` . Shqipëria – Lisi orëlig në derë të farkës – TV-SHENJA

Shqipëria – Lisi orëlig në derë të farkës

(Një “metaforë” e historisë diplomatike të Çështjes Shqiptare për kufijtë)

Shkruan: Bajram Xhafa                 

Mjeshtërinë e punimit të hekurit në Shqipëri e kanë pasur jevgjit, të cilët në disa krahina i quajnë “magjypë”, diku tjetër “xhip” (shumës: xhipshit), kurse në fjalorin politiko-gazetaresk bashkëkohor emërtohen “egjiptianë”, që, me fillimin e demokracisë (pas vitit 1990) Evropa na i klasifikon si “pakica kombëtare”, minoritete, edhe pse kanë disa shekuj “të shkrirë” me shqiptarët. Ata as flasin as shkruajnë egjiptiançe (arabisht, kushti bazë për t’u quajtur minoritet) dhe, ndoshta, nuk e dinë fare se ç’është Egjipti dhe se ku bie në hartë. Por, absurdi i nocionit “pakicë egjiptiane” (!), së cilës po i dalin aq shumë protektorë, është tjetër meselé. Qëllimi im është gjetkë: një metaforë.

Pothuajse në çdo fshat në Shqipëri kishte nga një familje jevge, që bënte punën e kovaçit. Ata zotëronin “monopolin” tradicional të punimit të hekurit, duke i mbuluar kështu nevojat e fshatit për riparimin e veglave bujqësore. Me këtë zanat siguronin jetesën, sepse, si rregull, tokë buke nuk kishin. Rrallëkush kishte vetëm ndonjë parcelë fare të vockël pranë shtëpisë, që e përdornin si kopsht për zarzavate. Pranë banesës modeste kishin ngritur farkën ose kovaçhanën, ku ushtronin zanatin e tyre me të cilin e siguronin jetesën.

Për ta lehtësuar vapën nga rrezet e diellit, pranë farkës kovaçi mbillte ndonjë pemë ose linte të rritej ndonjë lis për të bërë hije, që rastësisht kishte qëlluar pranë derës së farkës ose farka ishte “projektuar” pranë lisit, që, me hijen e tij, t’ia lehtësonte lodhjen. Kur fshatari merrte sëpatën ose kmesën, të cilën e kishte sjellë për ta mprehur, pas temperimit e vinte në provë duke i dhënë një goditje lisit të pafajshëm. Kështu bënin edhe të tjerët dhe lisi fatkeq, lisi orëlig, ligej e zverdhej nga plagët që i merrte. Pa iu mbyllur njëra plagë, i hapej tjetra dhe kështu e shtynte jetën…deri në amshim. Ky ishte fati mjerë i lisit orëlig në derë të farkës ose, siç i thonë në Dibër, lisi i xhipit në derë të farkës.

Kjo e ka gjetur edhe Shqipërinë tonë – kompleksi i fatit të mjerë të lisit orëlig të farkës. Për diplomacinë evropiane dhe euroatlantike Shqipëria e ka funksionin tragjik të lisit të xhipit. E mbolli shitueshëm e shëmtueshëm diplomacia evropiane Lisin Shqiptar “të pavarur” në Konferencën e Ambasadorëve në Londër më 1912-1913 dhe, diplomacia evropiane,… mpreh kmesa e mpreh sëpata, mpreh thika e mpreh shpata, pastaj bjeri njëri e bjeri tjetri, “prit e bjer” mbi té, sa mban krahu, me t’tanë forcën.

Provën e sëpatës së saj Evropa e kishte filluar më herët me Shqipërinë qysh me Kongresin e Berlinit më 1878 (me gjasë edhe më herët, por s’po di ta çoj më tej). Aty filloi starti zyrtar i gjëmës së “lisit orëlig” të Shqipërisë, me institucione “të rregullta” e “kolegjiale” në nivelin më të lartë ndërkombëtar (ndërevropian), me gjyqin e madh pa kanú të “Koncertit Evropian” në Kongresin e Berlinit. Me kalimin nga kapitalizmi ekstensiv në imperializëm, temperimin e sëpatës së vet kriminale aeropagu i lartë evropian i Berlinit, alias Evropa (e pabashkuar), e pa kur e provoi me “sukses” mbi Lisin Shqiptar për llogari të pansllavizmit. Heqja e territoreve të tëra nga trungu etnik shqiptar ishte një krim politik amoral: një dënim me vdekje kundrejt një populli të tërë, e quajti Abdyl Frashëri (Aleks Buda, “Lidhja e Prizrenit dhe rrënjët e saj historike, Konferenca Kombëtare e Studimeve për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit 1878-1881” I (12 qershor-28 qershor 1978), Tiranë, 1979, f. 11.). Çereku i trojeve shqiptare fluturoi me një të rënë të “lapsit (sëpatës) diplomatik(e)” të Evropës. Ajo qe e njëzëshme kur ia hoqën Shqypnisë dhe ia bënë peshqesh shkjenive, Serbisë dhe Mallit të Zi. Vetëm Perandoria Osmane e kundërshtoi, por ajo nuk kishte të drejtë fjale, ishte nën gjyq, nën “gjobë”; dyfish a trefish nën gjobë: si palë e mundur në luftë, si krijesë “aziatike, lindore” dhe, mbase kryesorja,… si myslimane.

