` . SHIJET E FËMIJËRISË – TV-SHENJA

SHIJET E FËMIJËRISË

Shkruan: Lindita Kadriu 

Asokohe njerëzit vizitoheshin shpesh, por më së shumti më kujtohet kuzhina jonë e madhe në mbrëmjet dimërore. Përjashta bardhë, krejt bardhë, degët e drunjëve të rënduar nga bora, rruga para shtëpisë si e pajetë, kurse brenda erë kungulli i pjekur ose gështenja zihen. Mbi qoshin e koftorit me dru çdoherë rrinte një tenxhere e vogël jeshile dhe gjithandej shpërndahej aroma e blirit…ajo erë e dimrave të vegjëlisë. Asnjëherë më vonë dhe askund tjetër nuk kam shijuar çaj bliri më të kuq e më aromatik. Po, shqisa e të nuhaturit më së shumti i reziston harresës.

Dhe shijet tjera…

Mollasheqerat e radhitura në karrocën me vitrinë që axha Xhabir e sjellte çdo pushim të gjatë në oborr të shkollës Istikball. Trashaluq e shtatshkurtër, prej larg nuk dallohej nga fëmijët që dilnin turrevrap jashtë dhe e rrethonin me zhurmë dyqanin e tij mbi rrota. I tërë lezeti fshihej tek mbështjellësi xhelatinoz plot shkëlqim e kur mbetej veç molla s’kishte më as shije as erë.

Karshi shkollës ende qëndron baraka e njohur Te Baci. Dy vëllezërit punonin tok, thuhej që ishin nga Prizreni, por figura e biznesit ishte Baci shtatgjatë, me beretkë franceze, çuditërisht i shpejtë. S’qe kollaj të dilje në krye me fëmijët që vetëm këtu ushqeheshin, tjetër furrë në afërsi nuk kishte, fast food-i ende nuk ishte zbuluar. Kur në tollovinëplot zhurmë afroheshim tek banaku i vjetëruar i drurit, trokisnim me monedhat, baci, baci, secili më i uritur dhe më i padurueshëm se tjetri. Specialitet i shtëpisë ishin petullat, kurse varianta luksoze ishte ajo me një lugë marmeladë që kushtonte sa dy petulla. Këtë rrallëkush ia lejonte vetes pasi ishte kohë kur as të pasurit nuk i azdisnin fëmijët, të paktën në shikim të parë ishim të barabartë. Gjatë sezonit të ngrohtë Baci shiste akullore me ngjyrë qumështi që mbahej në një enë të thellë llamarine mbuluar me kapak. Të kem ta hap kapakun,  mbi atë bunar të qëndroj sa të më dojë zemra, një ditë kur të rritem, kur të kem rrogë…ishte një nga fantazitë e mia!

…Sa herë që dilnim në qytet me nënën, përfundonim tek sheshi, afër fontanës me vrushkuj uji që shpërthenin lartë dhe rrezëllinin në diell! Mundesha me orë të rrija mbështetur tek ulëset e mermerta anësore, të shikoja lojën e ujit dhe diellit…Rrinim sa rrinim me Nurkën aty, mandej një shije tjetër e fëmijërisë: dyqani i Krash-it përkarshi, ngjitur me supermarketin e vetëm në qytet. Derisa nëna blente për mysafirët, unë s’ngopesha duke shikuar rraftet e duke prekur artikujt me ndjesinë që jam në “Agimi dhe Shpresa”. Kur kryente blerjet dhe muhabetin, para daljes nga përralla, nëna më thoshte të zgjedh diçka, dhe unë e nënkuptoja që duhej të ishte vetëm një gjë.

Rrugës për shtëpi e mbaja dhuratën në xhep, mes gishtash, duke imagjinuar momentin kur do ta shijoja.

Kuptohet shumë më eksitues ishte të menduarit sesa vetë çokollada.

Kur rritesh e mëson se kjo nuk vlen veç për ëmbëlsirat.