` . Shoqata Kulturore ‘Vizioni-M’ shënon 20 vjetorin e themelimit (VIDEO) – TV-SHENJA

Shoqata Kulturore ‘Vizioni-M’ shënon 20 vjetorin e themelimit (VIDEO)

Me një manifestim solemn, Shoqata Kulturore Vizioni-M ka shënuar njëzet vjetorin e themelimit të saj. Gjatë prezantimit të historikut të shoqatës, u tha se fundvitet e 90-ta ishin kohëra shumë të vështira, megjithatë disa studentë vendosën të themelojnë një shoqatë që në atë periudhë ishte sfidë mjaft e madhe. e vështirë, por që vullneti dhe dëshira e tyre për të pasur një të ardhme ishte e pathyeshme. Erduan Dauti nga Shoqata Vizioni-M, tha se përgjatë viteve, dikush u aktivizua në aktivitete kulturore apo arsimore duke vazhduar në edukim fetar, duke qenë të bindur se e mira nuk vjen vetëvetiu por se duhet punuar për të, vazhduan parreshtur drejt qëllimeve të tyre.

Erduan Dauti, përfaqësues nga Vizioni-M: Viti 1998 ishte viti ku sapo kishin përfunduar protestat kundër arsimit të lartë shqip në Shkup, ndërsa pranvera e atij viti ishte fillimi i luftës së Kosovës dhe rënja heroike e familjes Jashari. Është pastaj viti kur po përgatitej një ndryshim politik në Maqedoni dhe krejt këto, ishin shtytje që disa të rinj, sot mbi 40 vjecarë, ndërsa atëkohë studentë, pas shumë kuvendimeve e diskutimeve kishin vendosur që duhet të veprojnë.

I pranishëm ishte edhe teologu Sadush Tahiri, i cili mes tjerash përkrahu fuqishëm punën e palodhshme njëzetvjeçare nga gjeneratat e ndryshme dhe tha se përkushtimi maksimal sjell fitore.

Sadush Tahiri, teolog: Suksesi do të jetë vetëm për ata që këtë çështje e morrën mbi supe dhe e bartin këtë amanet me suksesin e veçantë. Zoti na e bëftë që pas çdo suksesi të na ruaj nga dështimi.

Aktivistë të shoqatës Vizioni M kanë pergatitur edhe një katalog ku janë prezantuar aktivitetet e shumta të kësaj shoqate. Projekti është përkrahur nga ministria e kulturës, ndërsa të pranishmëve iu drejtua ministri Asaf Ademi, i cili përshëndeti punën e palodhshme njëzetvjeçare dhe uroi që ky rrugëtim të vazhdojë në shumë gjenerata për shumë vite të tjera.

Hava Tahiri /SHENJA/