Mbi Shqipërinë ra gjëma e parë e madhe. Shqiptarëve u theri në kockë. Vaso Pasha, ky burrë i pavdekshëm, klithi në poezinë kushtrimore: O(h) moj Shqypni, e mjera Shqypni(!).

Me Perandorinë Osmane Evropa e kishte “kompleksin e Lindjes”, po me Shqipërinë ç’patën? Sëpata e diplomacisë binte mbi Shqipërinë. Por, në fakt, edhe Shqipëria i kishte së paku nja dy “cene” të rënda, shumë të rënda: si mall pa zot, “terra nullius” (tokë e kurrkujt) ose shumëçka tjetër dhe …si “myslimane” (në shumicë). Shqiptarët e morën vesh botërisht dhe e provuan mbi kurriz se Evropa i paska aleatë shkjenitë. Po shqiptarët ç’farë ishin ( ) për ta? Ahá, ata janë “pala tjetër”, e përkundërt, (ar)miq të pashpallur. Ata mos i zgjo, por yshti dhe bjeru! Me marifet, fort e sa të mundesh, kur të mundesh e si të mundesh.

Rilindësit e kuptuan ose e kishin të ditur më herët, se Evropa për ta paska qenë “e bashkuar” me kohë, kundër tyre. Kishte qenë dikur edhe Sinjoria (Republika e Venedikut), por ajo tashmë ishte harruar. Prandaj, në maj të vitit 1880 thirri të madhe Pashko Vasë Shkodrani në vjershën e tij manifest. Kushtrim! Çonju shqiptarë! “Qysh prej Tivarit deri n’ Prevezë, / gjithkund lshon dielli vap’ edhe rezë, / asht tok’ e jona, t’part na e kanë lanë, / kush mos na e preki, se (v)desin t’tanë, / Të desim si burrat që diqnë motit, / e të mos marrohna përpara Zotit”. Kjo thirrje qarkulloi dorë më dorë si këngë popullore në kohën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Ç’farë të bënin shqiptarët e mjerë.

Dasi (ai që ndan) duhet me i ditё kufijtё, thotë tradita a kanuni ndër shqiptarë. Por, diplomacia evropiane s’don t’ia dijë për kanune e norma të së drejtës; të së drejtës së Zotit dhe të së drejtës ndërkombëtare. Zot bëhet vetë. Goditja e parë duhet të shoqërohet nga e dyta, po aq e fortë. Me sebep e pa sebep. Hekuri rrihet në të nxehtë. “Çështja e lindjes” duhet përshpejtuar. Pjesë e saj është edhe Shqipëria.

Në raste fatkeqësish të rënda shqiptarët ngushëllojnë: “Mos të raftë për me harrue!”. Që do të thotë: mos të rëntë ndonjë gjëmë tjetër më e madhe që ta harrosh të parën. Pa u ftohur gjaku i parë diplomacia e Berlinit e kapi edhe i’herë sëpatën. Mbi Shqipërinë! Pa mëshirë! Pa dhimë. Pas Tivarit, nuk kaluan dy vjet, dhe kjo sëpatë do të binte mbi dy perla të tjera të bregut shqiptar: mbi Ulqinin në Veri dhe Artën në jug (në gjirin e Artës ose Prevezës). Sëpata evropiane e bënte punën. Lisi shqiptar mori plagë të reja. Faza tjetër e projekteve për Shqipërinë lihej për më vonë. Duhej pritur paksa. Do të vijnë sebepe të tjera. Se dhe Zoti, me sebepe vret. E në mos ardhshin sebepet, do t’i sjellim me përdhunë, do t’i sajojmë. Mjaft që të kemi vullnet të “mirë”. Por, nuk duhet lënë të kalojë shumë kohë. Viktima nuk duhet lënë ta marrë veten.

