` . Shqipëria nga komunizmi në postkomunizëm - TV-SHENJA

Shqipëria nga komunizmi në postkomunizëm

Ndryshimet, që shoqëruan vendosjen e regjimit komunist, i shkatërruan këto institucione dhe ndërtuan të tjera, që i përgjigjeshin sistemit. Institucionet e krijuara në këtë regjim mund të konsiderohen si të dobishme për kohën e tyre, pavarësisht nga mekanizmat e dhunës dhe ato sociale, që detyronin zbatimin e tyre

Shkruan: Florin ZYBERAJ, Kukës

Enver Hoxha (1908-1985) është një figurë me rëndësi të veçantë për kombin tonë, por edhe një figurë e denigruar dhe e sulmuar si asnjëherë më parë. Shkaku që shqiptarët e sulmojnë figurën e tij është për arsye të politikave dhe sistemit që ai instaloi. Një sistem i egër, ku shumë njerëz vuajtën në burgje dhe kampe të internimit, shumë u burgosën, u pushkatuan ose edhe u varën, thjesht dhe vetëm sepse nuk pajtoheshin me politikat e tij dhe regjimin e kohës. Por, nga ana tjetër, kishte edhe nga ata që me barkun bosh ishin të detyruar të duartrokisnin për regjimin, sepse ishin të detyruar dhe mbi ta ushtrohej presion. Nuk mungojnë edhe ata nostalgjikë për kohën e tij, të cilët shprehin mallëngjim kur e kujtojnë Shqipërinë e asaj kohe. Këta të fundit e vendosin theksin tek arritjet në politikën e jashtme të Shqipërisë, arritjet në fushën e arsimit, sepse atëherë shqiptarët dolën nga analfabetizmi i akumuluar, si dhe në fushën industriale dhe në bujqësi.

Qëllimi i sprovës sime është analiza e mënyrës se si ky regjim totalitar arriti në një dekadencë të madhe dhe përfundoi me shembjen, njëherë e përgjithmonë, të komunizmit, por fill pas kësaj epoke filloi një periudhë tjetër: deenveriste dhe tranzitore. Deenverizmi, si terminologji në vetvete, pikësëpari përmban politika çmilitarizuese, duke e prishur strukturën militariste në ekonominë shqiptare dhe, së dyti, me të nënkuptohet çrrënjosja e komunizmit ose, më saktë, çrrënjosja e sistemit diktatorial nga strukturat ideologjike, politike e shtetërore dhe demokratizimi i shoqërisë shqiptare. Ndërkaq tranzicionin mund ta përcaktojmë me fjalë më të thjeshta, si ndryshimi i sistemit politik, nga sistemi totalitar diktatorial në një sistem demokratik e liberal.

Karakteristikat e sistemit totalitar shqiptar

Totalitarizmi është një sistem qeverisës që në parim nuk i lejonliritë individuale dhe e vendos sjelljen njerëzore nën kontrollin shtetëror. Ndër karakteristikat e totalitarizmit shqiptar mund t’i përmendim këto:

  • Një ideologji zyrtare e vetme e imponuar për të gjithë. Ideologjia e kohës e përshkruante botën bardh ose zi, me shumë pak ngjyra të tjera. Gjithashtu kjo ideologji totalitare fliste zakonisht për një shoqëri perfekte, si p.sh. “Populli më i lumtur në botë”.
  • Një parti e vetme, që e kontrollonte aparatin shtetëror dhe që drejtohej nga diktatori Hoxha me një pushtet të pakufizuar. Një parti e përbërë nga njerëz, që e besonin ideologjinë verbërisht dhe që ishin të gatshëm ta përhapnin ideologjinë totalitare te masa e gjerë popullore. Ata e pranonin hierarkinë, oligarkinë dhe burokracinë.
  • Një aparat policor që ushtronte terror (sistemi i terrorit), që ishte fizik, por njëkohësisht edhe psikologjik, e që drejtohej nga partia ose nga sigurimi i shtetit kundër kundërshtareve të regjimit, por jo vetëm. Në ombrellën e Sigurimit të Shtetit përfshiheshin: Shërbimi i Sigurimit Kombëtar, Inteligjenca dhe Policia Sekrete e RPSSH (Republikës Popullore Socialiste e Shqipërisë). De jure, detyra e Sigurimit të Shtetit ishte që ta mbronte Shqipërinë nga rreziqet, por de fakto Sigurimi shërbeu për ta shtypur e kontrolluar veprimtarinë politike te popullata dhe e ruante qëndrimin e sistemit politik ekzistues.
  • Një autoritet qendror për ekonominë (kontrolli totalitar i ekonomisë, kontrolli shtetëror dhe burokratik i saj). Ekonomia shqiptare qe një ekonomi e dobët, e centralizuar dhe e mbyllur.
  • Monopoli i të gjitha mjeteve të komunikimit masiv, siç janë: shtypi, radiot, filmi, muzika e teatri (funksioni primar i mediave alternative publike në atë kohë në vendin tonë ishte t’i indoktrinojnë njerëzit me ideologjinë zyrtare; kultura dhe edukimi, sipas tyre, ishin pronë shtetërore).
  • Monopoli i forcës ushtarake (kontrolli i të gjithë arsenalit ushtarak; ushtria ishte burimi kryesor nga ku buronte pushteti dhe e mbante në këmbë regjimin diktatorial; buxheti më i madh i akordohej ushtrisë).

