` . ShBA-ja ia kërkon OBSh-së hetimin e menjëhershëm të burimit të virusit - TV-SHENJA

ShBA-ja ia kërkon OBSh-së hetimin e menjëhershëm të burimit të virusit

Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë bërë thirrje të premten Organizatës Botërore të Shëndetësisë që t’i fillojë menjëherë hetimet për evidentimin e burimit të koronavirusit të ri, si dhe për përgjigjen e saj ndaj pandemisë. Thirrja u adresua në ditën kur bilanci i përgjithshëm global i rasteve me koronavirus ka mbërritur në 5.1 milionë, ndërsa ai i vdekjeve në 333.702.

“Siç presidenti amerikan, Donald Trump, e ka bërë plotësisht të qartë në letrën e tij adresuar drejtorit të OBSH-së, nuk kemi kohë për të humbur për nisjen e reformave, të cilat janë të domosdoshme për të garantuar që një pandemi e këtillë të mos përsëritet”, ka thënë ndihmësi i sekretarit amerikan të Shëndetësisë, admirali Brett Giroir, në letrën dërguar këshillit ekzekutiv të Agjencisë së OKB-së.

Ai ka shtuar se gjatë rishikimit gjithëpërfshirës të përgjigjes globale ndaj virusit korona, udhëhequr prej anës së OBSH-së, do të duhej gjurmuar “me mirëkuptim të plotë dhe transparencë edhe burimi, korniza kohore e ngjarjeve dhe procesi i vendimeve të marra të OBSH-së në përgjigje ndaj pandemisë së COVID-19”.

Giroir ka shtuar për më tepër se trupi më i madh shëndetësor në botë duhet patjetër të merret me çështjen e reformave të brendshme. Ai me këtë rast nuk e ka përjashtuar mundësinë e përfshirjes edhe të Tajvanit në cilësinë e vëzhguesit, transmeton Koha.net

Drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, ka thënë gjatë së premtes së organizata, që kur është shfaqur koronavirusi, ka punuar në mënyrë intensive në koordinimin e përgjigjes globale, duke i informuar të gjitha 194 vendet anëtare për evoluimin e tij dhe duke ofruar këshilla teknike.

Administrata e presidentit Trump ka akuzuar vazhdimisht OBSH-në lidhur me mënyrën e menaxhimit të krizës shëndetësore dhe ka bërë të ditur se ajo anon nga Kina. Për më tepër, Trump ka akuzuar Kinën se ka informuar botën me vonesë lidhur me sëmundjen dhe se ka fshehur informatat për shtrirjen e epidemisë.

Në anën tjetër, sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompoe, ka bërë të ditur se Pekini madje ka fshehur faktin se përhapja e virusit ka nisur si pasojë e një aksidenti në një laborator në qytetin Wuhan, ku edhe janë evidentuar rastet e para të infektimit gjatë dhjetorit të vitit të shkuar.