` . Shansi ekonomik nuk duhet të na ikë – TV-SHENJA

Shansi ekonomik nuk duhet të na ikë

 

Sa më shpejt që ta zgjidhim çështjen e emrit dhe të anëtarësohemi në NATO, aq më shumë e përshpejtojmë progresin për BE, bile të gjithë në “pako” nga Ballkani Perëndimor. Mes tjerash, kjo do të ndikojë në ngadalësimin e procesit të zbrazjes së vendeve tona nga të rinjtë e shkolluar dhe të aftë, që ikin në Perëndim

Shkruan: Abdylmenaf BEXHETI, Tetovë

Nga gjithsej 11 vitet e qeverisjes paraprake deri në mesin e këtij viti, gjysma e parë e kohës ishte nën përkeqësimin e marrëdhënieve me fqinjët (përjashtuar Serbinë), ndërkohë që pothuaj gjysma e dytë, posaçërisht nga vitit 2012 e këndej, atë filluan ta izolojnë edhe qendrat më të rëndësishme globale, si Brukseli dhe Uashingtoni njëkohësisht. Bile edhe qeverisja e Berlinit (kancelarja Merkel me CDU-në e saj), edhe pse e të njëjtës familje politike, në tre vitet e fundit u përkeqësua deri në atë masë, saqë mendonte që VMRO-në e Gruevskit edhe ta përjashtojnë nga e djathta (partitë popullore) evropiane.

Frustrimet shkonin deri në atë shkallë, saqë militantë dhe “zëdhënës” partiakë, ambasadorëve të këtyre vendeve ua paralajmëronin edhe statusin “nongrata”! Në të gjitha këto rrethana, përveç krizës politiko-demokratike të institucioneve më fondamentale në vend, s’kishte si të mos pësonte edhe ekonomia. Nga viti 2009 e këndej,e  përfundimisht me qershorin e vitit 2017, gati për tetë vite të plota, ekonomia nuk arriti mesatarisht të rritet më shumë se 2% në vit. Një normë kaq e ulët për një bazë edhe më të ulët, si kjo e Maqedonisë, s’ka se si të prodhojë efekte të përmirësimit të standardit jetësor, përveç të individëve e militantëve partiak, të cilët bashkë me “elitat” e tyre politike e kishin kapur shtetin në të gjitha aspektet. Edhe kjo rritje ekonomike mesatare kaq e zbehtë kryesisht prodhohej nga konsumi publik (në disa projekte infrastrukturore), në barrë të taksapaguesve (qytetarëve), të cilëve për 6 vite iu dyfishua borxhi publik i vendit: nga 2,5 miliardë në gjithsej mbi 5 miliardë euro! Në pesë vitet e fundit politikat e distancimit, deri në izolim ndërkombëtar, pothuaj më së shumti u reflektuan në rënien e investimeve të huaja në vend!

Raporti i fundit i Bankës Botërore për vendet e Ballkanit Perëndimor (Western Balkans Regular Economic Report No.12 – nëntor 2017) në faqen 5 të tij, mes tjerash, për Maqedoninë konstaton: “…përveç në Maqedoni, në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor në vitin 2017 investimet ishin faktori përcaktues dhe bartës i rritjes ekonomike…”. Kjo dëshmon se edhe ajo rritje e ulët ekonomike, nëse nuk përcaktohet nga faktori më fondamental i rritjes së qëndrueshme – investimeve, kjo rritje jo që nuk është strukturale, por është edhe konjunkturale. Kjo s’do mend se dëshmon më objektivsht se gjithkush tjetër që mundohet ta paraqesë vendin si një “ekonomi në rritje me ulje papunësie”! Edhe me këtë rast, si shumë herë më parë, duhet të nënvizoj se një pjesë të madhe të fajit e ka pikërisht edhe vet Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, që gjatë kohë lejuan qeverisjen aventuriste të vendit, që të arrijë deri në këtë shkallë, kjo edhe përkundër gjitha vërejtjeve dhe kritikave tona permanente dhe të argumentuara përgjatë gjithë kohës.

