` . Shqipëria humbet miqësoren me Luksemburgun – TV-SHENJA

Shqipëria humbet miqësoren me Luksemburgun

Një humbje në miqësore nuk është tragjedi por kur mundesh 2-1 me Luksemburgun pas katër humbjeve radhazi ku ke pësuar minimalisht nga dy gola për ndeshje, atëherë gjërat duket se po bëhen serioze, sigurisht jo për mirë. Në “Josy Barthel” Shqipëria shfaqi të njëjtat gabime të vitit të fundit, me pasiguri në goditje standarte apo dhe ruajtjen e distancës mes reparteve, që sollën dhe të dy golat e luksemburgave në këtë ndeshje.

Mbrojtja me 3 për më tepër e zgjedhur nga De Biasi u duk sikur në këtë ndeshje nuk funksionoi ashtu si dhe ideja për të arritur një fitore të qetë e pa shumë lodhje, aq sa dhe rastet e shumta të krijuara erdhën më shumë si pasojë e zgjidhjeve individuale.

Në fakt, dhe ato pak nota pozitive në Luksemburg erdhën më shumë në aspektin individual, ku sidomos në pjesën e parë disa prej kuqezinjve treguan se roli prej protagonisti në kampionatet e tyre, apo rikthimi në kombëtare ka patur një ndikim për mirë, si Kace që për pak sa nuk shënoi një gol të ngjashëm me atë me Francën, apo Memushaj që tregoi se mund të bëjë rolin e liderit në mesfushë duke marë përsipër dhe goditjen e portës.

Cikalleshi ndërkohë përvec forcës, aq sa lojtarët u detyruan në ndonjë rast ta ndalnin duke përdorur dhe duart tregoi se di të jetë dhe altruist, pavarësisht se Lenjani nuk e kishte nuhatjen e një golashënuesi. Roshi ndërkohë rastin që humbi në pjesën e parë me këtë parabël e korigjoi në të dytën kur në të 52-tën shënoi golin e epërsisë së Shqipërisë.

Shqipëria mendoi se mund ta kontrollonte ndeshjen, por Luksemburgu që kishte rrezikuar dhe në pjesë e parë tregoi se mund të shfrytëzojë mjaft mirë pasiguritë e kuqezinjve sidomos në mbrojtje, si në rastin e minutës së 63-të kur një top drejt Turpelit filtroi gjithë mbrojtjen për t’u dërguar në rrjetë nga ky i fundit. Më pas dhe pasiguria e zakonshme në goditjet standarte që solli dhe golin e 2-të të Malgetit.

Dhe rastet e minutave 87-të e Mavraj apo Grezdës në të 88-tën, nuk e ndryshuan më rezultatin me Shqipërinë, që në një ndeshje që duhet të rikthente humorin te kuqezinjtë në prag të një ndeshje të rëndësishme si ajo me Izraelin dhe pas një periudhe të gjatë pa fitore, thjesht prodhoi një tjetër humbje që kërkon disa përgjigje të rëndësishme për atë që ka ndryshuar në ekip në 1 vit nga kulmi i Europianit. /SuperSport/