` . Sërish tensione mes Washingtonit dhe Pekinit – TV-SHENJA

Sërish tensione mes Washingtonit dhe Pekinit

Edhe pse SHBA-të dhe Kina vendosën paqe në luftën e tyre tregtare, arrestimi i Meng Wanzhou, vajzës së pronarit të gjigandit telekomunikativ Huawei nën akuzën e shkeljes së sanksioneve të Washingtonit ndaj Iranit, mund sërish të ndezë fitilin e tensioneve në relacionin Washongton-Pekin, raporton AA.

Ministria kanadeze e Drejtësisë konfirmon se drejtoresha e çështjeve financiare dhe vajza e pronarit të kompanisë kineze Huawei, Wanzhou, u arrestua më 1 dhjetor në Vancuver për shkelje të sanksioneve të Washingtonit ndaj Iranit.

SHBA-të më herët nisën hetime kundër kompanisë Huawei për pretendimet se ka dërguar produkte të SHBA-ve në tregun iranian dhe se në vijim janë përpjekjet për ta ekstraduar Wanzhou në SHBA.

Fakti që Wanzhou u arrestua vetëm disa ditë pas arritjes së marrëveshjes mes presidentit të SHBA-së, Donald Trump dhe presidentit të Kinës, Xi Jiping, në margjinat e Samitit G20 në Argjentinë për “mos vendosjen e taksave të reja doganore në 90 ditët e ardhshme”, tregon se tensionet në mes dy vendeve ende janë aktuale.

Global Times, që është zëri i Partisë Komuniste të Kinës, së fundmi publikoi se SHBA me marrjen në shënjestër të Huawei-t i dërgon një mesazh bashkësisë ndërkombëtare. Theksohet se SHBA ka për qëllim të ul reputacionin ndërkombëtar të kompanisë kineze.