` . Shekullarizmi asimetrik dhe çelësi i Shën Ilisë – TV-SHENJA

Shekullarizmi asimetrik dhe çelësi i Shën Ilisë

Ndërtimi i identitetit shtetëror vetëm mbi një element fetar shkakton tendosje, si institucionale, ashtu edhe në mesin e besimtarëve, të cilët shprehen të pakënaqur nga të qenët e shtetit mecenë vetëm i një feje. Shoqëritë pluraliste njihen për nga qasja demokratike dhe liberale edhe ndaj përkatësive fetare. Teokratizimi shekullar është diçka që nuk i shërben paqes, bashkëjetesës dhe shtetndërtimit

Shkruan: Ali PAJAZITI, Shkup

Në publikimin celebrues të 25-vjetorit të Fondacionit “Shoqëri e Hapur Maqedoni” (1993-2018), autori Millçin përmend ndërmarrjet e para pas ardhjes në pushtet të VMRO-së, partisë konservatore maqedonase, me ngjyrime pro-teokratike: ndryshimi i emrit të aeroporteve të Shkupit “Petrovec” në “Aleksandri i Madh” dhe atij të Ohrit në “Apostull Shën Pali”. “Një shtresë antikitet, një shtresë orthodoksi”, vijon citati i autorit, që më së miri e përshkruan maninë e kësaj ideologjie të kthimit retrograd dhe kalimit në një zonë të huaj, që edhe më tepër i rëndoi marrëdhëniet me Greqinë. Partia në fjalë, si forcë motorike të komb dhe shtet-ndërtimit dhjetëvjeçar në periudhën 2006-2016, do ta zgjedhë fenë, gjegjësisht ortodoksinë, të cilës do t’i rezervojë status brahmanist në shoqëri dhe do t’ia legjitimojë politikat diskriminuese. Para kësaj, në vitin 2000, në majë të malit Vodno nga po e njëjta parti u ndërtua një kryq grandioz, ndër më të mëdhenjtë në botë, që synon(te) ta tregojë “frymën”dhe “abecedën” e këtij qyteti.

Aeroporti i Shën Palit dhe Vodnoja janë vetëm dy elemente nga dhuna simbolike e ushtruar ndaj qytetarëve të këtij vendi, që ndërlidhet me mosrespektimin e njërit nga parimet kyçe të shtetit modern: laicitetit pse shekullarizmit,  që ka të bëjë me diadën bota në kuptimin e jetës, përkundër termit fe dhe shenjtëri. Shekullarizmi e shkëput lidhjen dhe i ndan marrëdhëniet e legjislacionit hyjnor me shtetin, politikën, shoqërinë, ekonominë dhe vlerat, pra e ndan fenë nga bota. (Ammare, 2003:17). Siç shprehet N. Shishman-i, shekullarizmi që u afirmua në fund të modernizmit, kur rëndësia e fesë në shoqëri do të zvogëlohej, synon ta vë fenë në parantezë, ta abstragojë nga jeta e shoqërisë dhe shtetit, duke e kufizuar vetëm me sferën e ngushtë të besimit dhe adhurimit. Por, feja – megjithatë – mbetet e gjallë, shfaq tendenca të rikthimit, të depërtimit në institucione, madje edhe në syresh arsimore. Më 18 shtator të vitit 2016 viti akademik në universitetin publik të Shkupit filloi me liturgji dhe me thirrje të Shpirtit të Shenjtë, kurse në vitin 2018 në Universitetin e Tetovës u organizua ceremoni me rastin e Ditëlindjes së Profetit Muhamed, ku morën pjesë krerët e BFI-së, shfaqje këto që shkaktuan reagime nga opinionistë dhe intelektualë të shumtë, që – mes tjerash – e theksuan se po shkelej paanësia dhe shekullarizmi i institucioneve arsimore.

