` . Shqipëria gjatë 2018-ës – TV-SHENJA

Shqipëria gjatë 2018-ës

Shkruan: Çelo HOXHA, Tiranë

I pyetur, gjatë një interviste, nëse qeveria socialiste e Edi Ramës do ta mbyllte të plotë këtë mandat katërvjeçar (më 2021), deputeti i Partisë Demokratike (PD) dhe ish-kryetari i saj, Sali Berisha, deklaroi, më 18 dhjetor 2017, se “katër muaj janë shumë”. Berisha është, sigurisht, i njëanshëm në parashikimin e tij. Parashikimi i tij është më shumë dëshirë sesa gjykim analitik, por parashikimi i tij përcjell për mënyrën se si do të vazhdojë politika gjatë këtij viti. Konflikti do të jetë tipari dominues i saj.

Opozita, me dy parti, PD dhe LSI (Lëvizja Socialiste për Integrim) do të bëjnë të pamundurën për rrëzimin e qeverisë socialiste gjatë vitit të ardhshëm, të paktën bazuar në deklaratat agresive të palëve. Vetë qeveria nuk ka nguruar t’i motivojë në këtë drejtim. Arsyeja më madhore ishte emërimi i një Prokuroreje të Përgjithshme të Përkohshme me votim të thjeshtë, ndërsa opozita pretendon se kjo ndodhi në kundërshtim me Kushtetutën dhe, sipas saj, shkelja e kushtetutës justifikon çdo lloj reagimi.

Më 2 dhjetor mbaroi mandati i Prokurorit të Përgjithshëm, i cili, me kushtetutë, zgjidhet nga Kuvendi me 3/5 e votave (84 vota nga 140 që ka kuvendi), i cili përzgjedh nga kandidaturat e propozuara nga Këshilli i Lartë i Prokurorëve (KLP). Ky këshill nuk është krijuar ende dhe Partia Socialiste (PS), e cila e ka shumicën e Kuvendit, shfrytëzoi një dispozitë kalimtare në Ligjin për prokurorinë, për të zgjedhur një Prokurore të Përgjithshme të Përkohshme, derisa të formohet KLP. Prokurorja e Përgjithshme u zgjodh me 69 vota – vetëm me votat e mazhorancës. Argumenti kryesor i opozitës është se nuk ka asnjë ligj, as Ligji për prokurorinë, që mund të dalë kundër Kushtetutës. Pra, përparësi duhet të kishte Kushtetuta, e jo dispozita kalimtare e Ligjit për prokurorinë. Ajo u përpoq të kundërshtonte brenda Parlamentit me deputetët, ndërsa jashtë me një protestë të mbështetësve të saj, por pa ndonjë sukses. Thirrjet e disa deputetëve që turma të pushtonte Kuvendin nuk patën sukses.

Berisha, sa doli nga votimi në Kuvend, kërkoi që deputetët e opozitës të hiqnin dorë nga mandatet e tyre, në shenjë proteste për shkeljen, sipas tij, të Kushtetutës, por liderët e partive opozitare, Lulzim Basha i PD-së dhe Monika Kryemadhi e LSI-së, nuk e ndanë të njëjtin mendim me të dhe premtuan se në janar do të nisnin protestat e përgjithshme.

Çfarë do të ndodhë mbetet për t’u parë, por duhet të kemi parasysh dhe faktin që në vitet e fundit mbështetja ndërkombëtare, e cila ka një ndikim të madh në politikën e Tiranës, nuk ka qenë në anën e opozitës, e cila deri para 25 qershorit 2017 përfaqësohej vetëm nga PD-ja. LSI-ja doli në opozitë në zgjedhjet e qershorit të kaluar.

Kryemadhi ka qenë më ashpër në qëndrimet e saj, duke filluar me rrëmujën që shkaktoi në Kuvend ditën e votimit, me marrjen e kartave të votimit të disa deputetëve socialistë dhe me hedhjen e çizmes së saj në ajër për ta goditur kryeministrin Rama. Kur doli në sheshin e protestës, ajo i bëri thirrje të turmës që ta sulmonte Kuvendin, por u pengua nga policia. Të gjitha këto ndodhën brenda një dite, por Kryemadhi nuk u ndal me kaq. Pak ditë më vonë ajo ia kujtoi Edi Ramës se “shqiptarët e kanë vendosur drejtësinë edhe në mes të Parisit, e jo më në Tiranë”, duke aluduar për vrasjen e Esad Toptanit më 1920 nga Avni Rustemi në Paris.

