` . Shqiptarët dhe Amerika: Dashuri platonike apo utilitarizëm? – TV-SHENJA

Shqiptarët dhe Amerika: Dashuri platonike apo utilitarizëm?

Shkruan: Ali PAJAZITI, Shkup

Viti 1990. Atëbotë isha student në Sarajevë. Veshur me xhinse, këpucë me hekura dhe jakne (xhup) të zi të stilit “Top Gun” á la Tom Cruise me një amblemë, flamurin amerikan. Proamerikanizëm i prodhuar nga Hollywoodi, i reflektuar te një adoleshent shqiptar në Bashçarshi që dëgjonte R.E.M., Merlin, që ndiqte NBA, bashkë me yjet vendore Petroviq, Kukoç, Raxha, Divac. Në vitin 2002 një nga veprat më të shumëshitura (bestseller), Why do people hate America? (Pse njerëzit e urrejnë Amerikën) e Ziauddin Sardar-it dhe Merryl Wyn Davies-it, ku autorët flasin për gjendjen e urrejtjes ndaj SHBA-ve 16 vite më vonë. Sipas një hulumtimi të realizuar në 37 shtete nga “PEW Institute”, qëndrimet ndaj Amerikës shënojnë një rënie dramatike drejt negatives (te rreth gjysma rënie dyshifrore), në veçanti në Europën Perëndimore dhe në Amerikën Latine. Në Gjermani, për shembull, shkalla e antipatisë ndaj Amerikës është 62 %, në Spanjë 60%, në Holandë 59%, Greqi 53%. Mesatarja globale është 49%, që paraqet një rënie të konsiderueshme nga mesatarja 64 % në vitet pëfundimtare të presidencës së Obamës. Nga Obama te Trump-i simpatia ndaj SHBA-ve shënon rënie drastike (Meksikë – 36%, Spanjë – 28%, Holandë – 26%, Kanadë – 22%) (Wyke, et.al., 2017)

Përkundër faktit që s’ka konkurrent real në kulturë, universitete, filma, ushqim, veshmbathje e teknologji, imazhi i Amerikës edhe tërheq edhe largon. “Amerika është edhe kërcënim dhe joshje, edhe përbindësh edhe model”, thotë Joffe. Veçori bipolariteti: edhe trishtues edhe joshës, ngjashëm siç e përshkruan Rudolph Otto fenë, misteriumtremendum et fascinorum (mister trishtues dhe mahnitës). Sidoqoftë, Amerika një kohë të gjatë, për gjashtë-shtatë dekada, është një kuazi-religjion” krijon ithtarë, besimtarë të një feje civile të qytetërimit modern, gjë që shënohet edhe ndër shqiptarër. Sekretari amerikan i Shtetit, James Baker, por edhe John Kerry e Presidenti Bush janë pritur në Shqipëri si rok yje. Shqiptarët janë ndër kombet më fanatike sa i përket simpatisë ndaj SHBA-ve, janë një nga vendet më proamerikanë në botë. Tre termat që e shprehin qëndrimin shqiptar ndaj kësaj fuqie botërore janë: admirim, respekt, mirënjohje.

