` . Shangai/Fognini eliminon Murray-n, avancon Roger Federer - TV-SHENJA

Shangai/Fognini eliminon Murray-n, avancon Roger Federer

32-vjeçari italian fitoi një ndeshje shumë të egër, ku të dy tenistët u shfaqën nervozë dhe tepër gjaknxehtë. Ishte ndeshja më e gjatë nga 14 sfidat e ditës së martë, një duel që zgjati plot 3h 11′, por që i jep pikë të rëndësishme numrit 12 të botës, për të përmirësuar akoma më shumë renditjen e tij, në klasifikimin e përgjitshëm ATP.

Fognini nuk ka pikë për të mbrojtur në Mastersin Kinez, pasi edicionin e kaluar tenisti ligur mungoi për shkak të një dëmtimi në kavilje, gjithsesi fituesi i Mastersit të Montecarlos ia doli mbanë të fitonte një ndeshje tepër të ashpër falë dy seteve të siguruar në “tie break”. Murray, që aktualisht pozicionohet në vendin e 289-të në botë e nisi takimin në disavantazh të një lojë me “break”, megjithatë tenisti britanik reagoi menjëherë me kundërbreak.

E njëjta histori u përsërit në vazhdim me dy tenistët që këtë herë ndryshuan rolet, sepse pas kryesimit 4-2 të 32-vjeçarit skocez Fognini barazoi shifrat dhe gjithçka u zgjidh në “tie break”. Pasi humbi setin hapës 7-4, në plot 69′ lojë, Murray reagoi shkëlqyeshëm, duke e thyer dy herë në servis kundërshtarin e tij, për të mbyllur llogaritë e setit të dytë me rezultatin e thellë 6-2.

Sikur të mos mjaftonte rivaliteti në fushën e lojës në setin final dy moshatarët u panë të shkëmbenin në distancë fjalë aspak të këndshme me njëri – tjetrin, sidoqoftë, sa i përket ndeshjes ish-numri 1 i botës pati dy herë mundësinë për të mbyllur takimin kur shërbente vetë.

Për habinë e të gjithëve Murray që nuk ishte thyer në servis në plot 10 game rresht, dorëzoi shërbimet e veta kur kryesonte 5-4 dhe 6-5, e për rrjedhojë dy tenistët iu drejtuan një tjetër “tie break”-u. Fognini ruajti qetësinë dhe u shkëput që në start, për të fituar më pas lojën përcaktuese me rezultatin 7-2, duke barazuar në këtë mënyrë edhe bilancin e ndeshjeve ndërmjet tyre në 4-4.

Seti final zgjati plot 72′ dhe Fognini fitoi përfundimisht 2-1, ndërsa Murray në krahun tjetër e mbylli sfidën me plot 125 pikë në favor, e si për ironi të fatit pikërisht me një pikë më shumë se sa rivali i tij.

2 herë kampioni i Shangait Roger Federer vuajti disi në setin e dytë, për të eliminuar tenistin spanjoll Albert Ramos Vinolas, që përpara këtij takimi ishte në barazim 1-1 sa i përket bilancit me 38-vjeçarin nga Baseli. Numri 3 i botës nuk i dha asnjë mundësi për break numrit 46 të klasifikimit ATP, por sidoqoftë veterani helvet përmbysi disavantazhin 4-1 në “tie break”-un e setit të dytë, për të fituar gjithë takimin me rezultatin 6-2, 7-6, në diçka më pak se një orë e gjysmë lojë.

Finalja në US Open ishte e shtata e këtij sezoni për tenistin rus Daniil Medvedev, gjithsesi që nga Slemi në Flushing Meadows në fundin e muajit shtator 23-vjeçari moskovit triumfoi edhe në Shën Petërsburg, duke konsoliduar vendin e katërt në renditjen botërore.

Fituesi i Mastersit të Sinsinatit i rrëmbeu shërbimet katër herë numrit 64 në rruzull, britanikut Cameron Norrie, për të përfunduar ndeshjen 6-3, 6-1 në vetëm 55′ lojë. Kaloi me sukses dhe pa shumë vështirësi edhe Matteo Berrettini, që në klasifikimin ATP pozicionohet i 13, me vetëm 59 pikë më pak sesa bashkëkombasi i tij Fabio Fognini.

23-vjeçari roman, që në US Open u mund vetëm në fazën gjysmëfinale nga kampioni Rafael Nadal mposhti në diçka më tepër se një orë lojë gjermanin Jan-Lennard Struff me rezultatin e thellë 6-2, 6-1, ndërkaq befasinë më të madhe të ditës e shkaktoi çerekfinalisti i edicionit të sivjetshëm të Slemit Njujorkez, tenisti tjetër moskovit Andrey Rublev, që eliminoi numrin 15 të botës dhe finalistin e edicionit të kaluar të Mastersit të Shangait, kroatin Borna Coric me rezultatin 6-4, 7-6.