` . Shpikja e armikut – TV-SHENJA

Shpikja e armikut

Unë nuk kam faj kur kam kaq shumë llum përballë. Kjo gjendje shkon përtej frikës. Madje, nuk është aspak e guximshme në kuptimin e mirëfilltë të guximit dhe jo në versionin “guxim prej budallai”

Shkruan: Nuredin NAZARKO, Korçë

Njeriu! Qenie e paparashikueshme. Shumë mistere mban brenda vetes. Sado gjëra të reja zbulon në rrjedhën e kohës, nuk shteron. Lidhet dhe korkolepset me situata të cilat shpesh nuk janë gjë tjetër, pos stuhi në gotë. Janë stuhi të cilat i ngrenë një takëm syresh për të tërhequr mbi vete mbulimin me mantelin e justifikimit. Ky mantel hidhet në arenë sipas situatave, nevojave dhe rrethanave. Kjo, sepse, ky takëm e njeh shumë mirë kameleonizmin. Për rrjedhojë, nuk shkëputet dot nga njohja e vjetër. Është një njohje që e mban peng ose, më saktë, i pëlqen të mbahet peng.

Justifikimi për veprimet e kryera është nga më të pëlqyerat punë për egon. Të justifikosh veprimet ose fjalët në çdo situatë ku gjendesh nuk është thjesht kameleonizëm. Është më rëndë se kaq. Tek syresh që shfaqet kjo simptomë ka ngërçe të forta, që nuk ia kanë dalë dot t’i kapërcejnë me kurajë dhe guxim. Frikërat për humbjen e asaj çfarë kanë arritur i detyron të detyrojnë veten me kontraktime, spazma për të tërhequr mbi vete shndërrimin në viktima. Shndërrimi në viktimë tek këta syresh është jo thjesht një pasojë e zakonshme e frikës së humbjes. Gjendja është më shumë se e rëndë. Viktimizimi tek këta syresh është djallëzor dhe i përllogaritur.

Duke u viktimizuar, këta syresh dalin nga rrathët e vështirësive, duke ngritur gishtin akuzues ndaj tjetrit përballë. Është ky përballë që pengon, vendos shkopinj nën rrota, bllokon, shpif, mashtron. Unë nuk kam faj kur kam kaq shumë llum përballë. Kjo gjendje shkon përtej frikës. Madje, nuk është aspak e guximshme në kuptimin e mirëfilltë të guximit dhe jo në versionin “guxim prej budallai”. Stërhollimi i shkaktarëve që bllokojnë sukseset e këtyre syresh synon të ngjizë idenë se këta qenkan njerëz të mirë, por i ligu nuk po i lë të punojnë.

Projektimi i dështimeve në rrafshin personal tek tjetri përballë është i qëllimshëm, për të qenë gjithmonë i mbrojtur nga statusi “Ponc Pilat”. Ky status i jep mbrojtje në sytë e masës. E vesh me aureolën e njeriut të shtypur dhe të nëpërkëmbur, për të cilin të tjerët duhet të vendosin dorën në zemër. Dhe, mbi të gjitha, edhe sikur të jetë strumbullari i padrejtësisë, do të dalë krejt i pafajshëm prej justifikimeve që të tjerët i marrin për të vërteta. A mund të gënjejë një viktimë e këtij rangu? Çfarë interesi ka të na hedhë hi syve? Përderisa ndodhet në këtë gjendje, me siguri po i bëhet padrejtësi e rangut të lartë.

E bukura te këta syresh qëndron tek fakti se vazhdimisht propagandojnë gjendjen e viktimës. Kanë vullnet për gjëra të kësaj natyre. Këmbëngulin në të tyren. Madje, janë aq këmbëngulës, saqë te tjerët që qëndrojnë jashtë rrathëve të vështirësive të personalitetit të tyre dorëzohen pa kushte dhe u besojnë verbërisht në shumicën e rasteve. Aftësi për t’u çuditur sesi arrijnë ta fitojnë jo vetëm pafajësinë, por edhe të shndërrohen në njerëz të afërt për masën. Çuditërisht masa u beson.

Nëse syresh kanë pozitë të caktuar shoqërore, shfaqen edhe më agresivë në viktimizimin e tyre. Tani përballë tyre nuk ka më thjesht llum, batak që nuk i lejon të ecin lirshëm. Për ta ruajtur pozitën ose statusin e lartë shoqëror, duhet një manovër e re. Një marifet i ri. Dhe, mendja e këtyre syresh nuk e ka për gjë të fabrikojë manovra. Në këso rastesh shpikin armikun. Përballë tyre qëndron tjetri armik. Dhe, ky armik është çdokush që nuk u përshtatet dhe përputhet shijeve të të viktimizuarit. Është çdokush që nuk i vjen pas avazit. Që nuk ia kreh bishtin. Çdokush që shfaq edhe grimcën më të vogël të rebelimit ndaj këtij personaliteti të madh se jo më kot masa i ka ngritur piedestalin ku qëndron ulur.

Pse i duhet armiku? Armiku është gogoli që tremb ithtarët, dishepujt e vet. Armiku është gogoli që “do t’iu rrëmbejë” atë që kanë rrëmbyer, por tashmë është e tyrja se kështu e desh historia. Armiku qëndron si shpata e Demokleut. Për rrjedhojë, forcohen radhët. Mblidhen përkrahësit dhe vendosin të mbajnë me çdo kusht pozitat, përballë armikut, që edhe gjumë nuk fle për të minuar arritjet.

Edhe po të mos ketë asnjë rrezik kërcënues, këta syresh do ta shpikin me patjetër një armik që i kërcënon. Nuk ka fuqi më të madhe përbashkuese në një grup shoqëror sesa rreziku i armikut gogol, që mund ta kthejë përmbys jetën e masave.

Shpikja e armikut do t’i mbulojë deformimet e personalitetit dhe përballë masës do të dalë si hero. Heroi që mposhti kuçedrën. Që i preu 7 gjuhët dhe të 7 majat e gjuhëve i mbajti si provë ndaj tjetrit armik, që kërkonte t’ia rrëmbente flamurin e fitores ndaj së keqes. Këtu na shfaqet edhe si bamirës. Por, duhet të jemi të bindur se kuçedrën nuk e vrau thjesht sepse kërkonte haraçin, por sepse kështu përgatiste terrenin e heroit që drejtimi i masës i dorëzohet pa kushte.

Në sajë të kësaj mënyre të vepruari, fsheh “mrekullisht” deformimet e personalitetit, të cilave u reziston me shumë mund ose nuk u reziston aspak. Duke fshehur personalitetin e vërtetë, nuk e pranon kurrsesi përgjegjshmërinë e fjalëve që thotë dhe veprave që kryen. E ç’mbetet nga virtyti i burrërisë për këta syresh?

Tash, a na duhet të ecim gjurmëve të këtyre syresh?