` . Shpërngulja e trurit si kancer social: Konteksti ballkanik - TV-SHENJA

Shpërngulja e trurit si kancer social: Konteksti ballkanik

“Si mund të mos jetë “helm” kafja që ma servir përditë në një lokal të Tiranës, ish studenti im që e kam diplomuar për filozofi?”

Artan Fuga

“Fjalët e mia nuk janë për veshët tuaj” (Nietzche, Zaratustra)

një i ri nga Maqedonia “kandidat” për emigrim

Ali Pajaziti

Shpërngulja e trurit: Vështrim konceptual

Sintagma shpërngulje e trurit (ang. brain drain) nënkupton lëvizje apo ikje masive e individëve të kualifikuar (hulumtues, akademikë dhe shkencëtarë) nga një vend në një tjetër që ndryshe quhet edhe “vend pranues”. (Horvat, 2004: 76-93) Nga këndi i sociologjisë dhe ekonomisë, shpërngulja e trurit është çështje e burimeve njerëzore në raport me zhvillimin shoqëror dhe nënkupton kalimin e burimeve njerëzore cilësore të një vendi në një vend tjetër, largimin e kapitalit njerëzor me aftësi të larta teknike ose dije të shkëlqyera në shtetet e jashtme. Zakonisht shpërngulen shkencëtarët, mjekët, inxhinierët dhe profilet e tjera të kualifikimeve larta, të cilëve vendi amë s’u ka gjetur punë. Shtetet që lejojnë emigrimin e trurit më cilësor të tyre s’mund ta plotësojnë në asnjë mënyrë këtë zbrazëtirë, as me ekspertë të përkohshëm e as në saje të personelit teknik. Shtetet që pranojnë mërgimtarë bëjnë kursime të mëdha sepse nuk shpenzojnë për formimin e kuadrove të ardhura nga jashtë dhe së pari i pranojnë përkohësisht kokat e kultivuara e më pas duke parë përfitimet u japin nënshtetësi atyre dhe me këtë përfitojnë burime cilësore për sektorët e ndryshëm shoqërorë. Këto shtete e përdorin trurin e huaj më tepër në sferën e hulumtimeve dhe të inovacioneve. Vendet që e humbin trurin fundosen edhe më thellë dhe s’mund të garojnë me vendet e përparuara. Shpërngulja e trurit është trellojëshe: prej vendeve të pazhvilluara në ato të zhvilluara, prej vendeve në zhvillim e sipër në vendet e përparuara dhe prej vendeve të zhvilluara në vende të tjera të zhvilluara. Sipas Brinley-t, lloji i fundit më tepër mund të kuptohet si qarkullim ndërkombëtar i kapitalit njerëzor. Një lloj tjetër i shpërnguljes së trurit është edhe ai i fshehtë (Adams 1971), që nënkupton fuqinë kualitative të një vendi që punon nëpër institucione të huaja brenda vetë atij vendi.

Sidoqoftë destinacionet kryesore të shpërnguljes së trurit janë SHBA, vendet europiane, Kanadaja, Australia dhe kohëve të fundit vendet e Gjirit, si Emiratet, Katari etj. ShBA-të ndërmjet viteve 1949-1967 kanë pranuar 100 mijë mjekë, shkencëtarë dhe inxhinierë. Dimitris (1970) në një hulumtim thekson se të ardhurat që i kanë siguruar SHBA-të mund t’i arrinin vetëm nëse hapnin dymbëdhjetë fakultete. Ky shtet vazhdimisht vjel trurin e huaj. Logjika është ekonomike: një student deri në përfundim të studimeve SHBA-ve ju kushton diku rreth 250 mijë $ dhe kuadrot e gatshme nga jashtë janë më të lira dhe më cilësore, meqë vjen ajka e studentëve. Vendet e zhvilluara janë në shënjestër të vendeve që humbin “trurin” e tyre. Në këtë kontekst në prill të vitit 2001 Kryetari i Këshillit për Hulumtime Mjekësore të Republikës Jugafrikane, Dr. W. Makgoba, gjatë vizitës së Kanadasë protestoi karshi gjahut të organizuar të profesionistëve të shëndetit që bëhet nga qeverisjet lokale të Kanadasë. (Erdoğan, 2003: 88)

