` . Shaban Polluzha, Mulla Zekë Bërdynaj dhe Mulla Jakup Efendiu - TV-SHENJA

Shaban Polluzha, Mulla Zekë Bërdynaj dhe Mulla Jakup Efendiu

Lufta për mbrojtjen e Sanxhakut lindor në plan të parë kishte karakter humanitar e njerëzor. Por, gjithashtu vullnetarët e prirë nga Shaban Polluzha, i cili rreth vetës kishte komandantë të rryer, si prijësit fetarë Mulla Jakup Kombin, Mulla Zekë Bërdynën e Ilaz Spahiun – hoxhën e Brojës, me këtë veprim i mbrojtën edhe shqiptarët që jetojnë në këto anë, përkatësisht pikën më veriore të trojeve shqiptare

Shkruan: Ismet AZIZI, Gjilan

Lufta e forcave vullnetare shqiptare, nën komandën e Shaban Polluzhës, Bislim Bajgorës, Pajazit Boletinit etj., kishte arritur deri në pjesët më veriore të territorit të Sanxhakut të banuar me shqiptarë e boshnjakë. Shqiptarët trima, me të arritur në Duga Polanë, fshati më verior i banuar me popullsi myslimane – shqiptare, njësive, gjegjësisht forcave ushtarake dhe banorëve, me një fjalim të shkurtër po me një autoritet të pakontestueshëm, u drejtohet pikërisht komandat Shaban Polluzha. Me këtë rast ai u thotë: “Të nderuar vëllezër, kemi ardhur këtu për të kryer një mision të shenjtë; jemi këtu për t’i mbrojtur familjet e rrezikuara nga çetnikët e tërbuar. Ju, siç jeni në dijeni, kriminelët serbë kanë vrarë e masakruar popullatën e pafajshme të kësaj ane. Ne, kur kemi pasur mundësi, gjithnjë kemi ndihmuar popujt e rrezikuar. Prandaj, në këtë kontekst, duhet kuptuar këtë mision, i cili në plan të parë ka karakter humanitar e njerëzor. Por, me këtë mbrojmë edhe një pjesë të shqiptarëve që jetojnë në këto anë. Uroj që lufta të na shkojë mbarë dhe besoj se kemi forcë dhe moral që t’i dëbojmë hordhitë çetnike nga Sanxhaku i përgjakur”.

Babai i Faruk Spahiut (kryetarit të Mitrovicës në vitet 2000-2005), Ibrahim Spahiu, i ka pohuar gazetarit Muhamet Mjeku se luftëtarëve në Duga Polanë u është drejtuar edhe babai i tij, Ilaz Spahiu – hoxha i Brojës, i cili në kontekst të ritit fetar ka theksuar se “misioni juaj është njerëzor dhe se dikush mund të bjerë edhe në vijën e frontit, prandaj përshëndetuni me njëri-tjetrin. Te Zoti jeni të drejtë. Ju priftë e mbara!”. Një krah i forcave vullnetare kishte ardhur nga Peja e Rugova, ndërsa në mesin e shumë burrave nga kjo anë ishte edhe Mulla Zekë Bërdyna. Meqë për mbrojtjen e Pazarit u zhvilluan shumë beteja, Mulla Zeka u shqua në mesin e vullnetarëve si një burrë trim, i dashur, i mençur dhe që dinte t’i motivonte gjithnjë luftëtarët në momentet e vështira, duke ua kujtuar se për kombin duhet të luftohet, sepse këtë e thotë edhe Zoti. Sipas pazarakëve, një nga njësitë vullnetare, që ka bërë luftë të pakompromistë e që është dalluar për trimëri e strategji luftarake, ishte ajo e hoxhës së urtë e trim, Mulla Zekë Bërdynaj nga Radavci, i cili udhëhiqte 400-500 vullnetarë.

Por, sulmi çetnik vazhdoi edhe më 21 nëntor 1941 dhe me forca dukshëm më të mëdha. Atëherë u dogjën të gjitha fshatrat myslimane nga Pozhega deri në Vuçeniq. Megjithatë, qyteti përsëri u mbrojt me sukses. Bilanci i viktimave ishte: 42 çetnikë të vrarë, 26 mbrojtës të vdekur dhe 45 njerëz të plagosur. Çetnikët vranë 20 njerëz të pafuqishëm, gra dhe fëmijë.

Megjithatë sulmi çetnik nuk pushoi. Madje sulmi vijues ishte më specifik. Me fjalë të tjera, çetnikët u shërbyen me mashtrime, duke i njoftuar gjermanët se Pazarin e Ri kinse e kishin në dorë partizanët-komunistët. Prandaj gjermanët u nisën më 4 dhjetor 1941, diku rreth orës 9,00 për ta sulmuar qytetin bashkë me çetnikët. Por, ndërkohë e kuptuan se janë të mashtruar dhe u kthyen në Rashkë. E së bashku me ta u kthyen edhe njësitë çetnike.