Qeverisja “gjysmë e re” në krye me LSDM-në, përkundër të gjitha lëshimeve dhe konfuzitetit në shumë drejtime, së paku në marrëdhëniet ndërkombëtare, duke filluar nga fqinjët e armiqësuar e deri te qendrat e vendosjes, për një kohë të shkurtër ka bërë hapa të mëdhenj për dalje nga izolimi dhe ka krijuar një reflektim tejet pozitiv, kjo edhe falë vullnetit pozitiv të vet kryeministrit, por edhe vet ministrit të Jashtëm me begraund të fuqishëm diplomatik dhe profesionalizëm të shkëlqyer. Krahasuar me intensitetin tradicional diplomatik të regjionit, pothuaj me “shpejtësinë e dritës”, vendi bëri hapa konkrete, duke filluar nga pika më nevralgjike dhe mendoj përmbajtësisht shumë më e rëndësishme se vet çështja e kontestit të emrit – marrëveshja historike për fqinjësi të mirë me Republikën e Bullgarisë. Padyshim kjo arritje e përshpejtuar, përderisa kundërshtari “patriot” është në “nokdawn politik” ishte veprimi më i qëlluar i Zaevit, që i befasoi jo vetëm optimistët më të mëdhenj e njohësit e proceseve diplomatike të vendit, por edhe vet ata të Brukselit! Askush s’e kishte pritur një zhvillim të tillë për një kohë kaq të shkurtër. Kthesa e madhe dhe më e rëndësishme u bë. Edhe pse nuk i përkas “shkollës diplomatike” dhe as të drejtës ndërkombëtare publike, mendoj se ndër problemet më të mëdha me fqinjët që ka pasur vendi, tensionet me Bullgarinë, edhe pse nuk janë zhurmuar përpjestimisht me relevancën, falë palës racionale bullgare, tanimë kanë një kthesë të madhe. Sigurisht që mbetet shumë për t’u bërë, por kahja është marrë dhe intensiteti është përcaktuar. Andaj nuk besoj që mund të paraqitet ndonjë “folklor patriot” në të ardhmen që ta ndryshojë trajektoren. Nuk jam kompetent për ta vlerësuar këtë veprim në kapacitetin e kryeministrit ose ndonjë strategu të padukshëm, të vendit apo të jashtëm, por mendoj se në marrëdhëniet ndërkombëtare, posaçërisht me fqinjin më relevant dhe më kontestues njëkohësisht, këto veprime janë të përmasave “kisinxheriane”!

Krahas veprimeve me fqinjin lindor, ecje tejet pozitive është bë edhe me fqinjin jugor. Zgjidhja do jetë më e dhimbshme, jo për shkak të relevancës së problemit, por për shkak të zhurmës rreth çështjes për ta sjellë atë deri në fazën përcaktuese “to be or not to be” për Maqedoninë, por edhe iracionalitetit dhe kompleksit historik të vet fqinjit jugor – Greqisë. Momenti për këtë zgjidhje është tejet i përshtatshëm. Opozita është e dezorientuar deri në frustrim opsesiv me telashet dhe përballjen e “shtetit të së drejtës” dhe të Prokurorisë Speciale. Pala shqiptare, besoj si ajo në pozitë, ashtu edhe opozita, do të jenë faktor inkluziv në proces dhe do ta mbështesin në mënyrë konstruktive procesin, sepse epilogu është tejet i rëndësishëm, si për interesat gjeostrategjike perëndimore, ashtu edhe ato shqiptare njëkohësisht. Ne nuk duhet të mbetemi indiferent, sepse emërtimi i shtetit, ku ne përbëjmë rreth 1/3 e tij është vendimtar dhe me rëndësi edhe për vet ne. Çfarëdo theksi gjeografik për ne është i pranueshëm, por jo edhe theks identitar me përkatësi etnike (kombëtare) e aq më pak religjioze. Zaten të gjitha përpjekjet dhe zgjidhjet potenciale shkojnë kah përcaktimi gjeografik. Zgjidhja e çështjes së emrit me automatizëm dhe shpejtësi do ta hapë procesin e përmbylljes së anëtarësimit të vendit në NATO.

Përfitimet nga anëtarësimi në NATO do jenë shumë të mëdha në shumë drejtime. Analistët e sigurisë, të diplomacisë, të marrëdhënieve ndërkombëtare publike dhe të shkencave politike do t’i vlerësojnë më drejt këto dimensione. Këtu dua të nënvizojmë përfitimet ekonomike dhe të mirëqenies e standardit jetësor të popullatës nga ky epilog, të shpresojmë i suksesshëm.

Kur ekonomistët i vlerësojnë rrethanat dhe ambientin investues të një tregu/vendi, pikënisjen e kanë nga rrethi jashtëm. Sa i sigurt dhe i qëndrueshëm është shteti ku ata synojnë të alokohen. Ky indikator sintetik e kompleks bie te faktorët strategjikë dhe përcaktues, zakonisht joekonomikë, por më të rëndësishëm se ato ekonomikë. Nëse vlerësimi nuk e kalon këtë filtër, analizat dhe studimi nuk vazhdon më tej. Të qenit vend anëtar, tash për tash i sistemit të sigurisë më të lart kolektive në botë, me rregullativë për mbrojtje të çdo anëtari të saj prej çfarëdo rreziku eventual ushtarak, paraqet garancinë më të fuqishme për investitorët dhe atë jo vetëm ata të huaj! Aq më tepër që pas këtij statusi fiton në intensitet edhe vet procesi i integrimit në BE, sepse NATO nuk është vetëm aleancë ushtarake dhe e sigurisë, por organizatë e fuqishme edhe me standarde politiko-demokratike.

