` . SHBA: Regjimi i Assadit ka kryer sulme të reja kimike në Idlib - TV-SHENJA

SHBA: Regjimi i Assadit ka kryer sulme të reja kimike në Idlib

Departamenti Amerikan i Shtetit ka deklaruar se regjimi sirian i Bashar al-Assadit ka kryer sulme të reja kimike në veriperëndim të Sirisë, raporton AA.

Zëdhënësja e Departamentit Amerikan të Shtetit, Morgan Ortagus, duke iu referuar Sirisë në një deklaratë me shkrim tha se SHBA po ndjek nga afër operacionet e regjimit në veriperëndim të Sirisë, duke përfshirë edhe “shenjat se regjimi ka përdorur armë të reja kimike”.

“Për fat të keq, vazhdojmë të shohim shenja se regjimi i Assadit mund të rifillojë përdorimin e armëve kimike, duke përfshirë edhe një sulm me gaz të klorit në veri-perëndim të Sirisë më 19 maj 2019. Ne vazhdojmë të mbledhim informacione në lidhje me këtë ngjarje, por nëse regjimi i Assadit përdor armë kimike, ne përsërisim paralajmërimin tonë se SHBA dhe aleatët e saj do të përgjigjen shpejt dhe në mënyrë të përshtatshme”, tha Ortagus.

Pasi ka vënë në dukje se sulmi më 19 maj ka ndodhur në rajonin Idlib, ku regjimi i Assadit ka nisur një sulm duke shkelur armëpushimin dhe duke vendosur në rrezik miliona civilë, Ortagus ka shtuar se sulmi në fjalë ka vendosur në objektiv refugjatët e zhvendosur për shkak të konflikteve në rajone të ndryshme të Sirisë dhe të cilët janë strehuar në Idlib.

Duke shpjeguar se regjimi i Assadit ka kryer një sulm kimik në afërsi të Alepos më 24 nëntor 2018 ku ka fajësuar opozitarët, Ortagus theksoi se, “Rusia dhe regjimi i Assadit herë pas here kanë përhapur pretendimet e tyre shtrembëruese për t’i nxjerrë të drejta sulmet kimike barbare të regjimit të Assadit”.

“Të vërtetat janë të qarta. Sipas rezultatit të arritur sërish nga Kombet e Bashkuara, regjimi i Assadit i ka kryer vetë të gjitha sulmet kimike që janë konfirmuar se janë kryer në Siri”, tha më tej Ortagus.