Më 7 dhjetor të vitit 1941, kur gjermanët u kthyen në qytet, ata u pritën me entuziazëm nga serbët dhe boshnjakët. Ky fakt e ilustron situatën specifike dhe të komplikuar. Kthimi i tyre shënoi edhe fundin e konflikteve të përgjakshme vëllavrasëse, bilanci i të cilit ishte me humbje të mëdha: nga mesi i korrikut deri në fund të dhjetorit 1941 e humbën jetën gjithsej 756 boshnjakë, serbë e shqiptarë dhe u dogjën 2.792 shtëpi. Me këtë rast më së shumti pësuan territoret e komunave të paraluftës: Pozhega, Tërnava, Rajetiqi, Dezheva, Postijenjë, Bijele Vode dhe Nikolaçë. Edhe në momentet e rreziqeve më të mëdha erdhi në shprehje merhameti boshnjak. Në qytet nuk ka pasur asnjë familje serbe, e cila nuk e ka pasur ndonjë kujdestar dhe rojtarë për sigurinë e tyre. Nganjëherë në këtë detyrë humanitare ishin të angazhuara familje të tëra. Këshilli për mbrojtjen e qytetit, në krye me Aqif Blytën, mori vendim që 420 serbë të qytetit të vendosen/strehohen në ndërtesën e burgut të qarkut të Pazarit të Ri dhe në këtë mënyrë të jenë të mbrojtur dhe të sigurt. Për realizimin e kësaj detyre u dallua Milicia Myslimane në krye me komandantin Mulla Jakub Kardoviqin nga Bisheva, i cili i erdhi në ndihmë kryeqytetit të Sanxhakut me qindra bashkëluftëtarë të armatosur nga Bisheva. Ky aksion është realizuar më 6 dhe 7 nëntor dhe ka zgjatur deri më 7 dhjetor 1941.

Jakup Kardoviq (në mesin e shqiptarëve i njohur me nofkën “Kombi”) u lind në vitin 1869 në Rozhajë. Vjen nga një familje e ulemave. Jakupi u diplomua në Medrese (Ruzhdi) të Shkupit dhe është njëri nga tre medresantët e tërë trevës së Rozhajës që atëherë përfundoi medrese. Fliste dhe shkruante, përveç shqipes, maqedonisht, turqisht, persisht, arabisht, gjermanisht, italisht dhe boshnjakisht. Lufta e Dytë Botërore e gjeti atë në Tutin, ku shërbente si kryetar komune në dy mandate. Aty krijoi një miqësi të madhe me banorët e zonës trekufitare të rajonit të Sanxhakut. Kur Pazari i Ri dhe Senica ishin të kërcënuara me shfarosje nga çetnikët serbë, Mulla Jakup Efendiu i organizoi menjëherë banorët e Rozhajës dhe ata të Bishevës dhe e informoi mikun e tij në Kosovë, Shaban Polluzhën, duke kërkuar prej tij që menjëherë t’u vijë në ndihmë banorëve të Pazarit, sepse ishin të rrezikuar nga çetnikët. Këta dy njerëz, përveç Aqif Blytës, Xhemail Koniçanit dhe vëllezërve Dresheviq (Dreshaj), luajtën rol kyç në mbrojtjen e Novi Pazarit nga çetnikët serbë.

Pas sulmit të parë të çetnikëve mbi Pazarin e Ri (4 nëntor 1941) thirrjes së Aqif Efendiut iu kishin përgjigje Shaban Polluzha me 3.200 dhe Mulla Jakup Kombit me rreth 2.600 luftëtarë. Mulla Jakup Efendiu ka qenë njeriu më besnik i Aqif Blytës. Madje, gjatë sulmit çetnik në Novi Pazar, Aqif Blyta ia ka besuar atij 420 serbët lokalë (të moshuar, gra dhe fëmijët), të cilët i ka strehuar në lokalet e Gjykatës së Qarkut dhe në burgun në Novi Pazar, për t’i mbrojtur nga hakmarrja që mund të ndodhte ndaj tyre për krime të kryera nga ana e çetnikëve në këtë periudhë.

Pas përfundimit të luftës, kishte disa grupe të shqiptarëve që ishin fshehur rreth Rozhajës në male, si në Haile, Kullë, Buxhov e gjetkë. Për mulla Jakup Efendiun kishte informacione se ishte fshehur në shtëpinë e tij në Rozhajë. Është interesant të theksohet se komunistëve e përshkruanin kështu: “Qëllimi ishte të kapet i gjallë dhe të dorëzohet tek autoritetet përkatëse për gjykim. Për shkak se ishte natë e errët dhe ai nuk ishte i lidhur, në një moment provoi të ikë. Por, luftëtarët kanë reaguar shpejt dhe e kanë vrarë“. Megjithatë, qytetarët e vjetër pohojnë se në fillim në vitin 1945 një grup i partizanëve, në mesin e të cilëve ishin disa komunistë të Rozhajës, shkuan në drejtim të shtëpisë së Mulla Jakupit për ta arrestuar. Por, ai nuk u dorëzua, siç thuhej, në shtëpinë e tij (?). Ata i kishin thënë se janë të detyruar ta burgosin dhe se duhej ta gjykonin si përgjegjës për vrasjen e vëllezërve Hamzagaj në Tutin. Tashmë atij i ishte bërë e qartë se çfarë po ndodhte. Partizanët ishin të habitur nga paraqitja e tij dhe njëri prej tyre kishte komentuar, “A është e mundur që ky njeri i vjetër bëri çudira të tilla?” Në rrugën nga shtëpia e tij drejt ndërtesës së qeverisë së re, në udhëkryqin e urës kryesore të Ibrit, në bregun e majtë të lumit Ibër, njëri nga partizanët me pushkë automatike shtiu brutalisht prapa shpinë dhe e vrau. Partizanët e akuzuan për atë se që kishte ndodhur në mesin e vitit në 1944, kur vëllezërit Dreshaj në Tutin i kishin ekzekutuar vëllezërit Hamzagaj, të cilët ishin në radhët e komunistëve. Meqë ai ishte kryetar i komunës, thuhet se ai e ka miratuar likuidimin e tyre. Vrasja e Mulla Jakup Effendi Kardoviqit në vitin 1945 ishte vendimtare për të gjithë hoxhallarët e trevës së Rozhajës, sepse ai ishte një sinjal për t’ua tërhequr vërejtjen që të merren vetëm me punën e tyre. Pastaj erdhi periudha kur shumica e Kardoviqëve u shpërngulën në Tutin, në Novi Pazar, në Shkup dhe në Turqi.