` . Shqipëri, samit për Ditën Ndërkombëtare të Vajzave – TV-SHENJA

Shqipëri, samit për Ditën Ndërkombëtare të Vajzave

Kuvendi i Shqipërisë mirëpriti dhjetëra vajza të reja në samitin e parë në Shqipëri për Ditën Ndërkombëtare të Vajzave, pjesë e fushatës globale “Girl2Leader”.

Aktiviteti u organizua nën kujdesin e Aleancës së Grave Deputete të Kuvendit të Shqipërisë dhe organizatave të shoqërisë civile, ndërsa në fokus të diskutimeve ishin problematikat e vajzave në Shqipëri, fuqizimi dhe pjesëmarrja e tyre në politike, diskutimet për fenomenin e dhunës ndaj grave dhe çështjet e arsimit.

Në fjalën e saj në aktivitet ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale e Shqipërisë, Ogerta Manastirliu, tha se ky samit është një moment i mrekullueshëm.

“Gratë e zakonshme që kam njohur në punën dhe rrugëtimin tim drejt politikës më kanë frymëzuar dhe frymëzojnë çdo ditë. Ashtu sikurse më kanë hapur sytë dhe vetëdijesuar për përgjegjësinë që na bie mbi shpatulla, duke qenë shembull në sytë e atyre grave e vajzave që aspirojnë që një ditë të hyjnë në politikë”, tha Manastirliu.

Sipas saj, saj gratë dhe vajzat e realizojnë punën me ndjeshmëri dhe dhembshuri. “Një grua ka më shumë mundësi të shkëlqejë kur drejton, duhet vetëm të dijë të besojë, të mos pyes veten a mundem unë, por t’i thotë vetës ja pse mundem unë. Duhet vetëm që ju të besoni tek vetja, të merrni dhe ndani përgjegjësi dhe të bashkëveproni. Është koha e grave që mbështesin njëra-tjetrën. Ne duhet ti japim dorën njëra-tjetrës, për një përpjekje të përbashkët për më shumë gra në drejtim”, deklaroi Manastirliu.

Ndërsa kryetarja e Aleancës së Grave Deputete në Kuvendin e Shqipërisë, deputetja Dhurata Çupi, theksoi se çelësi i suksesit për të hapur çdo rrugë është që gratë dhe vajzat të vendosin pikësynime konkrete.

“Shpesh vajzat adoleshente përballen me disavantazhet e moshës, gjinisë, përkatësisë etnike, identitetit seksual, përkatësisë fetare dhe të ardhurave. Ne duhet të ngremë zërin dhe të reflektojmë për të mos pranuar një realitet të tillë dhe për tu zhytur në pamundësi e pafuqi, por ne të kemi fuqinë e të mund të ngrihemi në lartësinë e duhur”, u shpreh Çupi. /AA/