Kriza dhe rënia e regjimit komunist

Faza e parë e kësaj krize janë lëvizjet ideologjike, që u ndërmorën në vitet e ‘60-‘70-ta nga PPSH-ja, e që ishin në kuadrin e luftës kundër burokratizmit, likuidimit të institucioneve fetare, revolucionarizimit të shkollës, të artit etj. Shoqëria shqiptare, në tërësi, u trondit, duke sjellë një politizim të skajshëm të jetës dhe një ashpërsim të mëtejshëm të luftës klasore (Historia e Popullit Shqiptar: 2009, f. 321). Komunistët erdhën në pushtet nëpërmjet luftës kundër okupatorit dhe me premtimin për ta nxjerrë vendin nga gjendja e vështirë pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Por, asnjëherë nuk u mendua se do të instalohej një regjim i tillë totalitar.

Programi i adaptuar nga diktatori Hoxha për modernizimin dhe transformimin e Shqipërisë, nga një vend i prapambetur në një shoqëri industriale të përparuar, ishte në një farë mënyre një sukses i jashtëzakonshëm në fillim dhe, me të vërtetë, brenda katër dekadash Shqipëria bëri disa hapa përpara në zhvillimin e bujqësisë, industrisë, arsimit, artit dhe kulturës. Një arritje e veçantë ishte tharja e zonave moçalore bregdetare dhe kthimi i tyre nga zona malarike në toka bujqësore dhe industriale. Për sigurimin e mjeteve financiare dhe teknologjike, si dhe për financime ushtarake dhe politike, Shqipëria aderoi në Kampin Komunist me Jugosllavinë në vitet 1944-1948, BRSS-në gjatë viteve 1948-1961 dhe me Kinën në vitet 1961-1978 (Historia e Popullit Shqiptar: 2009, f. 241-244, 246-250, 302-305). Ekonomikisht, Shqipëria përfitoi së tepërmi nga këto aleanca. Qindra milionë dollarë u investuan në industrinë e rëndë dhe mekanizimin e mjeteve të prodhimit. Më vonë, si rezultat i politikave të gabuara, Shqipëria mbeti e izoluar nga Perëndimi dhe nga Lindja, duke u detyruar ta adoptonte kursin e ndërtimit të socializmit “me forcat e veta”, duke u pozicionuar si vendi i vetëm stalinist në gjithë bllokun komunist.

Zhvillimet e brendshme, por edhe ato ndërkombëtare të mëvonshme, treguan një situatë të vështirë për vendin, që kërkonte gjithnjë e më tepër një gjykim realist. Gjithashtu duheshin bërë ndryshime e korrigjime sidomos në kursin politik. Regjimi komunist, tashmë, ishte vazhdimisht në krizë, por e fshihte këtë nën sloganet e revolucionit të vazhdueshëm dhe të rrethimit imperialist-revizionist (E. Sulstarova: 2005, f. 100).

Kështu kriza sa vinte e rritej, duke u pasqyruar edhe në zhvillimet e brendshme të PPSH. Për eliminimin e pakënaqësive, qeveria përdori shpesh, por jo përherë, persekutimin e udhëheqjes në radhët e Partisë dhe, në mënyrë më pak të ndjeshme, atë të popullsisë në përgjithësi.

