` . Shekerinska për hetimin e PSP-së ndaj Osmanit: Nuk do të përzihemi – TV-SHENJA

Shekerinska për hetimin e PSP-së ndaj Osmanit: Nuk do të përzihemi

Zv/kryeministrja e Qeverisë, Radmilla Shekerinska ka deklaruar se të gjithë në shtet janë të barabartë para ligjit dhe se ata nuk do të përzihen në punët e organeve të cilët duhen të jenë të pavarur. Këto komente Shekerinska i ka bërë duke u përgjigjur pyetjes lidhur me hetimin e Prokurorisë Speciale Publike për zv/kryeministrin për eurointegrime Bujar Osmani, i cili dyshohet se në kohën që ka qenë ministër i shëndetësisë ka keqpërdorur detyrën zyrtare duke dëmtuar buxhetin e shtetit.
“Nga fillimi i mandatit të kësaj Qeverie kemi treguar se i përmbahemi rregullës që të mos përzihemi në punën e prokurorive, as gjyqësorit dhe kjo u dëshmua mbrëmë. Zv/kryeministri Bujar Osmani kishte deklarat për opinionin se i përshëndet hetimet dhe se nuk ka çfarë të frikësohet dhe pret që të njëjtën ta dëshmoj edhe hetimi”, ka deklaruar Shekerinska, transmeton SHENJA.
Ajo ka theksuar se Qeveria nuk dëshiron të jetë as prokuror, as që të përzihet në punët e gjyqësorit.
“Po dëshmojmë se sundimi i drejtësisë mund të funksionojë vetëm nëse vlen për të gjithë. Po dëshmojmë se nuk kërkojmë trajtim special dhe jemi të bindur se vetëm në mënyrë të tillë Maqedonia mund të shkoj para”, ka shtuar Shekerinska pas mbarimit të festimit zyrtar për ditën e 11 tetorit, Ditën e Kryengritjes Popullore.