Shumë investitor seriozë, posaçërisht të huaj, që nuk i kanë analizuar përfitimet afatshkurta nga koniunkturat vendore në Maqedoni, nuk kanë mund të bëjnë vendime për destinim strategjik të kapaciteteve dhe reparteve të tyre në një vend kaq të vogël e të limituar me faktorët ekonomikë, por njëkohësisht kaq të kërcënuar dhe jo të qëndrueshëm edhe nga vet fqinjët e tij. Njëri s’e pranon emrin, tjetri s’e pranon gjuhën, i treti kishën, i katërti ka probleme me statusin e diskriminuar të bashkëkombësve të vet, që përbëjnë rreth 1/3 e popullsisë… e si mund në këso rrethanash vendimi për investime të qëndrueshme të jetë pozitiv dhe miratues. Edhe analizat e tjerëve (si rasti i BIRN-it), por edhe të vetë kësaj qeverisjeje, dëshmuan se edhe ata që kanë ardhur, posaçërisht këta të zonave të lira ekonomike dhe teknologjike, më shumë kanë përfituar benefite se që kanë pasur kosto. Benefitet e tyre janë kostot tona dhe e kundërta. Zaten, nëse e bëjmë një analizë përmbajtjesore se kush janë investitorët që i kanë pasur destinacion vendet anëtare të NATO-s që para një dekade (p.sh. Kroacia, Bullgaria,…) dhe kush janë investitorët e huaj te ne, çfarë janë kosto-përfitimet andej dhe këndej, lehtë del në pah impakti i këtij statusi, posaçërisht për tregjet e limituara dhe të paqëndrueshme. Këtu nuk kam parasysh vetëm elementin e sigurisë, por para së gjithash edhe korpusin e gjithë faktorëve politiko-demokratik, posaçërisht atë të pronës, gjyqësorit, institucioneve rregullatore e mbikëqyrëse, mediumeve, shoqërisë civile,…etj. Bile edhe në Shqipërinë, po të krahasojmë me vetë atë, para dhe pas anëtarësimit në NATO, përfitimet janë shumë të mëdha. A do kishte filluar reforma e gjyqësorit me “vetingun” po të mos ishte vendi anëtar i NATO-s apo edhe lufta e hapur kundër kanabizimit dhe korrupsionit politik të institucioneve?! Tjetër punë është pse akoma ngecin rezultatet për kohë të shkurtër! Kjo para se gjithash lidhet me mentalitetin e kulturën institucionale dhe industriale të vendit.

Sa më shpejt që ta zgjidhim çështjen e emrit dhe të anëtarësohemi në NATO, aq më shumë e përshpejtojmë progresin për BE, bile të gjithë në “pako” nga Ballkani Perëndimor. Mes tjerash, kjo do të ndikojë në ngadalësimin e procesit të zbrazjes së vendeve tona nga të rinjtë e shkolluar dhe të aftë, që ikin në Perëndim. Nëse vazhdon trendi ikjes dhe fenomeni i “larjes së trurit”, këto rajone do të mbeten të shkreta dhe pa perspektivë. Ata janë gjenerata që janë të tejinformuar me mundësitë dhe oportunitetet perëndimore dhe nuk kanë kondicion të na presin për ta “sjellë Evropën në Ballkan” nëse ne nuk e çojmë Ballkanin në Europë! Zaten, vetëm 10 vitet e fundit nga vendi kanë ikur mbi 150 mijë të rinj. Klasa e papërgjegjshme politike e dëshiron këtë – “ta deportojnë” trurin rinor, ata që dinë të dallojnë dhe zgjedhin midis të mirës dhe të keqes dhe t’i mbajnë pensionistët dhe “administratorët publikë” si makineri votuese. Që të mos keqkuptohem nga këto gjenerata, unë vet u takoj atyre. “Millennials-at” dhe gjenerata pas tyre (Z) janë target i larjes së trurit e jo gjeneratat tona.

Sado të vetmuar që janë, akoma ka ndonjë zë që përkujton kostot shtesë të këtij procesi – se do të na duhet ta rrisim buxhetin edhe për rreth 100 milionë euro sipas standardeve të NATO-s. Këtë standard NATO-ja nuk e kërkon për armatim ose për pajisje të sofistikuara, por për veshmbathje dhe jetë minimale dinjitoze të ushtarakëve. Nga aspekti i kostove fiskale të ruajtjes së pavarësisë ose sovranitetit ushtarak, posaçërisht për vendet e vogla dhe me limitime ekstreme në këtë fushë, as që mund të imagjinohet se me buxhetet e veta mund të zotohen për këtë. Aktualisht buxheti i Armatës së Maqedonisë shkon nën 110 milionë euro ose rreth 1,1% e PBV, kurse standardi i NATO-s është 2%! Jo vetëm 2%, por as dhjetëfishi i tij çdo vit nuk mund të ishte garanci nacionale për mbrojtje të suksesshme të sovranitetit të vendit. Për shembull, Maqedonisë i duhen 20 vite buxhet për të blerë vetëm një bombardues të padukshëm B-20! Andaj, vendet e vogla si Maqedonia, por edhe gjithë Ballkani Perëndimor, as që mund ta imagjinojnë mbrojtjen duke u bazuar në doktrinën dhe aq më pak në resurset e tyre të brendshme.

Të shpresojmë se 2018-ta përfundimisht do jetë vit i nismës së mbarë për proceset integruese euroatlantike të vendit dhe regjionit gjithashtu. Përfitimet janë shumëfish më të mëdha se kostot, posaçërisht për qytetarët, sepse për politikanët e këtij profili e mendësie sigurisht që jo!