Ata që e kritikonin Partinë dhe drejtuesit e shtetit në veprat e tyre, qoftë kulturore, editoriale ose thjesht propagandistike, përjashtoheshin nga puna, burgoseshin në kampe të punës së detyrueshme ose, thjesht, ekzekutoheshin. Viti 1981 për regjimin komunist u mbyll me një ngjarje të rëndë, që e tronditi jetën politike të vendit. Më 18 dhjetor 1981 kryeministri i Shqipërisë, Mehmet Shehu, e vrau veten. Pas kësaj ngjarjeje, u thirr me urgjencë të menjëhershme mbledhja e Plenumit të Komitetit Qendror të PPSH-së, në të cilën Enver Hoxha bëri vlerësimet e para jo vetëm për ngjarjen, por edhe për gjithë veprimtarinë e kryer nga Mehmet Shehu. Për herë të parë në këtë mbledhje M. Shehu u cilësua si armik dhe poliagjent i të gjithë kohërave dhe i të gjithë padronëve (E. Hoxha: 1984, f. 535). Historiani amerikan Bernd J. Fischer përmend se “shtatë ministrat e brendshëm u qëruan (u hoqën qafe), duke u cilësuar si agjentë të shërbimeve të huaja” (B. J. Fischer: 2010, f. 14).

Me propozimin e Enver Hoxhës Plenumi mori vendim që Mehmet Shehu të përjashtohej nga Partia, pas vdekjes, për veprimtari antiparti dhe veprime armiqësore. Nga partia u përjashtuan edhe anëtarët e familjes së tij. Për vrasjen e M. Shehut ekzistojnë pikëpamje të ndryshme. Studiuesi Kastriot Dervishi pohon se Mehmet Shehu është vrarë (K. Dervishi: 2006, f. 753). Po këtë qëndrim e mban edhe studiuesi Arshi Pipa (A. Pipa: 2007, f. 106; 178-9).

Pas vetëvrasjes së Mehmet Shehut, në krye të qeverisë si kryeministër i vendit u emërua Adil Çarçani. Në atë kohë ai ishte zëvendëskryetar i Këshillit të Ministrave. Qeveria e kryesuar prej tij nuk pati një platformë të detajuar për kapërcimin e ngërçit të krijuar. Duke mos pasur një platformë të tillë, në situatat e një izolimi të plotë ndërkombëtar, qeveria e tij nuk po i jepte rezultatet që priteshin nga udhëheqja e lartë komuniste. Në të vërtetë, vetëm disa kompetenca të Kryesisë së Këshillit të Ministrave iu kaluan ministrive dhe dikastereve të tjera qendrore. Ndërkohë situata në bujqësi qe e rëndë, duke sjellë përkeqësimin e gjendjes së fshatarësisë, ndërsa u ndien mungesa të theksuara në furnizimin e popullatës me produktet bazë dhe më të domosdoshme ushqimore. E ndodhur në këtë situatë të vështirë, qeveria vendosi që furnizimi i popullsisë në qytete të bëhej në mënyrë të racionuar (Historia e Popullit Shqiptar: 2009, f. 323).

Situata e rëndë ekonomike u shoqërua edhe me probleme politike, gjë që u pasqyrua në atë që quhej atëherë “krime kundër shtetit”. Aty nga mesi i vitit 1984 gjendja shëndetësore e diktatorit Hoxha sa vinte e përkeqësohej. Si rezultat i mospërmirësimit të shëndetit të tij, me gjithë kurimin e bërë më 11 prill 1985, E. Hoxha, udhëheqësi i PPSH-së dhe i shtetit shqiptar, ndërroi jetë. Studiuesi Fatos Lubonja shprehet se “numri i shqiptarëve që mezi e prisnin atë ditë si ditë shpëtimi ishte shumë i madh. Ishte pra një ditë gëzimi. Por ky ishte një gëzim shurdh-memec. Njerëzit kishin frikë ta shprehnin atë me zë të lartë. Ata mblidheshin në shtëpi, edhe pinin ndonjë gotë, por në heshtje, duke komunikuar vetëm me sy. Edhe në kampet e punës, të burgosurit ruheshin nga policia. I vetmi vend ku u bë festë ishte burgu i Burrelit” (F. Lubonja: 2005, f. 112).

