` . Shënohet përvjetori i parë i Marrëveshjes së Prespës (Video) - TV-SHENJA

Shënohet përvjetori i parë i Marrëveshjes së Prespës (Video)

Maqedonia e Veriut dhe Greqia shënojnë sot përvjetorin e parë të Marrëveshjes së Prespës, e cila përmbylli kontestin 27 vjeçar për çështjen e emrit mes këtyre dy vendeve. Kontesti bilateral mes Maqedonisë dhe Greqisë datonte që nga pavarësia e shtetit. Greqia nuk e pranonte emrin “Republika e Maqedonisë” për arsye të rajonit që mban të njëjtin emër brenda kufijve grek, i cili ka për kryeqytet Selanikun. Pas pavarësismit nga Jugosllavia, në vitin 1991, Maqedonia ka kërkuar të njihet me emrin e saj kushtetues në Kombet e Bashkuara, por Greqia ka kundërshtuar njohjen ndërkombëtare të Maqedonisë, pasi nuk pranonte Kushtetutën, flamurin dhe emrin e shtetit. Njohja ndërkombëtare e Maqedonisë u definua në prill të vitit 1993, kur me unanimitet votash në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara u pranua anëtarësimi i saj në OKB. Megjithatë, për shkak të kundërshtimit të Greqisë, Maqedonia u pranua me referencën e përkohshme IRJM.

Palët kanë zhvilluar disa herë negociata me ndërmjetësim të përfaqësuesit të OKB-së, Metju Nimic, në përpjekje për të zgjidhur këtë kontest, megjithatë të gjitha përpjekjet paraprake kishin dështuar. Pas 3 viteve pauzë, negociatat rinisën në dhjetor të vitit 2017 në përpjekje për tejkalimin e dallimeve rreth emrit, po ashtu me ndërmjetësim të Nimicit. Raundi i parë i bisedimeve u zhvillua më 11 dhe 12 dhjetor 2017 në Bruksel, mes Përfaqësuesit e Maqedonisë dhe Greqisë Vasko Naumovski dhe Adamantios Vasilakis me ndërmjetësuesin e OKB-së Metju Nimic. Ndërkohë, raundet vijuese të negociatave u zhvilluan mes ministrave të Jashtme të dy vendeve, Nikolla Dimitrov dhe Nikos Kocias. Gjatë kësaj periudhe, zhvillohen edhe dy takime mes kryemistrave Aleksis Cipras dhe Zoran Zaev, në Davos dhe Sofje. Raundi i fundit u u zhvillua më 27 në Bruksel, ku u arrit marrëveshje kornizë. Ndërkaq, pas dy bisedave telefonike të realizuara më 11 dhe 12 qershor, mes kryeministrave Cipras dhe Zaev, me çka edhe u arrit marrëveshja përfunditmare.

5 ditë më vonë, negociatorët Nikolla Dimitrov dhe Nikos Kocias, vendosën nënshkrimet e tyre mbi marrëveshjen historike, në një ceremoni të mbajtur në Prespën greke, në prezencë të  ndërmjetësuesit të Kombeve të Bashkuara, Metju Nimic. Në ceremoni morën pjesë edhe dy kryeministrat Zoran Zaev dhe Aleksis Cipras, përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Federica Mogherini dhe Komisioneri Evropian Johannes Hahn.

Si pjesë e dakorduar me këtë marrëveshje, vendi më 30 shtator mbajti referendum për çështjen e emrit, në të cilin votuan 36,9% e trupit votues, prej të cilëve 91,4% votuar për ndryshimin e emrit dhe integrimin në NATO dhe BE dhe vetëm 5,6% kanë qenë kundër ndryshimit të emrit.  Në janar të vitit 2019, Kuvendi me shumicë votash votoi për ndryshimet kushtetuese dhe vendi edhe zyrtarish mori emrin Maqedonia e Veriut. Menjëherë pas kësaj, kuvendi grek votoi ratifikimin e marrëveshjes.

Përpos që i dha fund një kontesti bilateral, marrëveshja  zhbllokoi proceset e integrimeve euro-atlantike të vendit, që deri atëherë i kishte penguar Greqia. Menjëherë pas nënshkrimit të marrëveshjes, Maqedonia e Veriut mori ftesë për anëtarësim në NATO ndërsa, në shkurt vendet anëtare nënshkruajtën protokollin për anëtarësim. Greqia, në pajtueshmëri me Marrëveshjen e Prespës, ishte shteti i parë që ratifikoi në kuvendin e saj protokollin qasës. Po ashtu, në bazë të marrëveshjes, Greqia nuk do të bllokoj proceset e integrimit të vendit në Bashkimin Evropian. Teuta Buçi /SHENJA/