` . SHBA mbështet Egjiptin në luftën kundër terrorizmit – TV-SHENJA

SHBA mbështet Egjiptin në luftën kundër terrorizmit

Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson, ka deklaruar se Washingtoni mbështet Egjiptin në luftën kundër terrorizmit, duke shtuar se vendi i tij mbetet i angazhuar për arritjen e paqes në Lindjen e Mesme, raporton Anadolu Agency (AA).

Tillerson këtë e deklaroi në konferencën e përbashkët për media në Kajro me ministrin e Jashtëm egjiptian, Sameh Shukri.

Ai u tha gazetarëve se Washingtoni mbështet Egjiptin në luftën në vazhdim kundër organizatës terroriste DEASH. Ai gjithashtu përsëriti thirrjet për zgjedhje të lira dhe të ndershme në Egjipt, të cilat janë planifikuar për muajin e ardhshëm.

Lidhur me procesin rajonal të paqes, Sekretari Tillerson riafirmoi angazhimin e Washingtonit për arritjen e paqes së qëndrueshme midis Izraelit dhe Palestinës.

Shukri, nga ana e tij, tha se bisedimet e tij me Tillerson-in ishin përqendruar kryesisht në luftën kundër terrorizmit dhe zhvillimet e fundit rajonale. Ai shtoi se vendi i tij ishte aktualisht i angazhuar në një “fushatë të gjerë” që synonte çrrënjosjen e terrorizmit nga territori egjitpian.

Shukri poashtu vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-ve për Egjiptin në luftën më të fundit kundër grupeve terroriste rajonale.

“Ka një vizion të përbashkët dhe një dëshirë për të vazhduar punën së bashku me synimin për të ulur tensionet në rajon”, tha Shukri.

Tillerson mbërriti dje në Egjipt në një turne me ç’rast do të vizitojë edhe Turqinë, Jordaninë, Libanin dhe Kuvajtin.

Vizita e Tillerson-it në Egjipt është e dyta këtë vit nga një zyrtar i lartë i SHBA-ve.

Më 20 janar, zëvendës presidenti amerikan Mike Pence vizitoi Kajron për të diskutuar mbi marrëdhëniet dypalëshe dhe çështjen e Kudsit me zyrtarët egjiptianë.

Dhjetorin e kaluar, presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, e njohu Kudsin si kryeqytet të Izraelit, duke shkaktuar një kundërshtim të gjerë dhe protesta nga e gjithë bota arabe dhe muslimane.