Lulzim Basha ishte më i matur në reagimet e tij, sepse ai e ka provuar më herët deri ku mund të shkojë me protestat. Vitin e kaluar ai u detyrua ta shkelë betimin e tij se nuk do të hynte në zgjedhje pa një qeveri teknike dhe pa Ramën kryeministër, por më në fund u dorëzua më tepër nga presioni ndërkombëtar, për të shmangur futjen e vendit në një përplasje civile. Ndaj vetëpërmbajtja e tij është më tepër garanci që të parashikojmë se vendi nuk do të shkojë në përplasje civile, pavarësisht sa të ashpra do të jenë protestat.

Deri në fund të dhjetorit përkrahja ndërkombëtare ka qenë dukshëm në krahun e qeverisë. Dy ambasadorët më të fuqishëm, i SHBA-së dhe BE-së, të cilët sillen në Shqipëri si të ishin guvernatorë në qeverisje të përbashkët të vendit, që nuk kanë lënë rast pa ndërhyrë për çdo lloj çështjeje, nuk e thanë kurrë një fjalë kundër kanabizimit të Shqipërisë më 2016. Sigurisht, kritikat do të ishin kundër qeverisë. Ata nuk u deklaruan as kur Kuvendi votoi për mosarrestimin e deputetit Saimir Tahiri, i akuzuar për përfshirje në trafikun e drogës, siç u bë publike nga prokuroria italiane. Për rastin e zgjedhjes së Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme, ambasadori amerikan në Shqipëri i kritikoi protestat e opozitës dhe dhunën e tyre, megjithëse ishte minimale, por nuk tha asnjë në lidhje me respektimin ose jo të Kushtetutës.

Opozita reagoi kundër ambasadorit amerikan, por Monika Kryemadhi ishte më e ashpër nga të gjithë. Ajo tha se kur partia e saj ishte në qeveri, ambasadori u kishte thënë ta votonin reformën në drejtësi pa opozitën, e cila ishte kundër, duke “blerë” 6 apo 7 deputetë të saj. Akuzat ishin të rënda, por ambasadorët duket se janë përshtatur me realitetin shqiptar ku deklaratat emocionale është e vështirë t’i dallosh nga realet. Ambasadori Donald Lu dhe Kryemadhi u takuan pas këtyre deklaratave pa ndonjë qejfmbetje të madhe.

Këtë vit pritet që dhe roli i ndërkombëtarëve në Shqipëri, sidomos i SHBA-së, të ndryshojë karshi qeverisë shqiptare. Bazë e këtij parashikimi është sjellja e qeverisë shqiptare në lidhje me vendimin e Uashingtonit për ta njohur Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit, nëse Uashingtoni do të veprojë sipas deklarimeve të bëra për rastin.

Tirana u deklarua kundër vendimit të presidentit Trump që në ditët e para, pa qenë fare nevoja, sepse nuk është ndonjë qendër e rëndësishme në nivel ndërkombëtar, aq më tepër që bëhej fjalë për daljen kundër një shteti që qeveria e tanishme dhe gjithë të tjerat para saj, nga vitit 1991 e këtej, e konsideron SHBA-në si aleatin e saj strategjik. Tirana zyrtare nuk u mjaftua vetëm me një deklaratë, por ajo votoi pro rezolutës së OKB-së, e cila ishte kundër vendimit të SHBA-së, më 21 dhjetor. Tirana e kishte në dorë ta zbuste qëndrimin e saj, duke abstenuar, siç bënë dhe disa vende të tjera europiane, si Polonia, Hungaria, Rumani, Çekia, të cilat janë dhe anëtare të BE-së, ndërkohë që BE-ja në shumicë votoi pro rezolutës.

SHBA-ja paralajmëroi, para votimit, vetë presidenti Donald Trump dhe ambasadorja e SHBA-së në OKB, Nikki Haley, se do t’i mbante shënim të gjitha vendet që do të votonin kundër për të rishikuar marrëdhëniet me to, sidomos në aspektin ekonomik. Veç ndihmës së drejtpërdrejtë që mund të marrin shumë vende, ata përfitojnë edhe nga ndihmat e OKB-së, ndërsa SHBA-ja është kontributori më i madh në buxhetin e OKB-së. Pa dyshim se çdo masë ekonomike, që mund të merret, do të ketë ndikim edhe në marrëdhëniet diplomatike dhe ekonomike ndërmjet SHBA-së dhe vendeve të tjera, përfshirë edhe Shqipërinë.

Nëse gjërat shkojnë sipas linjës së këtij parashikimi, që SHBA-ja t’i dalë kundër qeverisë së Tiranës, atëherë gjatë këtij viti të bëhet realitet një kërkesë e  ambasadorit Lu, e bërë në muajin nëntor, që në janar të niste arrestimi i “peshqve të mëdhenj”.