Sipas nenit 19 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë, shteti është i ndarë nga bashkësitë dhe grupet fetare, të cilat duhet të jenë të barabarta para ligjit, pra tregohet se nuk ka fe shtetërore, se R. e Maqedonisë është vend shekullar, se shteti nuk ka të drejtë të përzihet në punët fetare e as feja në ato shtetërore. Por, strukturimi social shenjon një realitet shumë më të ndryshëm nga ai teorik dhe ex lege. Të gjitha analizat flasin se në Maqedoni parimi i laicitetit është cenuar, se ekziston një shekullarizëm asimetrik. Profesorja Mirjana Najçevska, ish kryetare e Komitetit të Helsinkut për të Drejtat e Njeriut dhe aktiviste civile, thotë se shteti shpesh dhe drejtpërdrejt përzihet në çështje fetare dhe, duke folur për mbrojtjen e interesave nacionale, e vendos Kishën Ortodokse të Maqedonisë – Arqipeshkvinë e Ohrit në një pozitë të veçantë, duke ndikuar në mënyrë direkte në prishjen e karakterit shekullar të vendit. “Në kohën e sundimit të nacionalistëve, siç është VMRO-ja, shteti e ndihmon KOM-in. Kjo ndihmë është e qartë, direkte dhe demonstrative.”, thotë gazetari i mirënjohur Sasho Ordanoski. Të njëjtën gjë e konfirmojnë edhe qytetarët. Ivan Grozdanov, besimtar i Kishës së Krishterë – Baptiste në Maqedoni, vlerëson se vendimi i Qeverisë për të ndërtuar një kishë ortodokse në qendër të Shkupit (Shën Elena dhe Konstantini) është një shkelje e rëndë e të drejtave të bashkësive të tjera fetare. “Është e qartë se Qeveria filloi të ndërtojë një shtet mesjetar kishtar. Bëhet fjalë për një shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe barazisë së garantuar të bashkësive fetare.” Bashkësia Fetare Islame e ka akuzuar hapur shtetin dhe ish pushtetin konservator për ekskluzivitet të akorduar ndaj Kishës Ortodokse të Maqedonisë – Arqipeshkvisë së Ohrit, duke shtuar se në mënyrë selektive e ka zbatuar parimin kushtetutar të shekullaritetit. Sipas këtij entiteti fetar, kur bëhet fjalë për ndërtimin e objekteve të reja fetare ose për restaurimin e objekteve të vjetra, KOM-i ka të drejtë ekskluzive dhe mund të ndërtojë kisha dhe objekte fetare kudo.

Diskriminimi fetar vërehet edhe në segmentin e përcaktimit të festave zyrtare: shtatë ditë festive të kris­h­tera janë ditë jopune për të gjithë qytetarët (Kërs­h­ë­n­dellat, Pashkët, Buzmi, Ujëzat, e Premtja e Madhe dhe Dita e Shpirtrave, Shën Mëria e Madhe), ndërsa vetëm një është festë myslimane (dita e Bajramit të Madh). Raste të veprimeve të paarsyeshme të qeverisë janë ndërtimi i një hoteli në themelet e Burmali Xhamisë (ndërtuar më 1495 dhe rrënuar më 1925) në sheshin e Shkupit dhe ndërtimi i shtatores së një figure historike kontroverse, të vrasësit Andon Qoseto, mbi themelet e xhamisë së dikurshme Jelen Kapan, që shkaktoi reagim të BFI-së, duke akuzuar qeverinë, Qytetin e Shkupit dhe Komunën Qendër se kanë vulgarizuar themele të shenjta, se kanë vrarë sublimen, të drejtën e besimit të 40 % të popullatës së RM-së.  Për fat, ky gabim u përmirësua me ndërrimin e pushteteve, kështu që prefekti i LSDM-së hoqi që andej shtatoren, që me agresivitetin e vet e dhunonte pamësinë e kalimtarëve. Karakter antimultikulturalist ka edhe kryqi 51-metërsh i lartë para kullave grandioze të kapitalit turk “Cevahir Holding”, simbol ky “donacion” nga Kongresi Botëror Maqedonas, të cilin kryetari i saj e arsyeton duke thënë se kryqi është legjitimim i maqedonasve dhe se ata kanë të drejtë ta shënojnë hapësirën e vet etnike. Zëdhënësi KOM-it, Mitevski, e quan investitorin turk “kompani muslimane” dhe shton se kryqi duhet t’i pengojë muslimanët që të vendosen në një hapësirë të krishterë. Është shumë evidente se në Maqe­do­ni ekziston një tendencë institucionale për ta orto­dok­si­zuar ose sllavizuar shoqërinë. Kjo më së miri vërehet nga provokimet me kryqet e shumta, që vendosen vend e pa vend. Kjo është një fetari tipike e inatit dhe tregi­mit të dominancës politike edhe në sferën religjioze. Vër­te­t ky tërbim fetar i tejkalon përmasat e një fundamentalizmi orotodoks dhe kalon në terrorizëm panoramik dhe optik. Bile, kjo mund të quhet dhunë cezaro-papiste-qeveri­tare,.