Miqësia shqiptaro-amerikane ndërlidhet me Bostonin e fundit të shekullit XIX, me komunitetin e emigrantëve shqiptarë, kryesisht ortodoksë, rrjedhim i të cilit është edhe i diplomuari në Harvard, Fan S. Noli. Sipas Frida Ghittis, nga CNN, dashuria shqiptare për Amerikën, besimi i tyre në “demokracinë e madhe që shpërndan liri dhe demokraci në katër anët e botës” buron që nga presidenti Woodrow Wilson, i cili pas Luftës së Parë Botërore ka ngulmuar se shqiptarët janë një nga popujt më të vjetër të Europës, një komb i vërtetë, kufijtë e të cilit duhet të ruhen. Pra, buron nga dyshimi tek “bushtra Europë” ose antieuropianizmi, ngase “Fuqitë e Mëdha, Britania, Franca dhe Italia, kishin dashur ta copëtonin Shqipërinë, këtë vend të vogël, të varfër dhe të pambrojtur, në favor të fqinjëve si shpërblim për luftimin dhe mundjen e koalicionit gjerman/austriak”. Në periudhën e komunizmit relacioni i shqiptarëve me “tokën e ëndrrave” shpërfaq lobin shqiptar në Amerikë, që ka luajtur një rol të veçantë në mbështetjen e Kosovës në rrugën me ferra, së pari të qëndrimit në këmbë dhe, më pas, drejt pavarësisë. Ky lob i ka mbajtur gjallë shpresat se dhuna serbe do të përfundojë dhe se do të vijnë ditë më të mira se ato të pas vitit 1980-të, rrugë kjo që u kurorëzua me ndërmarrjen e “presidentit legjendar”, mikut shqiptar Bill Clinton, i cili nisi bombardimin e caqeve ushtarake serbe dhe de facto, bashkë me faktorin politik vendas dhe UÇK-në, solli pavarësinë. Në Shqipëri, në vitin 1991, 300 mijë shqiptarë në një zë brohorisnin “USA, USA”. Ndërkohë, pas rënies së komunizmit shqiptarët i janë falënderues George W. Bush-it, të cilin S. Berisha e ka quajtur “miku më i madh dhe më i veçantë që shqiptarët kanë pasur”, trasues i rrugës për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Kryeministri aktual Rama para do kohe pati pohuar se Shqipëria është një nga vendet më proamerikane në Europë, madje edhe në botë!” (Vendet më proamerikane: Izraeli 84%, Koreja e Jugut 82%, Kenia 80%)… Rruga Wilson, shtatorja e Clinton-it, grafitti në stadium: “Obama… I love you!” dhe shumë pika urbane me ngjyrime amerikane gjithandej trojeve shqiptare. Dhe, kulmi, gazeta Korrieri, duke aluduar në SHBA-të publikoi një titull sarkastik: “Ju lusim na okuponi!”

Kjo është harta e qëndrimeve zyrtare të shqiptarëve ndaj Shteteve të Bashkuara, gjë që nuk është gjithaq e qartë nëse është e vërtetë empirike ose vetëm perceptim a imponim dhe konstrukt nga politika, opinionistët dhe media. Në këtë drejtim, për momentin, mendimi ndryshe është thuajse i pamundur ndër shqiptarë: ai që ka ndonjë qëndrim kritik. shpallet heretik i kauzës, disident, i padëshirueshëm. Kultura politike e çastit, pragmatizmi gjithëshqiptar është në këtë drejtim. Por, ky proamerikanizëm i totemizuar a është një dashuri e vërtetë për vlerat amerikane? Në veprën Simpoziumi Platoni flet për erosin vulgar ose atë hyjnor. I pari ka të bëjë me atraksionin material, kënaqësinë fizike dhe reproduksionin, kurse i dyti ka të bëjë me kalimin nga tërheqja fizike drejt formës së bukur të trupit, që kalon dalëngadalë drejt Bukurisë Supreme. Lloji i dytë i erosit, ai hyjnor, është shndërruar në termin e dashurisë platonike. Pra, a është simpatia shqiptare për amerikanët platonike apo është dashuri e dobisë, benefiteve, të njërës apo të të dyja palëve? Historikisht dimë se shqiptarët kanë kultivuar dashuri edhe për BRSS-në, për komunizmin dhe bllokun lindor, ndërsa tani e kanë ndryshuar kursin, janë në krah të më të fuqishmit, gjë që është e logjikshme dhe racionale. Shto këtu edhe kontributin për formimin e shtetit të dytë shqiptar dhe mbështetjen e shqiptarëve të Maqedonisë gjatë krizës së vitit 2001 dhe më pas. Për këto të fundit amerikanët akuzohen si në Serbi ashtu edhe në Maqedoni nga komunitetet sllave, që SHBA-të i kanë halë në sy, që i konsiderojnë si oponent per se, i trajtojnë si të tilla në mënyrë instinktive. Kjo vërtetohet edhe nga titujt e mediave, rrjetet sociale, e deri te deklaratat e lidershipit politik, që si aleat shpirtëror e marrin Rusinë, që herë e quajnë nënë e herë prijëse të pansllavizmit. Sot, shikuar sociologjikisht, për shqiptarët interpretimit të proamerikanizmit i ndihmon edhe thënia e mirënjohur “armiku i armikut tim është miku im”. Ne e shohim Rusinë si mikun më të afërt të Serbisë, që asnjëherë nuk e kemi pasur për zemër as fqinj korrekt, andaj proamerikanizmi është i barabartë me shkëputjen nga grabitqaria serbe, nga dhëmbi gjenocidal, si barrierë ndaj rusofilisë sllave, por edhe shpëtim nga ndikimi rus në Ballkan.

