` . Shpikja e fundjavës në jetën e përditshme – TV-SHENJA

Shpikja e fundjavës në jetën e përditshme

Shumica prej nesh fundjavën e presim me padurim. Vetëm pëshpëritja “fundjavë” në mendje ngjall idenë e pushimit dhe kalimit të çasteve të bukura. Por, shumica prej nesh jemi në hall për të shfaqur në rrjetet sociale fundjavat tona fantastike.

Shkruan: Flora HAJDARMATAJ, Tropojë

Kohë e pakohë… Koha rrjedh shpejt dhe ikën. Sado që mundohemi ta kontrollojmë ose mbushim me aktivitete, sikur po shkon bosh. Kohë që pothuajse 24 orë mendojmë sesi të konsumojmë dhe shpenzojmë sa më tepër. Nëpër rrjetet sociale vërehet një përsëritje e aktiviteteve dhe ngjarjeve në mesin e njerëzve. Njerëzit, edhe pse jetojnë në vende të ndryshme të botës, ngjasojnë me njëri-tjetrin. Në fakt, sikur jemi një përsëritje ose jemi bërë krejt të ngjashëm… jemi standardizuar me veshjet (modën), stilin e jetës, shijet ose edhe mendimet tona sikur janë të orientuara drejt një spektakli, shfaqjeje, konsumi ose ekspozimi.

Në librin “Waitingfor the Weekend” autori Witold Rybczynski shtjellon kuptimin e ciklit të ditëve të javës dhe fundjavës. Rybczynski thekson se jeta jonë e përditshme është  “standardizuar” me aktivitetet e bëra fundjavës. Ndoshta fundjava është vetëm një hile e kulturës kapitaliste, një mjet për të rritur konsumin ose një zgjidhje për t’u larguar nga puna e mërzitshme?

Në serinë e shumëpëlqyer, të shfaqur në kanalin britanik itv “Downton Abbey”, ndërmjet viteve 2010-2015, shfaqet një sekuence ku përdoret fjala weekend (fundjavë). Në këtë seria, ku paraqitet jeta e përditshme e një familje aristokrate dhe shërbëtoret e tyre, gjyshja Lady Dowager, bëri pyetjen e famshme : “What’s the weekend?” (Çfarë është fundjava?), ndërsa u prit me çudi nga shikuesit në atë kohë. Ndërkaq, sipas fjalorit anglez të Oxford-it, fjala “week-end” për herë të parë është përdorur në revistën Notes and Queries në vitin 1879.

Shpikja e fundjavës

Shumica prej nesh fundjavën e presim me padurim. Vetëm pëshpëritja “fundjavë” në mendje ngjall idenë e pushimit dhe kalimit të çasteve të bukura. Por, shumica prej nesh jemi në hall për të shfaqur në rrjetet sociale fundjavat tona fantastike. Disa nga ne jemi ne shqetësim për të shfaqur se sa bukur e kemi kaluar fundjavën me shoqëri, me të dashurit tanë, në shëtitje, në kafe ose edhe duke bërë mëngjese. Disa e kalojnë vetëm duke pushuar dhe fjetur deri vonë.

Siç dihet, në shek. VI p.e.r java ose cikli 7-ditor së pari ishte praktikuar nga hebrenjtë, por brenda këtyre 7 ditëve nuk kishte asnjë ditë pushimi. Më vonë, në Romën e Lashtë në 8 ditë kishte një ditë pushimi (nundinae). Në këtë ditë nuk punohej, por shkohej në qytete për të blerë mall dhe shfrytëzohej për ritualet fetare. Ndërkaq, Kalendari Revolucionar Francez përbëhej nga 10 ditë (decates) dhe kishte vetëm 1 ditë pushim. Në kulturat në të cilat java ishte 4 ditë, 3 ditë ishin pushim (sebt). Dita sebt ishte kryesisht për pushim ose adhurim. Dita sebt për myslimanët ishte e premtja (xhumaja), për hebrenjtë ishte e shtuna dhe për të krishterët ishte e diela. Fjala “fundjavë”, që përdorim në ditët e sotme, doli në fillim të shek. XIX në zonën industriale në veri të Anglisë. Fundjava ishte shpallur pushim (duke filluar nga e shtuna pasdite) pas një marrëveshje mes pronarëve dhe punëtoreve. Ndërkaq, 5 ditë punë në jave filloi të praktikohej për herë të parë në vitin 1908 në Amerikë në fabrikën e pambukut “New England”. Në bazë të kësaj hebrenjtë nuk do të punonin në ditën sebt (të shtunën).

