` . Shpërthimi i kapitenit Rrahmani në rrjetet sociale pas rrëzimit të Kurtit: Ra njeriu që ka marrë vota më së shumti në vitet e fundit, ra fjala e popullit - TV-SHENJA

Shpërthimi i kapitenit Rrahmani në rrjetet sociale pas rrëzimit të Kurtit: Ra njeriu që ka marrë vota më së shumti në vitet e fundit, ra fjala e popullit

Kosova ka mbetur pa qeveri pasi është rrëzuar nga një mocion kryeministri i deritanishëm Albin Kurti.

Mocioni i ngritur nga Lidhja Demokratike e Kosovës kaloi me 82 vota pro rrëzimit të qeverisë, 32 kundër dhe një abstenim.

E për rrëzimin e Albin Kurtit ka shkruar edhe kapiteni i Përfaqësueses së Kosovës, Amir Rrahmani.

Prishtinasi që luan në Serie A te Hellas Verona ka bërë një postim të gjatë në Instagram, ku fillimisht theksoi se nuk është marrë kurrë me politikë, por çuditet se si në një situatë pandemie politikanët mbajnë seancë.

“Asnjëherë nuk jam marrë me politikë, por në një situatë pandemie të kenë më shumë rëndësi interesat personale se sa shëndeti i kosovarëve, nga të cilët nesër do të kërkojnë votën prapë, është e pakuptueshme”, ka shkruar fillimisht Rrahmani.

Tutje Rrahmani ka thënë se e do Kosovën e tij dhe dëshiron që vendi i tij të përparojë edhe më shumë.

“Edhe sa duhet te presim që Kosova të bëhet një shtet evropian? Si çdo kosovar, edhe unë dua që shteti i imë të përparoj, që të kemi një jetë më të mirë të gjithë sepse një ditë edhe unë dua të kthehem dhe të jetoj aty. Është vendi i ynë. E DUA”.

Krejt në fund kapiteni i Përfaqësueses së Kosovës shkroi se u rrëzua njeriu që ka marrë më së shumti vota në 15 vitet e fundit dhe me këtë veprim është rrëzuar fjala e popullit.

“Njeriu që ka marrë vota nga populli më së shumti në 15 vitet e fundit, bie. Bie edhe fjala e popullit”, përfundoi shkrimin e tij kapiteni kosovar.

Kujtojmë që Rrahmani si gjithë banorët e Italisë momentalisht ndodhet në karantinë për shkak të pandemisë Covid19 që ka shpërthyer në Itali dhe në gjithë botën.

26-vjeçari po kalon vitin e tij të parë në Serie A, ndërsa nga 1 korriku do t’i bashkohet gjigantit italian Napoli. /Telegrafi/