Ndër shkaqet që nxisin largimin e trurit janë këto: çekuilibri mes burimeve njerëzore të arsimuara dhe kërkesës për to, dallimi i madh në pagat që jepen për të njëjtën punë, pakënaqësia shpirtërore, të qenët e vendeve të zhvilluara qendra tërheqëse në hulumtime, shkencë, teknologji, avancime dhe zhvillim, paqëndrueshmëria politike dhe ekonomike e vendeve të pazhvilluara dhe në zhvillim e sipër, tëhuajësimi kulturor i kuadrove që nuk janë edukuar sipas parimeve të arsimit kombëtar, arsimimi në gjuhë të huaj, mjetet e komunikimit masiv që nxisin pakënaqësinë nga kushtet vendore etj. (Erkal, 1997: 56-58)

Horvat dhe Chappell kanë bërë një tipologji dyshe të faktorëve që ndikojnë në shpërnguljen e trurit: faktorët shtytës (push) si të ardhurat e pakta, kushtet politike, burokracia shtangëse dhe ata tërheqës (pull) si standardi i lartë, kushtet e mirëqenies, karriera, përvojat e reja, kontaktet personale etj.

Ka edhe shkencëtarë që mendojnë se ky fenomen nuk duhet shikuar vetëm në aspektin negativ, se duhet trajtuar në mënyrë ambivalente, madje edhe si fenomen pozitiv. Sipas tyre, është e vërtetë se me migrimin shteti humb një kapital cilësor njerëzor, e humb investimin e vet që e ka bërë përmes procesit të arsimimit, por fenomeni i shpërnguljes së trurit është gjithnjë e më prezent, sepse bota ndryshon dhe migrimet ndërkombëtare përbëjnë faktor të rëndësishëm të këtyre ndryshimeve globale. Pra ky tabor i dijetarëve duan të thonë se shpërngulja e trurit shoqërisë i sjell dinamizëm. Në botën bashkëkohore, në epokën e globalizimit, shkëmbimi i trurëve shihet si dukuri e kohës, shpërngulja e kuadrove me kualifikim të lartë larg vendit të jetesës shihet si mundësi lehtësuese që vendet më pak të zhvilluara të integrohen në ekonominë globale (Драговиќ, 2013), madje si forcë e madhe për promovimin e zhvillimit ekonomik përmes një morie instrumentesh, si remitancat, tregtia, investimet e huaja direkte (FDI) dhe transferta e diturisë. Si shembull për këtë e japin avancimin e kompanive të teknologjisë së lartë të Indisë dhe Kinës si rezultat i diasporës në Ultësirën e Silikonit. (Saxenian, 2002, in Stanković et. al., 2013)

Shpërngulja e trurit në Europën Juglindore

Shpërngulja e trurit, përbën një fenomen global që ka përfshirë edhe Europën Juglindore, pra vendet ish-socialiste, të cilat po përballen edhe me sfidën e humbjes së kuadrove të veta të profileve të ndryshme që kërkojnë kafshatën e gojës dhe mundësitë për vetërealizim diku jashtë vendlindjes, në vendet ekonomikisht të ngritura.

Marrë në përgjithësi, fotografia e vendeve të Ballkanit në raport me shpërnguljen e trurit është shumë negative. Nuk janë të rralla rastet kur njerëzit me diploma ta arsimit superior punojnë punë të thjeshta, si ai i 28-vjeçarit Nisvet Pašić nga Fojnice, magjistër i agrikulturës i cili shet telefonë dhe pajisje në Sarajevë, ai i malazezit Mrkulićit që ka kryer shkencat kompjuterike aplikative dhe punon si kamerier, i kosovarit Cakolli, magjistër i të drejtës i cili punon gjithashtu si kamerier, i komunikologut të ri kroat Zdilar që punon si postier dhe fiton edhe si fotograf dasmash. (rtcg.me)

Në vazhdim, përmes shifrave dhe fakteve do ta skenojmë gjendjen reale në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Sipas institucioneve serbe, në 25 vitet e fundit Serbinë e kanë braktisur 300 mijë njerëz të rinj të arsimuar, 12.000 veta me diplomë çdo vit. Në aspekt të shpërnguljes së trurit, sipas të dhënave të USAID-it, vetëm Guinea Bisao është në gjendje më të keqe se ky vend (pozita 143). Sipas Radio-Televizionit të Serbisë (7.12.2014), Serbinë çdo vit e braktisin më tepër se 32.000 qytetarë. Në Austri çdo vjet vendosen nga 4.000 serbë, kështu që çdo i dhjeti qytetar i Vjenës është serb. Sipas Entit Statistikor, para katër dekadave, vetëm 2 % i atyre që kanë emigruar jashtë vendit kanë qenë me diplomë fakulteti, kurse sot kjo shifër është 15%. Kuadrot që ikin janë deficitare për vetë shoqërinë serbe, të diplomuar për ekonomi, mjekësi, stomatologji dhe elektroteknikë.

