarëve do të jetë demokratik: prej poshtë-lart dhe jo prej lart-poshtë.

SHENJA:  Si e komentoni investimin e fundit të Serbisë në veri të Mitrovicës, që u përngjet kolonive izraelite në Bregun Perëndimor, kurse në anën tjetër Lugina e Preshevës është tërësisht e defaktorizuar politikisht (kujtoni rastin e fundit kur ata u shprehën të gatshëm të jenë pjesë e koalicionit të Vuçiqit), e shkërmoqur ekonomikisht dhe, normalisht, e zbrazur dhe pa asnjë lloj perspektive. Pse shtetet shqiptare, Kosova dhe Shqipëria, janë kaq neglizhente?

  1. KURTI: Serbia po synon që të bëhet e madhe, të bëhet edhe më e madhe, përmes morisë së Serbive të vogla gjithandej nëpër fqinjësi. Kryeministri serb Vuçiq nuk po e imiton vetëm Millosheviqin, por edhe Putinin. Ai do që tamam sikurse Federata Ruse t’i lansojë satelitët e vet nëpër rajon në formën e entiteteve parashtetetërore që destabilizojnë në funksion të hegjemonisë dhe ekspanzionizmit. Federata Ruse e dalë nga shpërbërja e Bashkimit Sovjetik i ngjan kokës së një oktapodi të madh që mëton t’i shtojë e forcojë tentakulet nëpër Evropë e Azi. Serbia e mbetur nga shkatërrimi i Jugosllavisë i ngjan kokës së një oktapodi të vogël, apo më mirë të themi një kuadripodi, që po ashtu forcon tentakulet e saj: Republikën Serbe në Bosnje, serbët në Mal të Zi kundër pavarësisë së këtij shteti, strukturat paralele në Kosovë drejt “Zajednicës”, regjimin pro-Beogradit të Gruevskit në Shkup dhe Kishën Ortodokse Serbe me ndikim rajonal. Ndërtimi i lagjeve për kolonët e rinj serbë midis Mitrovicës dhe Zveçanit në veri të Ibrit dhe shtypja e shfrytëzimi i shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc tregojnë që dallimi i Vuçiqit e Daçiqit prej Milosheviqit dhe Sheshelit s’është tjetër gjë, përpos iluzion në kokat e qeveritarëve në Prishtinë e Tiranë. Qeveritarët shqiptarë përgjithësisht kanë hall veten e tyre në qeveri dhe jo shtetet e tyre pa qeveri për shqiptarët. Ata janë servilë ndaj burokratëve ndërkombëtarë (që duan stabilitet afatshkurtër rajonal) dhe mizorë ndaj popullsisë shqiptare (që do bukë, strehim e vend pune). Paqja evropiane pa anti-fashizëm është leje për autokratët si Vuçiqi, Gruevski e Gjukanoviqi, stabilitetin e të cilëve dhe me të cilët mirëmbahet në kurriz të shqiptarëve të varfër. Qeveritë në Prishtinë e Tiranë janë shumë të butë e pasivë kundrejt Vuçiqit, Gruevskit e Gjukanoviqit. Mbase ato marrin ndonjë mirënjohje ndërkombëtare për durim e tolerancë mirëpo kombi shqiptar po i vuan pasojat.

SHENJA:  Në skenën politike në Maqedoni, dy vitet e fundit, kemi një freskim kualitativ politik. Hiç më larg se para disa muajve, në përvjetorin e Ditës së Evropës dhe ngjarjeve në Lagjen e Trimave në Kumanovë, u organizua protesta më e madhe në historinë e Maqedonisë, e organizuar nga shqiptarët, protestë në të cilën morët pjesë edhe ju. Çfarë mendoni, a po zgjohen shqiptarët në Maqedoni përfundimisht dhe cili mund të jetë roli i tyre në mozaikun e përgjithshëm kombëtar?

  1. KURTI: Shqiptarët në Maqedoni më dhimbsen më së shumti. Sepse ata janë 1/3 e popullsisë, Maqedonia është një shtet i kontestuar, e, megjithëkëtë, si shqiptar në Maqedoni jetohet fort keq e vështirë. Nëse nga Kosova e Shqipëria ka valë të kohëpaskohshme të shqiptarëve që emigrojnë, në Maqedoni s’ka valë të tilla, sepse emigrimi është një baticë e pambarim. Kurdo që udhëtoj në Evropë numri i shqiptarëve nga Maqedonia që më rastis të takoj është së paku po aq i madh sa i atyre nga Kosova.

Protesta e 9 majit, e mbajtur në përvjetorin e ngjarjeve në Kumanovë dhe në ditën e Evropës e të ngadhënjimit mbi fashizmin, konfirmoi që populli shqiptar në Maqedoni e do lirinë dhe barazinë, se ai edhe e kupton rëndësinë e protestës edhe nuk frikësohet nga regjmi. Protesta të tilla duhet të ketë më shpesh. Meqenëse gatishmëria e popullit është aty, kurse gjendja sa vjen e rëndohet, është përgjegjësi e organizatorëve që t’i shpeshtojnë protestat. Fundja, nga historia më e re e dimë se, nëse Serbia ka përvojë në luftëra, ne shqiptarët kemi në demonstrata e për to. Kjo është arsyeja pse opozitës në Maqedoni, shumë më kollaj seç mendohet, do të mund t’i prijnë e ta përbëjnë shqiptarët.

