` . Shkup, edhe gratë vazhdojnë traditën e Mukabeles – TV SHENJA

Shkup, edhe gratë vazhdojnë traditën e Mukabeles

Tradita disashekullore e Mukabeles edhe këtë vit vazhdohet me interesim nga ana e muslimanëve në Maqedoni.

Mukabeleja, traditë e ngelur në kryeqytetin e Maqedonisë, Shkup, që nga periudha osmane, po kthehet në ditët e vjetra pas ndërprerjes në vitet e 90-ta.

Me ardhjen e muajit të Ramazanit, mukabeleja fillon nëpër xhamitë dhe shtëpitë e Shkupit, ndërsa këtë vit për herë të parë ka filluar edhe me lexim edhe për gratë në Qendrën Kulturore Jigit Pasha në Çarshinë e Shkupit.

Mukabeleja lexohet nga katër hafëze, teksa përveç vajzave dhe grave nga mosha shtatë deri në moshën 70 vjeçare që dëshirojnë të përfundojnë leximin e Kur’anit, në këtë qendër marrin pjesë edhe femra të cilat mësojnë leximin e Kur’anit.

Kadrije Sulejman, përgjegjësja e Mukabeles, duke folur për AA lidhur me leximin e Mukabeles, tha se e kanë filluar me gëzim muajin e Ramazanit, të cilin, siç tha, profeti Muhamed (as) e ka cilësuar si muaj “fillimi i të cilit është mëshirë, mesi i të cilit është falje dhe fundi i të cilit është shpëtim nga skëterra”.

Sulejman tha se është e veçantë atmosfera e Ramazanit në Ballkan, e posaçërisht në Shkup. Ajo thekson se si hafëze të Shkupit janë duke e vazhduar traditën e Mukabeles e cila vijon që nga periudha e jetës së profetit Muhamed (as).

Sulejman theksoi se këtë traditë kanë vendosur ta vazhdojnë në Qendrën Kulturore Jigit Pasha, e cila Ramazanin e kaluar ishte hapur pas restaurimit nga Kryebashkia e qytetit të Bursës nga Turqia.

“Me këtë rast, falënderojmë Kryebashkinë e Bursës dhe secilin që na ka ofruar mundësi. Kjo Mukabele lexohet nga hafëzet tona të reja dhe nga hafëze të ndryshme. Hafëzet e reja Tuba Ibish, Berru Emin, Habibe Loki dhe unë, çdo ditë do të lexojmë nga një xhuz të Kur’anit në mënyrë reciproke me gratë që marrin pjesë”, vuri në dukje Sulejman.

Ajo njoftoi se pas leximit të Kur’anit do të zhvillojnë edhe biseda të shkurtra, në mënyrë që, siç thekson ajo, Ramazanin ta kalojnë në mënyrë më aktive, dhe shtoi se aktivitetin e tillë në Qendrën Kulturore Jigit Pasha këtë vit janë duke e organizuar për herë të parë.

Sulejman më tej rikujtoi se më parë në qendrën kulturore kanë organizuar aktivitete të ndryshme me nxënëset e shkollave të mesme dhe studentet e Shkupit dhe të Maqedonisë Lindore.

“Mbase ky vend i bukur nuk njihet shumë. Me leje të Zotit, ne edhe më tutje do t’i vazhdojmë aktivitetet këtu, me qëllim që ta promovojmë këtë hapësirë në mënyrë të mirë dhe ta shfrytëzojmë mirë ambientin shpirtëror të këtij vendi”, vazhdon Sulejman.

Sulejman ua uroi të gjithëve Ramazanin, duke lutur Zotin që ky Ramazan të jetë rast për zgjimin e muslimanëve.

Mukabele nga ana leksikologjike nënkupton “të lexuarit ballë për ballë duke e kontrolluar”. Ashtu sikurse në të gjitha vendet e botës islame edhe në Shkup ndiqet dhe praktikohet nga shumë besimtarë. Mukabeleja zakonisht lexohet nga hafëzët ose imamët e xhamive, ndërkohë që ndiqet dhe kontrollohet nga besimtarë të cilët duke u ulur përballë personit që lexon Kur’anin kontrollojnë dhe ndjekin leximet e tij.

Postime të Ngjajshme