Pra, vdekjen e diktatorit Hoxha disa e përjetuan me shumë hidhërim, ndërsa disa të tjerë ishin shumë të gëzuar, ndonëse nuk e shfaqnin hapur lumturinë e tyre. Ajo që të habit më shumë është fakti se, me gjithë torturat antinjerëzore që kishte bërë regjimi i tij, shikoje njerëz që vajtonin, gra që shkulnin flokët, burra që i binin kokës me grushte, ndërsa disa të tjerë e konsideronin vdekjen e tij humbje shumë të madhe e të parikuperueshme. Studiuesi anglez Alex Standish thekson se: “Diktatori Hoxha qe kthyer në një mit për shqiptarët. Ai ishte njëkohësisht figura qendrore, rreth së cilës u ndërtuan mitet e Shqipërisë socialiste, si dhe autori kryesor i krijimit të miteve (ose, të paktën, frymëzuesi) i teksteve kryesore të marksizëm-leninizmit shqiptar” (M. J. Alex Standish: 1999, f. 59).

Faza e dytë vijon me periudhën pas vdekjes së Hoxhës. Në fakt, sistemi diktatorial i instaluar në Shqipëri i pati të gjitha karakteristikat e sistemit totalitar. Kështu menjëherë pas vdekjes së diktatorit, Plenumi i KQ të PPSH-së e zgjodhi Ramiz Alinë në postin e Sekretarit të Partisë të PPSh. Në mbledhjen e Plenumit Ramiz Alia u betua se do t’i qëndronte besnik rrugës dhe mësimeve të Enver Hoxhës dhe do ta zbatonte me vendosmëri kursin e tij (Historia e Popullit Shqiptar: 2009, f. 348).

Ramiz Alia u përpoq ta ruante strukturën e sistemit ekzistues, por në të njëjtën kohë tentoi të implementonte reforma, në mënyrë që ta rivitalizonte ekonominë, që në atë kohë ishte në vend numëro. Edhe trashëgimia politike e lënë nga Hoxha në këtë kohë ishte gati e mjerë. Ramiz Alia erdhi në drejtimin e vendit në një situatë të vështirë. Zbutja dhe kapërcimi i saj mund të vinte vetëm me zbatimin e reformave të thella në të gjitha fushat.

Edhe zhvillimet në Lindje nuk mund të mos e kishin ndikimin e tyre edhe në Shqipëri. “Në Bullgari hiqet Zhivkovi (P. Pepa: 1995, f. 320), në Çekosllovaki, vazhduan demonstratat”, ndërsa në Rumani Nikolla Çaushesku, diktatori komunist, u ekzekutua gjatë protestave të Revolucionit Rumun të vitit 1989. Menjëherë pas këtij akti Ramiz Alia ndjeu se mund t’i vinte radha edhe atij nëse nuk jepte disa liri për ta mbajtur gjendjen të tendosur.Prandja u bënë disa ndryshime në fushën e të drejtave të njeriut. Ato fillimisht ishin të vogla, por me nxitjen e opinionit të brendshëm, edhe nën presionin ndërkombëtar, ato do të thelloheshin. Kështu, në shtator të vitit 1986, me një dekret të Presidiumit të Kuvendit Popullor, u bënë ndryshime në aplikimin e masave administrative e penale. Në bazë të këtij dekreti reduktohej koha e internimit të njerëzve dhe vetë internimi aplikohej për njerëzit, që thyenin ligjet e shtetit, pasi merrej opinioni i qendrës së punës (AQSh, F. 489, V. 1988, D. 92, fl. 1).

Sidoqoftë, çatia e krisur e komunizmit në Evropën Lindore të vitit 1989 shumë shpejt do të jepte ndikim edhe në Shqipëri. Segmente të shoqërisë shqiptare filluan një aktivizim politik më të vendosur dhe agjitimin kundër qeverisë. Grupet më aktive ishin ato më të zhgënjyerat: intelektualët dhe rinia studentore. Rënia e regjimeve totalitare ishte një dukuri me përmasa universale dhe Shqipëria nuk mund të qëndronte jashtë këtij erozioni. Në vitin 1989 Ramiz Alia e shtroi nevojën e reformimit të sistemit të drejtësisë me disa standarde evropiane. Kjo është periudha kur deenverizmi do të marrë trajta të plota. Ajo zgjat deri në ditët e sotme.