Shumë sipërfaqësore dhe jo të zbërthyera sa duhet janë tezat për oksidentalizmin, westernizimin absolut dhe përfundimtar të shqiptarëve si vizion i iluministëve e kështu me radhë. Orienti, osmanët, turku, arabi, Islami, në këtë drejtim, janë antipodet, nga të cilat duhet të shkëputemi, por në realitet jemi të lidhur duke e pasur parasysh faktin se ¾ e shqiptarëve – plotësisht ose pjesërisht – janë pjesë e kulturës islame. Rileximi i historisë osmane është një sfidë tjetër, që shfaqet para inteligjencies shqiptare. SHBA-të janë forca, pushteti global dhe të qenët me të fortin është më se e natyrshme. Është mirë të kesh një “Big Brother”. Si përfundim, dashuria shqiptare për Amerikën më tepër mund të shpjegohet me kontekstin dhe konstelacionin. Pra, nuk kemi të bëjmë me dashuri idealiste, sepse sikur të ishte ashtu do të stoliseshim me vlerat autentike të demokracisë amerikane, nuk do të ishim pre e “mëkateve të ballkanizmit” dhe kulturës parokiale me shumë antivlera.

Shqiptarët me shumicë janë myslimanë, europianë që pjesërisht janë pjesë e korpusit islamik. Duke e marrë parasysh atmosferën e islamofobisë globale, që mbizotëron kohëve të fundit, dhe ndërmarrjeve amerikane në botën islame dhe më gjerë (Ebu Gurejb, Guantanamo), deklaratat islamofobike të Trump-it dhe përplasjet e fundit me Turqinë, shtrohet pyetja a ka amerikanofobi dhe antiamerikanizëm edhe ndër shqiptarë? Kuptohet se ka qarqe të caktuara që këtë fuqi botërore e shohin si djallëzore, antiummetiste, kundërshqiptare etj. Kohëve të fundit fryma e erdoganizmit dhe Turqisë në ngritje po tërheq një pjesë të homo religiosus-it shqiptar në një antitrumpizëm dhe antiamerikanizëm, së paku i vë në krahun proturk ose prootomanist. Në fakt, islamizmi nuk nënkupton vetvetiu antiamerikanizmin. Të jesh besimtar nuk do të thotë jesh kundër dikujt vetëm pse është ky apo ai. Vetë Profeti e ka lavdëruar Etiopinë kristiane, ka lidhur aleanca edhe me jomuslimanë. Kështu është kur s’ka Amerikë muslimane, kur s’ka faktor global mysliman, ndonëse janë 57 shtete myslimane, që formojnë një OBI inefektive. Asnjë shtet islamik s’pati fuqi ta çlirojë ose të ndikojë në çlirimin e Kosovës.

Është e vërtetë se antiamerikanizëm ndër shqiptarë ka, por e tëra është një ishull i vogël, ndërsa perceptimi gjeneral është proamerikan, gjë që edhe etikisht është e pritur duke e marrë parasysh politikën amerikane në favor të shqiptarisë, në veçanti të dekadave të fundit. Pa Amerikën ose me një Amerikë të dobët konteksti shqiptar me siguri se do të ishte shumë më i ndryshëm. Edhe Shqipëria, edhe Maqedonia (shqiptare), por në veçanti Kosova, do të ishin nën një konstelacion tjetër të ekzistimit politik, ekonomik dhe kulturor. Andaj, nuk është humane që e mira të harrohet. Ajo duhet të bëhet pjesë e kujtesës kombëtare, pa marrë parasysh tezën për pragmatizmin klasik amerikan. (Henry Kissingeri një herë ka thënë: “Amerika nuk ka miq dhe armiq të përhershëmpor vetëm interesa të përhershme”.) Me një shënim, proamerikanizmi nuk duhet të shndërrohet në psikologji të skllavit. Është mirë kur në një lidhje ose transaksion të dyja palët janë të kënaqura. Relacionet shqiptare janë edhe pragmatiste edhe utilitariste. Në politikë, edhe në atë vendore edhe në atë ndërkombëtare, interesat janë determinante.