` . SHBA nuk përjashton tarifat e reja tregtare kundër Kinës - TV-SHENJA

SHBA nuk përjashton tarifat e reja tregtare kundër Kinës

Shtetet e Bashkuara janë duke studiuar se si rritja e tarifave në mallrat kineze në vlerë të 300 miliardë dollarëve do të ndikojë te konsumatorët amerikanë, dhe kjo masë është vetëm një muaj larg fillimit të zbatimit, ka thënë Sekretari amerikan i Thesarit, Steven Mnuchin, transmeton agjencia e lajmeve, Reuters.

Më herët gjatë këtij muaji, Uashingtoni ka rritur tarifat ekzistuese në mallrat kineze në vlerë të 200 miliardë dollarëve, hap që ka rezultuar me hakmarrjen e Pekinit, pavarësisht pse të dyja shtetet kanë qenë duke zhvilluar negociata për 10 muaj me qëllim të arritjes së një marrëveshjeje.

“Nuk do të ketë ndonjë vendim në 30 apo 45 ditët në vijim”, ka thënë Mnuchin gjatë një seance me ligjvënësit amerikanë, duke shtuar se ka biseduar me zyrtarë të lartë financiarë për të kuptuar se si do të ndikojnë çmimet te konsumatorët.

“Ky është aspekt në të cilin do të fokusohet presidenti para se të marrë ndonjë vendim dhe unë mund t’iu siguroj për këtë”, ka thënë Mnuchin para Komitetit të Dhomës së Përfaqësuesve për Shërbime Financiare.

Mnuchin u ka thënë gazetarëve më herët gjatë ditës se zyrtarët amerikanë nuk kanë planifikar që të shkojnë në Pekin për t’u takuar me negociatorët kinezë.

Prej 10 majit kur presidenti amerikan, Donald Trump ka rritur tarifat nga 10 në 25 për qind në mallrat kineze, negociatat mes SHBA-së dhe Kinës janë bllokuar.

Kur Trump kishte vendosur këto tarifa vitin e kaluar, ai pati arsyetuar këtë masë si pasojë e “praktikave të padrejta tregtare” të Kinës kundër SHBA-së.