Periudha mes viteve 1989-1990 pati orvatje për demonstrata në disa rrethe të vendit. Kështu në Shkodër u bë përpjekja e parë për rrëzimin e bustit të Stalinit, që paralajmëronte veprime të tjera antikomuniste.

Në korrik të vitit 1990 ambasadat e vendeve perëndimore në Tiranë u pushtuan nga mijëra të papunë dhe të persekutuar nga regjimi komunist. Siç duket, në atë kohë kështjella e fundit komuniste prej rëre, Shqipëria, u shemb dhe ra nga demonstratat e të rinjve, të cilët ia dhanë goditjen përfundimtare (A. Musta: 2001, f. 129).

Epërsia e Partisë së Punës tashmë po vihej përherë e më shumë në dyshim. Kështu shumë anëtarë të Partisë dhe intelektualë, që në të kaluarën i kishin shërbyer me besnikëri, ishin të pakënaqur dhe kishin arritur në përfundim se, për të mbijetuar, sistemi duhej t’u nënshtrohej ndryshimeve rrënjësore (E. Biberaj: 2011, f. 84).

Ramiz Alia, në këto rrethana, do të reagonte dhe të distancohej nga politika e mëparshme, duke dalë në televizion dhe duke thënë se ishte koha për formimin e një qeverie të re. Kështu do të formohen parti të reja dhe do zhvillohen edhe zgjedhjet e para, por, për ironi të shfrenuar, ato u fituan nga komunistët. Vetëm në vitin 1992 do të vijë në pushtet Partia Demokratike, e cila do të qëndrojë deri më 1996.

Ndryshimi i sistemit politik

Ndryshimi i sistemit politik, nga sistemi diktatorial në një sistem demokratik, nuk ishte aspak lehtë. Tranzicioni i Shqipërisë me synim dhe destinacion demokracinë dhe ekonominë e tregut të lirë, ishte e vështirë nga siç u parashikua (F. Zyberaj 2019, f. 56).

Tranzicion demokratik quhet pika e shuarjes së një regjimi autoritar dhe fillimi i proceseve demokratike. Fillimi i tranzicionit karakterizohet me një shpërbërje të regjimit autoritar, i cili fillon me shenjat e para të mobilizimit të masave dhe përfundon me vendosjen e një forme të re të qeverisjes, e cila fiton legjitimitet nëpërmjet zgjedhjeve. Autori Dankwart Alexander Rustow i dallon tri faza të tranzicionit:

Faza e përgatitjes që arrihet me polarizimin e aktorëve kryesorë politikë;

Faza e vendimit, ku institucionalizohen elementet kryesore të procedurës demokratike; dhe

Faza e tranzicionit që është periudha gjatë së cilës politikanët dhe elektorati janë mësuar me rregullat e reja politike (R. Dankward, 1970, f. 338).

Ajo e cila e bën Rustow-in të njohur është se ai e kundërshton idenë se duhen parakushte sociale dhe ekonomike për ta arritur demokracinë dhe thotë se ajo që nevojitet është uniteti nacional, si parakusht për demokracinë, dhe arritja e një konsensusi të elitave politike.

Në fillim të tranzicionit, menjëherë pas dekretimit të pluralizmit politik në mesin e dhjetorit 1990, në shtypin shqiptar filluan diskutimet e para rreth alternativave më të mundshme të zhvillimit të vendit.

Historia e krijimit te institucioneve

Nëse do ta konsideronim historinë si faktor të ekonomisë së tregut në Shqipëri, mund të themi që në fillim se ajo nuk na erdhi në ndihmë në procesin e krijimit të institucioneve. Siç dihet, në periudhën e sundimit të mbretit Zog në Shqipëri u hodhën bazat për disa institucione, siç ishin institucionet e sistemit fiskal. Por, ndryshimet, që shoqëruan vendosjen e regjimit komunist, i shkatërruan këto institucione dhe ndërtuan të tjera, që i përgjigjeshin sistemit. Institucionet e krijuara në këtë regjim mund të konsiderohen si të dobishme për kohën e tyre, pavarësisht nga mekanizmat e dhunës dhe ato sociale, që detyronin zbatimin e tyre.

