` . SHBA e vendosur të nisë luftë tregtare kundër BE-së - TV-SHENJA

SHBA e vendosur të nisë luftë tregtare kundër BE-së

Pas mosmarrëveshjes tregtare mbi një vjeçare me Kinën, SHBA tani ka vendosur të hapë luftën e dytë tregtare, por kësaj radhe me aleatin e saj të ngushtë, Bashkimin Evropian, pas një vendimi të Oragnizatës Botërore të Tregtisë (OBT) të mërkurën, raporton AA.

Në mosmarrëveshjen 15-vjeçare, OBT vendosi në favor të SHBA-së lidhur me subvencionet e paligjshme dhe programet mbështetëse të prodhuesit evropian të avionëve Airbus dhe rivalit të saj amerikan Boeing.

Sipas vendimit u arrit në përfundim se subvencionet e BE-së ndaj Airbus-it kanë thyer rregullat e OBT-së, tha rregullatori ndërkombëtar, duke lejuar Washingtonin të imponojë kundërmasa në formë të tarifave në lartësi prej 7.5 miliardë dollarë për mallrat evropiane në përgjigje të subvencioneve të paligjshme të BE-së.

“Vendimi prej 7.5 miliardë dollarë në vit është vendimi në sasinë më të madhe në historinë e OBT-së”, deklaroi të mërkurën përfaqësuesi tregtar i SHBA-së, Robert Lighthizer, duke shtuar se tarifat ndaj mallrave evropiane do të aplikohen që nga 18 tetori.

Lista e taksave përfshin 10 për qind detyrime ndaj avionëve Airbus, 25 për qind ndaj verës franceze, uiskit skocez dhe irlandez, produkteve bujqësore, mjeteve elektromekanike dhe rrobave, pasi që Washingtoni të marrë miratimin përfundimtar të OBT-së më vonë gjatë këtij muaji.

“Për vite, Evropa ka mundësuar subvencione të mëdha për Airbus e cila ka dëmtuar seriozisht industrinë ajrore të SHBA-së dhe punëtorët tanë”, ka thënë Lighthizer në një deklaratë.

Airbus reagoi përmes një deklarate të lëshuar të mërkurën, ku thuhet se vendimi i SHBA-së për imponimin e sanksioneve ndaj avionëve dhe komponentëve të saj do të “krijojë pasiguri dhe përçarje jo vetëm në industrinë e aviacionit por edhe në ekonominë e gjërë globale”.

Airbus thekson se OBT në muajt në vijim mund të përcaktojë lartësinë e kundërmasave tarifore që BE mund të imponojë ndaj produkteve të SHBA-së, të cilat mund të përfshijnë edhe importimin e avionëve amerikanë Boeing, si pjesë e masave reciproke lidhur me subvencionet e paligjshme për Boeing.

“Nëse aplikohen, tarifat do të ndikojnë rëndë të dy industritë, si atë të SHBA-së, ashtu edhe të BE-së, duke vendosur kosto të lartë për blerjen e avionëve të rinj nga kompanitë ajrore si në SHBA, ashtu edhe në BE”, thuhet në kumtesë.

Komisioni Evropian konfirmoi në një deklaratë të mërkurën se çështja paralele e Boingut mund të lejojë BE-në të arrijë të drejtat e njëjta në muajt e ardhshëm nga OBT për të imponuar kundërmasa ndaj SHBA-së për mos respektimin e rregullave të OBT-së.

“Por, nëse SHBA vendos të imponojë kundërmasat e autorizuara të OBT-së, kjo do të shtyjë BE-në në një situatë ku nuk do të ketë opsion tjetër përpos të bëjë të njëjtën”, thuhet në kumtesë.

Në mars të vitit 2018, presidenti i SHBA-së Donald Trump vendosi tarifa prej 25 për qind për çelikun dhe 10 për qind të importit të aluminit për një numër vendesh të BE-së. Trump tha se mund të imponojë tarifa për automjetet evropiane dhe pjesët e automjeteve.

Në shenjë hakmarrjeje, BE-ja vendosi tarifa prej 25 për qind ndaj uiskit të SHBA-së dhe 31 për qind ndaj motoçikletave Harley-Davidson në qershor 2018.