Ky fenomen Serbisë nga viti 1990 deri në 2000 i ka shkaktuar një dëm prej 12 miliardë dollarësh. Mbi 84 % e studentëve të Universitetit të Beogradit aktivisht kërkojnë mundësi për vetërealizim jashtë vendit.

Pasiguria ekonomike dhe papunësia janë faktorët kryesorë të ikjes së të rinjve serbë. Dragana Mançiq, ka punuar për Chevron, në kolegjin australian në Kuvajt, me certifikatë Kembrixhi, dhe pas kthimit në vendlindje, në Serbi, gjithë ky bagazh asaj nuk i ka mjaftuar për të gjetur një vend pune. Sipas Shërbimit Kombëtar për Punësim, në Serbi ka 202.000 të papunë të rinj, 20.000 me arsim të lartë. (B92)

10.000 qytetarë të Bosnjës dhe 9000 të Kroacisë mes moshës 25 dhe 35 e lëshojnë atdheun e tyre çdo vit kalendarik. (Jukić, 2013) Kroacia ka probleme serioze demografike. Supozohet se në vitin 2050 ky vend do të ketë 700.000 banorë më pak se sot; numri i popullatës së vjetër do të rritet për 80 %, kurse kontingjenti i popullatës të aftë për punë do të zvogëlohet për 20 %. (Filipović, 2015) 55% e rinisë kroate dhe 75% e asaj boshnjake nuk shohin një të ardhme në vendin e tyre. (Balkankult.com)

“Të rinjtë nga vendet e rajonit dëshirojnë të shkojnë jashtë vendit për të gjetur punë që do t’u lejojë atyre të realizojnë ambiciet dhe planet e tyre. Në Ballkan, ata padyshim nuk mund ta bëjnë këtë” – është shprehur për Anadolu, ekspertja kroate e migracionit, Silva Mežnarić.

“Studimi i vitit 2009 i Institutit Vjenez për Migrime Europiane ka treguar se nga viti 2000 deri në vitin 2007, Kroacinë e kanë braktisur 67.473 njerëz, që do të thotë se rreth 8500 kroatë në vit jetë më të mirë kërkojnë në një nga vendet e UE-së. Prej tyre 12 % janë me diplomë universitare, gjegjësisht 1000 ekspertë me arsim të lartë. (Jutarnji List, 15.06.2009) Sipas Bankës Botërore Kroacia ka përqindjen më të lartë, 29.4 %, në Europë të migrimit të qytetarëve me arsim të lartë.

Të dhënat e Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO WESO) parashikojnë një përqindje të lartë të papunësisë për Malin e Zi (38.8%) dhe Serbinë (47.5%), kurse KDHR për vitin 2012 ka shënuar shifrën 55.3% të të papunëve në Kosovë. Vetëm në janar të vitit 2015 10.000 kosovarë kanë aplikuar për azil në Hungari. (Bibić, 2015) Sipas të dhënave të Friedrich Ebert Stiftung të Tiranës (maj 2015) në Kosovë papunësia e grupmoshës deri më 30 vjeç është 70%; vetëm 3 nga 10 veta të rinj janë të punësuar.

Numri i pedagogëve dhe hulumtuesve që kanë emigruar nga universitetet dhe institucionet shkencore shqiptare gjatë periudhës 1990 – mars 1998 është i  konsiderueshëm. Sipas një studimi, në vitin 1997, 35.8% e numrit të përgjithshëm të studiuesve dhe pedagogëve universitarë kanë shprehur dëshirë për të migruar jashtë vendit. (Memaj, 2008: 630) Sipas Ambrosettit (2013), 1074 studiues kanë emigruar nga Shqipëria në periudhën 1990-2008. Çdo vit, 2000 studentë largohen nga Shqipëria për të studiuar jashtë vendit, kurse 66% e studentëve që kanë kryer studime doktorature në vendet e Evropës Perëndimore ose në SHBA (të diplomuar pas viteve 1990) kurrë nuk u kthyen në vendlindje ose pas kthimit sërish kanë emigruar në vendet me ekonomi të avancuar (Gëdeshi, 2008, në EMA, 2010: 6)

