` . Shkrimtari me karrierë të dyfishtë – TV-SHENJA

Shkrimtari me karrierë të dyfishtë

Është shumë me rëndësi që të nxirret nga pluhuri i harresës kjo figurë, e cila e shihte me admirim Perandorinë Osmane. Ishte tejet i lidhur me Stambollin, të cilin e admironte për shkak edhe të mbresëlënies nga dashuria me Hatixhenë. Pikërisht nga kjo dashuri ndaj Turqisë, në maj të vitit 1915, në pozitën e tij të shkrimtarit dhe gazetarit ndërkombëtar, ai ndërmerr bisedime sekrete midis Francës dhe Turqisë, me qëllim të përafrimit të tyre.

Shkruan: Ardian RAMADANI, Kumanovë

Luiz-Mari-Zhulie Vio (fr. Louis-Marie-Julien Viaud ), i ashtuquajturi Pierr Loti, është një shkrimtar i shquar dhe oficer i marinës detare franceze detare, i lindur më 14 janar 1850 në Roshfort. Me një karrierë të bujshme letrare, pjesa më e madhe e veprave të tij janë nga frymëzimi autobiografik, por edhe nga udhëtimet e realizuara, si për shembull nga udhëtimi në Tahiti, ku shkroi veprën “Martesa e Lotit” (Rarahu) (1882), nga udhëtimi në Senegal shkroi veprën “Romani i një spahiu” (1881), ndërsa nga rrugëtimi në Japoni shkroi veprën “Zonja Krizantem” (1887). Gjatë tërë jetës së tij ruajti një tërheqje dhe tundim shumë të fuqishëm për Turqinë, e cila e kishte hipnotizuar me sensualitetin e saj, ndërsa dashurinë e tij për këtë vend e kishte qëndisur në veprën “Azijada” (1879) dhe më pas në “Fantazma nga Orienti (Lindja)” (1892).

Pierr Loti gjithashtu e ka shfrytëzuar tej mase edhe ekzotizmin rajonal në disa nga veprat e tij më të famshme, duke shkruar për Britaninë në romanin “Vëllau im, Ivi” (1883), për Islandën në veprën “Peshkatari nga Islanda” (1886) dhe për baskët në “Ramuntasho” (1897) .

Anëtar i Akademisë Franceze u bë në vitin 1891, ndërsa vdiq në vitin 1923 dhe u përcoll me funeral të organizuar shtetëror në Saint-Pierre-d’Oléron në ishullin Oleron, në kopshtin e një shtëpie që i përkiste familjes së tij. Shtëpia e tij në Roshfort sot shërben si muze.

Ai ishte i shquar edhe si oficer i marinës detare franceze. Në tetor 1867 ai hyri në Shkollën Detare dhe kaloi vitin e parë në shkollën e marinës në Bordo. Në fund të vitit 1869, në anijen “Jean-Bart” e zbuloi Algjerinë, e pastaj Amerikën e Jugut. Në vitin 1870 niset me një anije luftarake në luftën kundër Gjermanisë (koha kur Gjermania kishte nisur luftërat për unifikim).

Në vitin 1877, gjatë një qëndrimi në Turqi, e takon Hatixhen, një vajzë të bukur me sy të gjelbër, me të cilën do të përjetojë një histori shumë të madhe dashurie. Hatixheja ishte një vajzë me origjinë nga veriu i Kaukazit, që i përkiste haremit të një fisniku turk. Para se Loti të largohej, Hatixheja ia dha atij një unazë, si dhe bizhuteritë e saja. Në bazë të ditarit të tij, më 1879 ai shkroi veprën “Azijada” (fr. Aziyadé), ku ai përshkroi detaje të caktuara mbi dashurinë e dy të rinjve, por në fund libri përfundon me vdekjen e dy të dashuruarve. Me këtë vepër sikur parashihte ogurin e zi për dashurinë e tij. Më vonë, kur Pierre Loti u kthye në Stamboll, u vu në kërkim të të dashurës së tij dhe zbuloi se ajo kishte vdekur si pasojë e pikëllimit dhe braktisjes nga ai. U magjeps nga dashuria e sinqertë dhe u prek nga kjo vdekje e cila e tronditi thellë. Në vitin 1892 ai e shkroi artikullin gazetaresk “Fantazma e Lindjes”, pas kthimit nga Stambolli, që ia kushtoi asaj, pra të dashurës së tij, Hatixhesë.