Pas 30 vjetësh diplomacia evropiane u mblodh prapë, më 1912, tashmë në Londër. Kësaj radhe Shqipërinë e gjuajti me top. E këputi përmesi, horizontalisht e vertikalisht. Ia këputi trupin dhe frymën. U harruan gjëmat e para. Formulën tonë të ngushëllimit (“mos i raftë për me harrue”) evropianët e paskan ditur më mirë se ne. Katastrofë! Vetëm një të tretën e Shqypnisë e skapulloi në një çerekshtet, një çerek qenie (politike); çerek trup dhe çerek mendje, astmatike e distrofike. Një xhuxhë (politike) e humbur nëpër shkëmbinjtë e politikës e gjeopolitikës. Pastaj i thanë: rro! Po, edhe në mos rrofsh, vdis! Ç’të mendojë e ç’të bëjë më parë shqiptari me këtë qenie politike. Dënim me vdekje për një popull e për një komb. Nuk gjenden fjalë për këtë superkrim, ndërkombëtar e “ndërkobtar”. Vepër satanike, apokaliptike.

Politika e kufijve “strategjikë” pati pasoja vdekjeprurëse për shqiptarët. Miss. E. Durham shkruan: “Zotërinjtë që u dërguan të përcaktonin kufijtë e kishin të mbushur kokën me ‘strategji’ dhe nuk dëshironin të shihnin se po e dënonin një popull të tërë të vdiste nga uria (nënvizimi im). Në këtë mënyrë, si Hoti, ashtu edhe Gruda, u rrënuan… Të ashtuquajturit kufij ‘strategjikë’, që nuk përfillnin fare nevojat ekonomike, janë të tillë që, më tepër e provokojnë luftën sesa e parandalojnë atë”. (Strategjia: SHQIPËRIA në LUFTË PERMANENTE – shënimi im) (Durham, “Për fiset, ligjet e zakonet e ballkanasve fiset, ligjet e zakonet e ballkanasve” më 1928, “Arbëria”, 2009, f. 25, 30).

Në “Gazeta Shqiptare” (8 dhjetor 2012, f. 29) Arshin Xhezo, ndër të tjera, shkruan: “Jo vetëm nga ngjashmëria e mënyrat primitive të torturave e vdekjeve, por edhe për nga numri i njerëzve, në raport me popullsinë e Shqipërisë, holokausti ndaj hebrejve, nuk është më i madh se genocidi dhe holokausti i serbëve ndaj shqiptarëve. Është fjala për një holokaust “kronik”, tradicional dhe me projekte konkrete genocidale, që nga “Naçertania” e vitit 1844 e Ilia Garashaninit, në atë të Çubrilloviçit të vitit 1937, tek projekti “SANU” i Akademisë serbe të shkencave në vitin 1986”.

Edhe fqinjët grekë nuk qëndrojnë më pas. Mjafton ta kujtojmë vetëm 27 qershorin e vitit 1944, që në Çamëri njihet si “Nata e Shën Bartolomeut”. Brenda 24 orëve bandat e Zervës vranë dhe masakruan 600 shqiptarë, më së shumti fëmijë, gra dhe pleq.

Konferenca e Versajës (pas LPB-së) e vuri Shqipërinë përsëri në tryezën e pazareve. Shqipëria gjatë LPB-së ishte kontributore e Aleatëve, por nuk e paskëshin quajtur aleate. E trajtuan më keq se armiqtë.

Ku janë miqtë? Cilët janë aleatët?

Diplomatët evropianë mprehin kmesat e mprehin sëpatat, bëjnë karrierë e ecin para (a mbrapa), bahen ministra e qerratára, Shqipëria varra-varra (plagë mbi plagë). O mórekujé! Dhe, pështyjnë tri herë shqiptarët për të larguar qoftëlargun nga gjëma që i ka gjetur. Ç’mund të bëjnë tjetër?

Ishte Evropa ajo që, duke u “bazuar” edhe në “vijën e demarkacionit” që vetë e shpiku në mbarim të LPB-se bashkë me serbët, me vendimet e 9 nëntorit 1921 të Konferencës së Ambasadorëve (tashmë me qendër në Paris) ia bëri disa “rektifikime”, “krasitje” (gjymtime) të tjera kufirit të vendosur nga vetë ajo më 1913. Ndryshimet bëheshin vetëm në dëm të shtetit shqiptar. Ç’mund të bënin shqiptarët e gjorë përtej një proteste?

U turrën me ashk diplomatë e politikanë nga e gjithë BOTA, deri te më të mëdhenjtë e të mëdhenjve, për “Çakorrin”. Shpejt! Shpejt! Shpejt! Jepini fund “Demarkacionit”! Të mbyllet çështja e Demarkacionit!… Vazhdon strategjia për kufijtë “strategjikë”. E dinë mirë formulën, kanë sens, përndryshe, edhe ua mësojnë.

