` . Shqipëria forcon kontrollin kufitar për kalimin e emigrantëve klandestinë nga Siria – TV-SHENJA

Shqipëria forcon kontrollin kufitar për kalimin e emigrantëve klandestinë nga Siria

Kalimi i emigrantëve klandestinë prej Shqipërisë drejt vendeve të Bashkimit Evropian ka vënë në alarm Malin e Zi. Ministria e Mbrojtjes së këtij shteti ka bërë të ditur se ushtria është vendosur prej të dy ditësh në kufirin me Shqipërinë për të ndaluar kalimin e emigrantëve që vijnë prej zonave të luftës.

Kufiri do të kontrollohet nga patrulla policore të përziera të Policisë dhe Armatës së Malit të Zi, kryesisht për të parandaluar kalimet e paligjshme të kufirit shtetëror me Republikën e Shqipërisë, si dhe veprime të tjera të paligjshme në kufi dhe në zonën kufitare”, thuhet në deklaratën për mediat.

Po ashtu saktësohet se nisma është marrë në bazë të vendimit të Këshillit të Mbrojtjes dhe të Sigurisë.

Ndërkohë, edhe në Shqipëri është forcuar kontrolli kufitar. Vetëm në datën 8 gusht janë ndaluar 16 emigrantë që ishin nisur prej Sirisë dhe Irakut për të kaluar drejt vendeve të BE-së. Në të njëjtën zonë, në datën 3 gusht, janë ndaluar edhe 14 të tjerë.

Pas shoqërimit në komisariat, ku japin dëshminë, emigrantët dërgohen në qendrën e azilit. Por shpesh dhe prej aty gjenden rrugët për të vazhduar tentativën e kalimit në vendet e Unionit.

Për shkak të situatës së krijuar, kreu Departamentit për Mbikqyrjen e Kufirit Shtetëror të Malit të Zi paralajmëroi në muajin maj ngritjen e një muri me tela, por që tashmë duket se pengesë do të bëhet ushtria.

Edhe Komisioni Evropian ka marrë në diskutim situatën e krijuar. Për këtë qëllim, u propozua edhe prezenca e 30 forcave të FRONTEX-it në kufirin mes Shqipërisë dhe Greqisë.

Por edhe mes vendeve të BE-së debati ka mbetur i hapur, ku propozimi për shpërndarjen e drejtë të azilkërkuesve dhe ideja e qëndrimit në vendin e parë mbeten molla e sherrit për shtetet më të mëdha të bllokut 28-anëtarësh.

Nga ana tjetër, Policia Kufitare e Shqipërisë ka kapur në Kapshticë 22 refugjatë të paligjshëm nga Siria. Burimet njoftojnë se emigrantët janë kapur në një autobus dhe të gjithë janë meshkuj.

Bëhet e ditur se vetëm tri ditët e fundit në zonën e Devollit janë kapur 56 refugjatë.

Pasi i është marrë deklarimi nga ana e policisë, klandestinët janë dërguar drejt qendrës së azilkërkuesve në Tiranë. /TRT/