SHENJA:  Të flasim shkurt edhe për zhvillimet në Kosovë. Ju jeni deklaruar kundër demarkacionit dhe Zajednicës. A e ka shtuar BREXIT-i edhe më shumë argumentin tuaj se nuk vlen humbja e territoreve në këmbim të heqjes së vizave? Cilat janë hapat e mëtejme që do t’i ndiqni?

  1. KURTI: Do të reagojmë edhe më fuqishëm se në dimrin dhe pranverën e kaluar. Në kundërshtimin tonë ndaj “Zajednicës” së Serbisë dhe Demarkacionit me Malin e Zi do të jemi edhe më radikalë sesa në të shkuarën. Nuk mund ta lejojmë bosnjëzimin e Kosovës me bashkimin e komunave të Ahtisaarit, që dikur u ndanë kundër Kosovës e tash duan të lidhen kundër saj. Me “Zajednicën” e Serbisë ne e humbim shtetin e Kosovës dhe pavarësinë e Republikës. Njësoj, nuk mund ta lejojmë humbjen e 8.200 hektarëve me 75 kilometra gjatësi lumore, me bukuri natyrore, me pyje e kullosa dhe me kouta ta larta strategjike e ushtarake. Me këtë demarkacion Kosova realisht mbetet pa kufij e, kur s’ke kufij, nuk ke as territor. Beteja jonë kundër “Zajednicës” së Serbisë dhe Demarkacionit me Malin e Zi është betejë e gjeneratës sonë që përcakton edhe fatin e brezave të ardhshëm.

Po, ne sigurisht se e duam liberalizimin e vizave, por nuk mund të japim tokë të Kosovës që u la me gjakun e dëshmorëve për leje që të dalim nga Kosova. Motivi i qeverisë pse e do liberalizimin e vizave është i kundërt prej dëshirës së qytetarëve. Qytetarët duan të udhëtojnë pa viza që të mund të vizitojnë familjarët e tyre në mërgatë dhe të jenë bashkë me ta. Ndërkaq, qeveria e do liberalizimin e vizave që qytetarët të ndahen nga Kosova për të dalë jashtë vendit duke e zvogëluar asisoj pakënaqësinë me qeverinë!

SHENJA:  Është ngritur shumë pluhur rreth gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës. Cila është simbolika e këtij gazi dhe a ishit të detyruar ta përdorni edhe atë mjet?

  1. KURTI: Nuk kishim mjete të tjera efikase. Gazi lotsjellës ishte gaz i zorit. Më herët provuam me bilbila, ujë e vezë të prishura, mirëpo ata nuk ndaleshin në mësymjen e tyre për t’i zbatuar marrëveshjet për “Zajednicën” dhe Demarkacionin. Mustafa e Thaçi nënshkrimet i kishin vënë pa debat paraprak në Kuvend ani se Kosova është, sipas përkufizimit, republikë parlamentare. Dhe, qëllimisht e kishin bërë këtë në datat 25 e 26 gusht 2015, në Bruksel e në Vjenë, kur Kuvendi ishte në pushim! Ironikisht, disa bombola të gazit, që ngeleshin të pashpërthyera nga dhjetëra sosh që na i hidhte policia e Kosovës në çdo demonstratë tonën, ne i merrnim me vete në sallën e Kuvendit. Tymi i gazit nuk ishte mjegullues, por sqarues. Duke iu falënderuar gazit, u morën vesh tradhtia e krimi i nënshkrimit të “Zajednicës” e demarkacionit, u mblodhën 205.000 nënshkrime të qytetarëve në peticion, u organizuan dhjetëra tubime, manifestime e aksione publike, si dhe u mbajtën protestat më masive në Kosovën e pasluftës, ato me 9 janar e me 17 shkurt të këtij viti. Opozita e mbrojti Republikën nga Qeveria e shpëtoi shtetin nga pushteti. Gazi lotsjellës nuk ishte armë, gazi lotsjellës ishte municion në një situatë ku deputeti opozitar ishte arma e popullit kundër qeverisë.

SHENJA:  Ju ishit optimist për bashkimin e opozitës në Kosovë, por në fund dështuat. Pse ndodhi dështimi, sipas jush, dhe cili është mësimi që duhet ta marrin politikanët nga kjo tentativë?

A. KURTI: Nuk mund të them se dështuam në fund, por aty kah mesi. Kishim ende shumë rrugë për të bërë që të themi se kishim arritur te fundi. Në anën tjetër, njëmend sot nuk kemi opozitë të bashkuar dhe uniteti i saj është rrënuar, mirëpo ne kemi qenë dhe vazhdojmë të jemi të suksesshëm në parandalimin e realizimit të “Zajednicës” dhe Demarkacionit. Që prej gushtit të vitit 2015, si rezultat i aktiviteteve dhe vendosmërisë sonë, “Zajednica” dhe Demarkacioni nuk e kanë bërë asnjë hap tutje. Pra, mund të themi se ato dështuan së zbatuari. Nuk jam fare pishman për bashkëpunimin  me dy partitë e tjera në frontin tonë opozitar. Ka përfituar Kosova, por edhe Lëvizja jonë është shtuar, zgjeruar e thelluar. Mësimi, pra, është ky: le të bashkëpunojmë në aktivitete gjithnjë e më radikale e për kauza gjithnjë e më të larta. Edhe nëse ne nuk arrijmë fitore e suksese të mëdha e të dëshiruara, regjimit i shkaktojmë ngecje e humbje jo të vogla e aspak të këndshme. Bashkëpunim do të thotë që edhe duhet të jemi bashkë edhe të punojmë. Nëse vetëm rrimë bashkë pa punuar së bashku, atëherë disi nuk jemi bashkë por ndaras veç e veç.

Postime të Ngjajshme