U turrën vrap politikajt e Shqipnisë Nanë. Të mbyllet sa më shpejt çështja e Demarkacionit! ishin “porositë” urdhëruese të kreut të shtetit shqiptar Ilir Meta në Kosovë për të cilën shkoi dy herë njëra pas tjetrës. Herën e dytë ishte takimi me Haradinajn me 22. 01. 2018, vizitë gjoja në përvjetorin e vdekjes së Rugovës. U ngritën të gjithë kundër. VV-ja hodhi gaz lotsjellës në sallën e Parlamentit për ta mbrojtur integritetin e Kosovës. U ngritën në bisht kundër VV-së. Isa Mustafa, kryeministër: Këto akte nuk i bëjnë mirë kësaj kauze (cilës kauzë?). Janë atak ndaj pavarësisë (pavarësisë së kujt?). Ditmir Bushati, ministër i Jashtëm i R së Shqipërisë: E dënojmë sulmin ndaj Kuvendit të Kosovës. Kuvendi është simbol i rregullit tokësor (integriteti qenka rregull hyjnor). Autorët e kësaj vepre do të dalin para drejtësisë. Presidenti i Kosovës, Thaçi: E dënoj ashpër sulmin ndaj Kuvendit të Kosovës, qeverisë së Kosovës. Është sulm kundër institucioneve dhe shtetit të Kosovës, janë veprime antidemokratike (dhe antipatriotike?). Pavarësia, Kuvendi, Qeveria, institucionet, për çfarë janë? Janë për Kosovën apo për viza turistike nëpër Evropë. Nuk ka gjë më ironike, më fyese, për shqiptarët. Pse, kaq lirë kushtuaka ATDHEU? Ajo deputetja shqiptare në FYROM nuk e peshoi Kosovën as sa një biletë avioni. Paria (“establishmenti”) e Kosovës e shiti Kosovën për një vizitë turistike me paret e veta. Rroftë populli shqiptar! Shkallë më ulët degradimi për një popull nuk mund të ketë.

Shqiptarët brenda dhe jashtë Shqipërisë, kosovarët, në Kosovë e në Botë, Vetëvendosja etj nuk duan “të cedojnë” më tokë. Boll u kanë marrë tash 140 vjet. Por, u duhet të kalojnë detyrimisht në log të zanave, nëpër Evropë. Tradita porosit: mos me kalue në log të zanave sepse… zanat të shtangojnë, të ngrijnë në vend, të bajnë gur. (“Visaret e Kombit” Nr. 4, vëllimi II. f. 1). Zgjidh e merr! Demokracia në veprim.

Me bashkimin e një pjesë të tokave shqiptare me “Shqipërinë e vjetër” gjatë Luftës së Dytë Botërore, më 1941, nga marrëveshja e Gjermanisë naziste me Italinë fashiste, kishte jo pak nga italianët që gjatë caktimit të vijës kufitare mbanin anën e Malit të Zi. Mul Delia në librin “Besëlidhja e Malësisë së Madhe – Kujtime”, Shkodër, 2004, f. 21 shkruan: Kam ndigjue kolonel Palandrin e major Luçin me të tjerë që thonin se Mali i Zi ka të drejtë ta marrë Shkodrën, se e kishte pasë marrë me luftë prej turkut. Pra, – thonin ata – meqë Mali i Zi asht vend fukara e nuk ka tokë buke, duhet ma ia dhanë Shkodrën me rrethe ose krahinën Metohisë (Rrafshin e Dukagjinit). Pra, edhe Çakorrin.

Atëbotë Mali i Zi kishte edhe thirrjen tjetër: “Ot Milot do Kotorr” (nga “Miloti në Kotorr”!). Me “strategjinë” e kufijve “strategjikë”, Fuqitë po çojnë Malin i Zi drejt “superfuqisë”, ndërsa Shqipërinë drejt “minimifshisë”. Siç tregon historia, na lind e drejta të pyesim: kur po i vjen radha Milotit? Që pastaj të ndërhyjë Evropa e t’ua vërë vulën “ndryshimeve” dhe të sigurohet “paqja evropiane”, ndërsa Shqipëria të dalë edhe më bisht çup. Bisht çup e pa bisht fare. Pa bisht e pa kokë, pa krahë e pa këmbë. Cung dreqi. Gjë e shpifur, e shituar, siç tha Noli në kongresin e Triestes më 1913.

O Shqiptarë! A ndieni?!!!… Një zë po del nga Toka. Një vigëm po vjen nga pylli. Një gjëmim po del nga Deti. Një klithëm po zbret nga Qielli. Më 1913 Shqypninë, me gjithë shqiptarët, i këputën për mesi; i këputën më dysh e më treçerek, horizontalisht e vertikalisht. Por, nuk e lanë me kaq; dhe, s’u ngopën e s’u ndalën. Edhe sot vazhdojnë, po, t’i heqin asaj një e nga një: herë një fetë e herë një petë, der t’i shpien në muzeun e popujve… që kanë vdekë.