` . SHGSK vlerëson më të mirët e gazetarisë për vitin 2018 (Video) - TV-SHENJA

SHGSK vlerëson më të mirët e gazetarisë për vitin 2018 (Video)

Shoqata e Gazetarëve Sportiv të Kosovës për herë të katërt zhvilloi manifestimin “Ali Shala” për zgjedhjen e gazetarëve më të mirë të vitit 2018. Çmimin për shkrimin më të mirë për vitin që lamë pas e morën dy gazetarët Valon Konushevci dhe Moral Pozhegu. Çmimi “Kronika më e mirë në TV/Radio” shkoi në duart e Avni Shabanit nga Radio Kosova, Shpend Ahmeti u përzgjedh fotografi më i mirë i vitit 2018-të, komentatori më i mirë doli Andin Lokaj, ndërsa Lorik Jashanica u vlerësua si gazetari më i mirë prej të rinjve.

Mbrëmja SHGSK-së këtë vit kishte mungesë dy ikona të mëdha të sportit kosovar si Fadil Vokrri dhe Agim Binjaku, të cilët humbën jetën në vitin që lamë pas, por bordi i kësaj shoqate kishte përgatitur dy mirënjohje të veçanta që iu dorëzuan dy djemve të tyre si Gramoz Vokrri dhe Milot Binjaku.

Në këtë ceremoni morën pjesë edhe shumë figura tjera të sportit dhe gazetarë nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia, në mesin e të cilëve nuk munguan as gazetarët e sportit nga televizioni SHENJA, ku përveç vlerësimeve dhe çmimeve për më të mirët, ky event po bën bashkimin e të gjithë kolegëve gazetar të sportit shqiptarë. Kujtojmë që para fillimit të kësaj ceremonie, u zhvillua edhe turneu në futboll të vogël “Burim Hatipi 2018” që organizohet gjithashtu nga SHGSK-ja, ndërsa nga 7 ekipe pjesëmarrëse në edicionin e sivjetshëm, doli ekipi i “Policisë së Kosovës”.
Aziz Sahiti /SHENJA/