Në Amerikë, Kanada dhe Angli gjatë javës ishin përcaktuara 2 ditë pushim. Më vonë, në vitin 1955, filloi të praktikohej edhe në Evropë, por me gjysmën e ditës së shtunë dhe të dielën. Ndërsa në Perandorinë Osmane situata ishte ndryshe. Zakonisht dita e martë ishte pushim pas kërkesave të nxënësve të medresesë, në mënyrë që të kenë kohë për bërjen e detyrave dhe larjen e rrobave. Pastaj, iu shtua edhe dita e premte (xhumaja). Por, për herë të parë në historinë e Perandorisë Osmane ceket prijësi islam Molla Fenari, i cili e shpalli edhe ditën e hënë si ditë pushimi. Në vitin 1826 dita e premte ishte pushim për punëtoret, mësuesit dhe nxënësit, ndërsa për të krishterët dhe hebrenjtë ishte pushim e shtuna ose e diela.

Sa më shumë kohë të lirë, aq më shumë fitim

“Një jetë që nuk shqyrtohet, nuk ia vlen të jetohet” thotë Sokrati. Nisur nga kjo, aktivitetet e bëra gjatë jetës së përditshme nuk duhen parë si një rutinë, por duhen shqyrtuar nga shumë aspekte. Ato që i solli modernizmi për njeriun ishte “standardizimi i tepruar”, duke ofruar vetëm një “tip të njeriut”.

Në këtë rast media ka luajtur rolin kryesor me të gjithë mekanizmat e saj, si: reklamat, propaganda, moda, imazhet dhe spektaklet. Kjo ka ndikuar që njerëzit të jenë me aktivë në të gjitha fushat e jetës së përditshme. Me konkretisht, gjuha dhe imazhet që ofrohen përmes mediave dhe masmediave kanë bëre që edhe kohën tonë, vendet, trupat, mendimet dhe, madje, edhe shpirtrat tanë t’i përkushtohen kulturës se konsumit. Siç shprehet edhe sociologu i njohur Jean Baudrillard, aktivitetet e kohës së lirë janë në shërbim të shoqërisë se konsumit. Pra, për sistemin kapitalist koha e lirë është një kohë që shërben për të rritur produktivitetin në prodhim dhe po ashtu prodhimin e rritur për ta konsumuar.

Prodhuesi i famshëm i automobilave Henry Ford mendonte se “Njerëzit që kanë më shumë kohë të lirë, do të kenë më shumë rroba, do të hanë më shumë ushqime të ndryshme dhe do të kenë nevojë për më shumë makina”. Nisur nga kjo logjikë, Ford-i vërejti se punëtorët e tij mund të ishin konsumuesit më të mirë dhe për të blerë makinat e tij, do u nevojitej kohë për t’i përdorur ato. Kështu në vitin 1926 ai e bëri pushim në fabrikën e tij ditën e shtunë dhe të dielën. Ky mund të konsiderohet njëri nga hapat më të rëndësishëm të normalizimit të fundjavës si pushim. Vetëm se kjo paraqiste një kontradiktë te madhe në vete, pasi që fundjava, duke u konsideruar për pushim, shfrytëzohej edhe për konsumim. Në të njëjtën kohë kjo ishte edhe një “hile e fshehtë”, që punëtorët të ishin të detyruar për punë në vazhdimësi.

Përveç punëve që jemi të detyruar për t’i bërë, koha e lirë shërben edhe për aktivitete të tjera, si sport, argëtim, aktivitete shoqërore etj. Por, fundjava ose edhe ditët e tjera të pushimit, sa mund të konsiderohen kohë e, ndërkohe, që shumica prej nesh planifikojmë se si do ta shfrytëzojmë çdo minutë – mëngjesin me familje, kafen me shoqëri, ndonjë kurs, shëtitje në qendrat tregtare dhe në mbrëmje të shkosh në kinema. Dhe, e gjithë kjo kohë kryesisht kalon duke shpenzuar. Me pak fjalë, ne punojmë gjatë javës që të shpenzojmë gjatë fundjavës. Prandaj, duke i menduar të gjitha këto, sa jemi të lirë ta jetojmë siç duam kohën e lirë kur edhe kohën e lirë e kemi të planifikuar?