` . SHBA e shqetësuar nga armatimi rus në Serbi, por sanksionet janë larg - TV-SHENJA

SHBA e shqetësuar nga armatimi rus në Serbi, por sanksionet janë larg

Administrata amerikane është e shqetësuar me blerjen e armëve ruse nga Serbia, thonë për DW në Departamentin Amerikan të Shtetit. Sanksionet megjithatë janë larg. Në selinë e OKB janë të përmbajtur.

Uashingtoni zyrtar ka dënuar sjelljen e Serbisë, përkundër deklaratës së presidentit Aleksandar Vuçiq, se Serbia nuk ka para për të blerë sistemet raketore ruse S-400. Ky sistem është transportuar së fundi në Serbi, gjatë një stërvitjeje ushtarake serbo-ruse, ashtu si edhe sistemi me rreze të mesme “Pancir“, të cilin Serbia do ta blejë.

Mediat serbe thonë, se të premten (08.11) në Beograd do të vijë për vizitë nëpunësi amerikan i Departamentit të Amerikan të Shtetit  (DASH) Thomas Zarzecki, i cili drejton grupin 231, të ngarkuar me zbatimin e sanksioneve kundër vendeve dhe kompanive që bashkëpunojnë me Rusinë në sektorin e sigurisë ushtarake.

Vuçiqi ka deklaruar se “disa” po flasin në Serbi për mundësinë e sanksioneve amerikane, me shpresë se do të shkaktojnë një dozë pasigurie. Sipas tij, “Serbia po bën një politikë të përgjegjshme”, me qëllim “që t’i shmanget çdo lloj problemi“.

Në pyetjen e Deutsche Welles, nëse Serbia do të përballet me sanksione, për shkak të armëve ruse, zëdhënësi i DASH i bëri thirrje të gjithë partnerëve që të heqin dorë nga transaksionet të tilla me Rusinë.

„Mosrespektimi i paralajmërimeve tona sjell me vete rrezikun e aplikimit të sanksioneve, në përputhje me ‘aktin për kundërshtimin e armiqve amerikanë’“, u tha në Ministrinë e Jashtme.

Këtu bëhet fjalë për një dokument federal të nënshkruar nga presidenti Donald Trump, në korrik të vitit 2017, dhe të miratuar urgjentisht nga Senati. Ligji është votuar për të vendosur sanksione më të ashpra ndaj Iranit, Koresë së Veriut dhe Rusisë. Por ky ligj ka të bëjë edhe me vendet e tjera. “Shumë herë u kemi shprehur shqetësimin tonë autoriteteve të larta qeveritare në Serbi, për shkak të pajisjes me armë ruse, që nënkupton edhe blerjen e sistemit ‘Pancir’”, theksojnë në DASH.

Larg nga sanksionet?

Dimitar Beçev, një nga ekspertët kryesorë për Ballkanin Perëndimor në Këshillin Atlantik, një organizatë në Uashington që merret me Evropën Juglindore, dyshon që Serbia do ta blejë sistemin raketor S-400. Interesat ekonomike janë një, ndërsa miqësia sllave diçka tjetër, thotë ai. „Ky do të isthe një investim tepër i madh për Serbinë”, thotë Beçev për DW.

“SHBA do të mund t’i vendosnin sanksionet kundër Serbisë nëse kjo ndodh, por ajo ende nuk e ka blerë këtë sistem“, tha Beçev.

I pyetur nëse SHBA vërtet mund të përdorin sanksionet me qëllim që Serbia të mos e blejë këtë sistem raketor, Beçev thotë se situata është pak më ndryshe, në krahasim me vendet e tjera të rajonit.

„SHBA nuk ka ndonjë influencë të madhe në Serbi, sepse nuk kërkohet që ajo të bëhet anëtare e NATO-s. Sanksionet dhe dënimet janë fuqia më e madhe që ajo ka në dorë kundrejt Serbisë. Por nuk mendoj se kjo do të ndodhë shpejt“, tha ai.