` . Shkupi, kjo bukuri që vret - TV-SHENJA

Shkupi, kjo bukuri që vret

Kalldërme të krisura. Çarshi pa libra. Teatër  pa publikë. Rini pa guidë. Udhëkryqe pa semaforë. Historia e një qyteti që ka humbur veten

Teuta Buçi

Minilibraria e vetme e qytetit që numëronte ndoshta pesë rafte u mbyll së fundmi. Nuk i priti gjethet e para të vjeshtës dhe ngjyrat piktoreske që merr kjo stinë, e as studentët e ri që sjell fillimviti akademik. Njerëzit që lexojnë libra e që i duan ato sërish do të gjejnë mënyra se si të furnizohen me to, por ama është e dhimbshme që në një kryeqytet ku ka dy universite shqipe të mos ketë asnjë bibliotekë. Kjo ndoshta pasqyron më së miri (mos)dashurinë tonë ndaj librit. Është e dhimbshme shpërfillja që kemi ndaj librit, ndaj diturisë, ndaj zhvillimit intelektual…

Në situata normale Shkupi shqiptar do të duhej të ishte qendra e edukimit arsimor me kuadrot më cilësore dhe më intelektuale që do të ishin pikë referimi për gjithë shqiptarët e qyteteve të tjera të vendit, por tek ne, pasi që situata nuk është normale, ndodh krejt e kundërta. Ndodh kështu pasi Shkupi shqiptar që moti është lënë pas dore me ose pa djallëzi. Kush e di, ndoshta dikush ndjehet më komod kur shqiptarët këtu e kanë horizontin e kufizuar, vizionin e shkurtër, zërin e ulët, janë indiferent dhe të dëgjueshëm… dhe ndoshta kjo ka funksionuar fare mirë. Sapo vërehet revoltë dhe lodhje për këtë gjendje, gjakrat qetësohen si me magji me vendosjen e ndonjë përmendoreje diku në ndonjë cep të qytetit, apo në situata më paradoksale me ndonjë deklaratë me retorikë nacionaliste.

Por, patriotizmi fillon e përfundon këtu, ani pse kemi mungesë të shkollave e qendrave edukative e kulturore, ku do të dëshmonim veten si komb e të cilat do të nxirrnin kuadro të cilët do të nderonin kombin e do të jepnin kontribut për të. Edhe ato pak institucione edukativo – arsimore që janë, me ose pa strategji, me një kujdes të veçantë dhe delikatesë të rrallë, janë vendosur në zona të paurbanizuara. Secila më e paurbanizuar se tjetra. Duke bërë që të shkëpusim lidhjen me botën urbane dhe të civilizuar.

Kjo ka rezultuar që Shkupi të ketë mungesë të elitës intelektuale, kulturore e politike. Sepse, këtu intelektualët tallen e ngriten të paditurit, artistët konsiderohen të “çmendur” e idealizohen banditët, të rinjtë janë grup interesi vetëm kur ata sjellin vota partiake, në momentin që ata janë të vetëdijshëm dhe të pavarur janë të padobishëm për shoqërinë. Sepse, shqiptarët këtu janë të djallëzuar me miqtë dhe deri në naivitet të sinqertë me armiqtë. Ai nuk të do nëse ti nuk mendon si ai, nëse ti je i sinqertë dhe e thua të vërtetën e ndryshme nga ajo që beson ai. Ai nuk të do nëse ti ke njohuri më shumë se ai, sepse të sheh si rival e jo si mundësi për të mësuar diçka edhe ai.

Ai nuk të do nëse ti arrin të punësohesh në ndonjë pozitë të mirë me merita e pa librezë partiake, sepse ai ka vite të tëra që vrapon për partinë dhe është e papranueshme për të që dikush që nuk është militant partiak të punësohet para tij, ani pse vet ai nuk ka ndonjë kualifikim. Ai nuk të do nëse ti arrin suksese me forcat e tua, me dije e me punë, sepse ai nuk di ti bëjë gjërat vetë, pa ndihmën e partisë. Aktiviteti më i madh i tyre për ndryshim të shoqërisë është debati në çajtore. E përderisa të gjithë shqiptarët i kanë sytë nga Shkupi, sytë e shkupjanëve i ka mbuluar një perde. Dhe nuk është se Shkupit i mungon glamuri, ka madje shumë glamur, por puna është se nëpër netët e ballos luhet tallava e orkestrës i mungon dirigjenti.

Një gjë tjetër që nuk i mungon Shkupit shqiptar, është rinia e gjallë dhe vitale. Ndoshta në numër simbolik, por diku, larg kaosit urbanistik që krijohet këtu, larg përzierjes së turmave të ndryshme, larg debatit të Çarshisë që prodhon vetëm muhabete kafenesh, ndodhet një pjesë e rinisë që i ngufatë kjo atmosferë e kjo frymë. Ata nuk i takon dot në mesin e turmave dhe shumë rrallë rrugës ditëve. Nëse dëshiron t’i takosh, ata do t’i gjesh në thellësinë e natës, nëpër leximoret e pjesës tjetër të qytetit, deri në orët e hershme të mëngjesit, kur kokat e tyre rëndohen mbi bankë. Ata i ke çdo natë aty, skajshmërisht të vendosur në qëllimet e tyre, për të tejkaluar Shkupin dembel dhe për të zgjuar Shkupin e vetëdijshëm dhe intelektual brenda vetes.

Por, çështja është se doza e qiriut është shumë e ulët për t’ua ndriçuar natën dhe horizontet e tyre u kanë zënë merimanga. Atyre u duhet më shumë qiri dhe u duhet dikush që të fshijë merimangat në horizontet e tyre. Dikë prej të cilit do të merrnin shembull. Vetëm kaq. Tani për tani të gjitha shpresat i kemi tek ata. E neve po qetësohemi hë për hë me lutjet që të mos na ikë dhe kjo shpresë, por të ngelet këtu dhe të kontribuojnë në vetëdijesimin e shoqërisë. Sepse ata do e kenë shumë të lehtë pa Shkupin, por Shkupi do ishte shumë i shëmtuar pa ato. Vetëm ata do të mund ta plotësonin këtë qytet e ta zgjonin nga gjumi atë, do i jepte jetë e kuptim bukurisë së tij, njëjtë sikur një njeriu i bukur, bukuria e së cilit vije në shprehje vetëm nëse ajo që flet ai reflekton energji pozitive e mençuri.

Postime të Ngjajshme