Për shkak të mungesës së mundësive, të rinjtë e Malit të Zi gjithnjë e më tepër migrojnë nga pjesa veriore në pjesën qendrore dhe jugore të këtij vendi. Një studim i vitit 2014 për diasporën malazeze konstaton se 6.2 % e qytetarëve të këtij vendi që jetojnë jashtë janë me diplomë universitare. (Bibić, 2015)

Në disa vende të Ballkanit “kthimi i trurit” apo i punëtorëve të arsimuar dhe të kualifikuar është shndërruar në pjesë të ligjëratës dhe strategjive publike. Në vitin 2004, Dragan Primorac, ministri kroat i shkencës, në Kongresin e parë të shkencëtarëve kroatë (nga Kroacia dhe diaspora), i ftoi akademikët emigrantë që “të kthehen në shtëpi”. Po atë vit, Ministri iu dërgoi letër qarkore rektorëve të universiteteve kroate për të hapur procedurë për t’iu përgjigjur pozitivisht kërkesave urgjente të shkencëtarëve që kanë provuar përsosmëri në fushën e tyre ose të shkencëtarëve të rinj që dëshirojnë të kthehen në atdhe. (Okružnica, 2004) Profesor Ivica Grković, i cili ka punuar në Universitetin e Melburnit për 12 vjet të plota, është një nga të kthyerit në Kroaci pas një karriere të suksesshme shkencore. Ai sot punon në Universitetin e Splitit, në Departamentin e  Anatomisë të Shkollës së Mjekësisë,.

Në Serbi, ndonëse Ministria e Diasporës është themeluar në vitin 2004, akoma nuk ka ndonjë program për pengimin e ikjes së trurit. Në Slloveni ka një organizatë të pavarur publike për krijimin e një zone kërkimore evropiane: Agjencia Sllovene për Hulumtime (ARRS). Dr. Janez Slak, Ndihmës Drejtor i ARRS ka deklaruar se në kuadër të ARRS nuk ka programe për ballafaqim me dukurinë e shpërnguljes së trurit. (Puljak, 2008: 38-39)

Në Bosnjë ka një departament brenda Ministrisë për të Drejtat e Njeriut dhe Refugjatët (MHRR), Departamenti i Diasporës, i cili zhvillon aktivitete për zhvillimin e politikave dhe strategjive për diasporën, kur përfshihet edhe mbledhja e të dhënave dhe identifikimin e qytetarëve të kualifikuar të BeH jashtë vendit, si dhe për krijimin e kontakteve me rrjetet ekzistuese të diasporës. (Nikoliq, 2010: 24)

“Një shembull pozitiv në këtë drejtim është “Fondi Brain Gain” i  Kosovës. Projekti u lançua në vitin 2010 me qëllim të rikthimit të hulumtuesve të lartë dhe rivendosjes së tyre përgjithmonë në Kosovë. Pasi nuk tërhoqi ndonjë interes, ministria përgjegjëse për menaxhimin e saj ndryshoi fokusin në sigurimin e fondeve për profesorët e lartë që të kalonin vitet e tyre të pushimit të paguar (sabattical) në Kosovë “. (Bibić)

Edhe Shqipëria  ka miratuar një program të mbiquajtur “Brain Gain: Angazhimi i Diasporës në Zhvillimin e Shqipërisë”, që synon krijimin e ligjeve dhe strukturave institucionale që do t’iu mundësojnë studiuesve të talentuar të kthehen në Shqipëri. Ky program ndihmon universitetet dhe administratën publike të punësojnë individë të kualifikuar që kanë diplomuar jashtë vendit dhe janë përzgjedhur përmes konkurseve  transparent.

Një strategji shumë e dobishme për reduktimin e shpërnguljes së trurit është i  ashtuquajturi “opsioni i diasporës” që përpiqet të krijojë modele të përfshirjes së emigrantëve të cilësisë së lartë në skemat e zhvillimit kombëtar pa i detyruar ata të kthehen përgjithmonë në vendin e origjinës.

Postime të Ngjajshme