` . Shënohet 16-vjetori i Marrëveshjes së Ohrit (Video) – TV-SHENJA

Shënohet 16-vjetori i Marrëveshjes së Ohrit (Video)

Sot mbushen 16 vite nga Nënshkrimi i Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, marrëveshje e cila në vitin 2001 ndaloi konfliktin e armatosur në Maqedoni. Por edhe pse kanë kaluar më shumë se një dekadë e gjysmë, ekspertë të ndryshëm akoma e vlerësojnë marrëveshjen si të parealizuar.

Por edhe në analizën e vitit të kaluar të cilën e ka bërë vetë Sekretariati për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, u theksuan disa nga aspektet ku kjo marrëveshje ka stagnuar në tërësi, siç janë: Moszbatimi i plotë i gjuhës shqipe në institucione; mosarritja e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat në institucione, mosarritja e decentralizimit fiskal, shpërndarje jotransparente e fondeve për njësitë e vetëqeverisjes lokale por edhe stagnime të tjera.

Marrëveshjes kornizë të Ohrit i paraprinë bisedimet  për paqe të cilat nën patronazh ndërkombëtar filluan në Shkup, e më pas vazhduan në Ohër. Më 13 gusht 2001 në rezidencën presidenciale në Vodno në Shkup, marrëveshjen e nënshkruan presidenti i atëhershëm i Maqedonisë Boris Trajkovski, ish-kryetari i VMRO-DPMNE-së Lupço Georgievski, kryetari i LSDM-së, Branko Cërvenkovski ai i PPD-së Imer Imeri dhe i PDSH-së Arben Xhaferi.

Nënshkrues të marrëveshjes në cilësinë e garantuesve kanë qenë edhe përfaqësuesit special të BE-së dhe SHBA-së Fransoa Leotar dhe Xhejms Pardju të cilët kanë marrë pjesë në bisedime.

Edhe pse ishte paraparë që marrëveshja të realizohej që në vitin 2005, edhe 16 vite nga nënshkrimi i kësaj marrëveshje mund të thuhet se kjo marrëveshje ende nuk është zbatuar në tërësi, pasi partitë politike kërkuan implementimin e plotë të saj edhe në marrëveshjen e fundit në Përzhino.

Mefail Ismaili /SHENJA/


Shënohet 16-vjetori i Marrëveshjes së Ohrit… by tvshenjaofficial