Një fakt tjetër sociologjik është edhe ai se partitë politike tentojnë t’i instrumentalizojnë bashkësitë fetare në Maqedoni dhe t’i shfrytëzojnë ato për të ndërtuar imazh pozitiv për opsionin politik që ato përfaqësojnë. Kjo, në veçanti, vërehet të VMRO-DPMNE-ja, e cila është e lidhur maksimalisht si bineqët siamezë me KOM-in, të cilin e ka edhe bekues, por edhe argat shpirtëror, që asaj i sjell atashim më të gjerë të maqedonasve etnikë. Te shqiptarët ky trend është më i padukshëm, por megjithatë të gjitha partitë politike shqiptare, që kanë defiluar në R.M., e kanë pasur agjendën e tyre lidhur me BFI-në ose Meshihatin e dikurshëm. Nganjëherë lidershipi fetar është thirrur për të shuar rebelizmin e komunitetit (xhematit), herë për ta atakuar radikalizmin, ndërsa nëpër xhami ka pasur edhe hoxhallarë që kanë propaganduar për x ose y spektrin politik.

Vija racionale e paqes sociale është ajo që shteti ta ruajë ekuidistancën (largësinë e njëjtë) me të gjitha bashkësitë fetare, të kultivojë një frymë të barabarësisë së elementeve religjioze, duke u dhënë atyre status ekuivalent. Ndërtimi i identitetit shtetëror vetëm mbi një element fetar shkakton tendosje, si institucionale, ashtu edhe në mesin e besimtarëve, të cilët shprehen të pakënaqur nga të qenët e shtetit mecenë vetëm i një feje. Shoqëritë pluraliste njihen për nga qasja demokratike dhe liberale edhe ndaj përkatësive fetare. Teokratizimi shekullar është diçka që nuk i shërben paqes, bashkëjetesës dhe shtetndërtimit.

Sipas të gjitha gjasave, në kohën kur kërkesa publike (public demand) për shpirtëroren është konstante, lidhur me relacionin fe-shtet, më funksionale dhe më adekuate do të ishte teoria e ekonomisë fetare, sipas së cilës pluralizmi religjioz i jep popullatës një gamë të përzgjedhjes, u mundëson organizatave fetare të garojnë për ithtarë, ngjashëm siç garojnë bizneset për konsumatorë në një ekonomi të tregut, ndërsa vetë konsumatorët duhet të bëjnë përzgjedhje racionale, ta dallojnë njërin produkt religjioz nga tjetri (C.L. Bankston). Por, me sa duket, avazi i vjetër vazhdon edhe në kohën e social-demokratëve. Nga bisedimet e fundit lidhur me zgjidhjen e çështjes çerekshekullore të emrit të shtetit, për herë të parë kryeministri doli me propozimin “Republika e Maqedonisë së Ilindenit” – emërtim ky të cilin subjekti shqiptar në pushtet e lançoi me mbiemrin absurd “ilinditase” – që shpërfaq vetëm njërin segment të kulturës së shoqërisë, vetëm atë kristian. Siç dihet, Shën Ilia është shenjtor që ka jetuar diku nëntë shekuj para erës sonë dhe që në kulturën maqedonase njihet si festë fetare edhe kombëtare. Ilindeni nënkupton 2 gushtin, ditën e Kryengritjes së Krushevës. Në klikimin tonë të parë në google në gjuhën maqedonase “Sveti Ilija” na u paraqit faqja e titulluar “Македонска нација” (Kombi Maqedonas). Tani imagjinoni sa mund të jetë emërtim integrues “Republika e Maqedonisë së Ilindenit”. Më asnjanës është emërtimi aktual i shtetit sesa ky propozim. Pyetjet që shtrohen në këtë drejtim janë: Si e hëngrën karremin këta tanët, politkëbërësit shqiptarë integristë?; Çfarë ndryshoi në aspekt të ekuidistancës shtetërore ndaj feve me përbërjen e re? A thua ky vend s’ka simbole përbashkuese, të pranueshme për të gjithë që jetojnë në këtë nënqiell? A do ia dalë thua ky “shenjtor”, që në besimet popullore sllave konsiderohet çelësmbajtës, ta hapë portën e arsyes dhe t’i gjejë zgjidhje çështjes së Maqedonisë? A është ai “shpëtimtari” kur s’kemi politikanë të gjallë e modernë, që me urtësi e shkathtësi diplomatike do t’i anticiponin, menaxhonin e zgjidhnin krizat e kohës sonë? Po pjesa shqiptare-islamike e popullatës ku mbetet në këtë periudhë kritike?

Ajo mbetet e irrituar me propozimin, por edhe me përfaqësuesit e vet. Një herë si zgjidhje steme na e falën luanin, në kala të Shkupit për muze na e shitën kishën në ndërtim e sipër, ndërsa tani si emërtim shtetëror na e sjellin shenjtorin! Ju rrittë n(d)era, bre!