Në 1881, ai u avansua si lejtnant detar dhe e botoi romanin e tij të parë të nënshkruar me pseudonimin Pierre Loti, “Romani i një spahiu”. Në vitin 1883 botoi romanin “Vëllai im, Iv”, në të cilin ai e përshkruan jetën e tij në Rosporden (komunë në rajonin e Bretanjës në Francë), ku qëndron disa herë me një mik të tijin, Pierre Lë Kor. Pierre Loti, në moshën 42 vjeçe, zgjidhet anëtar në Akademinë Goncourt, ku fitoi ulësen e 13-të, në raundin e gjashtë të votimit me 18 vota nga 35, duke e sfiduar dhe fituar Emili Zolën dhe duke e zëvendësuar Oktavë Fejetin. Më pas ai merr pjesë në fushatën e Tonkinit në bordin e anijes luftarake “Atalante”. Ai publikon rrëfime, orë pas ore, për marrjen e vendit të quajtur Hues në Tre Ditët e Luftës në Anam, tekst ky që do të botohet si kolumnë në gazetën “Figaro”. Loti është kritikuar fuqishëm nga qeveria e Zhyle Ferrit, e cila e akuzonte atë për denoncimin e egërsisë dhe mizorisë së treguar nga ushtarët francezë.

Në vitin 1906 ai e shkroi romanin për haremet turke me titull “Les Désenchantées”. Më 26 gusht 1906 ai u gradua si kapiten i anijeve dhe bëri një mision tjetër në Egjipt.

Me një karrierë të begatshme ushtarake, pjesëmarrje në udhëtime me anije luftarake, në moshën 64-vjeçare, në vitin 1914 – kur fillon Lufta e Parë Botërore me Gjermaninë, ai dëshiron të kthehet në shërbim, por marina fillimisht refuzon ta pranojë. U bashkua me ushtrinë franceze me gradën e kolonelit. U caktua me sukses në Shtabin e Guvernatorit të Përgjithshëm të Parisit, gjeneralit Galieni, e pastaj në shtabet e grupit të ushtrive të Forcave Aleate dhe grupit të ushtrive të Lindjes. Njohuria e tij për botën arabe dhe Islamin e udhëhoqi atë për të shërbyer si këshilltar në selinë e ushtrisë italiane, duke luftuar kundër Perandorisë Austro-Hungareze dhe gjermanëve. Më 31 maj 1918 ai u demobilizua për arsye shëndetësore.

Më 1910 qëndroi në Stamboll dhe e mbështeti kandidaturën e historianit modernist Luis Dyshesn, i zgjedhur në ulësen me numrër 36. Në vitin 1913, përsëri në Stamboll, luftoi kundër shkërmoqjes së Perandorisë Osmane, të kërkuar nga fuqitë perëndimore, dhe e publikoi veprën “Turqia në agoni”, me ç’rast shpreh pezmin e madh për rënien e kësaj fuqie të asaj kohe.

Është shumë me rëndësi që të nxirret nga pluhuri i harresës kjo figurë, e cila e shihte me admirim Perandorinë Osmane. Ishte tejet i lidhur me Stambollin, të cilin e admironte për shkak edhe të mbresëlënies nga dashuria me Hatixhenë. Pikërisht nga kjo dashuri ndaj Turqisë, në maj të vitit 1915, në pozitën e tij të shkrimtarit dhe gazetarit ndërkombëtar, ai ndërmerr bisedime sekrete midis Francës dhe Turqisë, me qëllim të përafrimit të tyre.

Admirimin e tij ndaj Perandorisë Osmane e shprehte edhe në citate, si për shembull në veprën “Azijada”, ku do të theksonte: “Unë kam ardhur për të miratuar për një kohë gjuhën dhe zakonet e Turqisë”.

Është e njohur edhe thënia e tij: “Unë absolutisht kam nevojë të dua ndokend; kam etje për dashuri.”, me të cilën ai shprehte dashurinë ndaj qenies njerëzore ne përgjithësi, ndërsa simpatinë dhe admirimin e tij për shtresën e varfër do ta vinte në pah përmes citimit: “Ndër njerëzit e varfër, më shumë se diku tjetër, gjejmë devotshmëri absolute dhe spontane”.