 Struktura qeverisese

 Struktura qeverisëse ose ndarja e pushteteve përbënte, deri para pak kohësh, një koncept pak a shumë abstrakt për vendet në tranzicion dhe në Shqipëri. Në të vërtetë, gjatë këtyre viteve të para të tranzicionit të këtij vendi drejt ekonomisë së tregut dhe shoqërisë së lirë, me duket se ky faktor nuk është vlerësuar sa duhet. Mendimi im është se struktura qeverisëse është shprehja e kompromisit social, e marrjes së përgjegjësive për problemet e gupeve, shtresave dhe shoqërisë në përgjithësi etj. Nga ana tjetër, pushteti legjislativ, si një nga pushtetet më të rëndësishme, i formuar fillimisht si pushtet pluralist, ka bërë një punë shumë voluminoze në përgatitjen e kuadrit ligjor të ekonomisë së tregut.

 Mentaliteti

Është e vështirë ta përkufizosh rolin që luan mentaliteti i shqiptarëve në vënien në jetë të politikave ekonomike. Një gjë dihet me siguri: se shqiptarët janë pragmatistë dhe me aftësi të mëdha për t’iu përshtatur rrethanave të vështira ekonomike, sociale dhe politike. Nga ana tjetër, periudha e gjatë dhe shtypja nën regjimin komunist kanë kultivuar ndër ta, në mënyrë të njëkohshme, si ndjenjën e përuljes ndaj pushtetit, ashtu edhe mosbindjen ndaj tij. Kjo situatë mund të themi se vazhdoi për shumë kohë edhe pas shembjes së këtij regjimi.

 

Deenverizmi

 

20 shkurti i vitit 1991 është një datë dhe, për më tepër një vit, më tepër simbolik për historinë e vendit tonë. Rënia e statujës së diktatorit Enver Hoxha e tregonte, tanimë mjaft qartë, rënien ose shkatërrimin përfundimtar të diktaturës dhe fillimin e një epoke të re, të lirë e demokratike për Shqipërinë. Rruga drejt demokracisë për Shqipërinë do ishte e gjatë dhe e mundimshme, por edhe e dhimbshme. Kalimi nga një sistem diktatorial në një sistem demokratik nuk qe i lehtë: kemi fillimin e një periudhe shkatërrimi të çdo gjëje që lidhej me diktatorin Hoxha, që nga heqja e parullave, ndryshimi i emrave të universiteteve etj.

Tashmë nuk kishim më vetëm një ideologji të vetme, një udhëheqës karizmatik ose një parti të vetme, një ekonomi monopolistike ose një terror shtetëror. Me pak fjalë, kulti i individit ra njëherë e përgjithmonë. Por, Shqipëria, pas rënies së diktaturës, përballej me sfida të reja, siç ishin:

  • Tranzicioni ekonomik – kalimi nga një ekonomi e mbyllur dhe e centralizuar në një ekonomi të hapur dhe të tregut të lirë;
  • Tranzicioni politik – ishte e nevojshme të ndërtoheshin institucionet e lira dhe demokratike;
  • Ndryshimi i mentalitetit të njerëzve dhe ballafaqimi me të kaluarën;
  • Dënimi i krimeve të komunizmit;
  • Çrrënjosja e strukturave totale komuniste në çdo embrion.

Për këtë duhet theksuar se edhe sot e kësaj dite vazhdon debati, shpeshherë i tensionuar, në lidhje me regjimin komunist. Nuk ka diskutim të hapur dhe të sinqertë publik, e jo më përballje me të shkuarën. Kjo ndodh për shkak se politika ka ende ka ndikim dhe ndërhyrje të fuqishme në këto çështje. Megjithëse janë ngritur disa institucione, si: Shoqata e të Përndjekurve, Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit, ritmi për zbardhjen e së vërtetës mbi persekutimin e shumë të dënuarve politikë dhe jo vetëm është shumë i ulët.

Megjithatë, që nga vdekja e diktatorit Hoxha udhëheqësit e mëvonshëm të shtetit shqiptar e kanë kritikuar sistemin e tij burokratik dhe politikën e tij të spastrimeve masive etj.