` . Serena Williams rikthehet në Australian Open, synon barazimin e rekordit – TV-SHENJA

Serena Williams rikthehet në Australian Open, synon barazimin e rekordit

Tenistja amerikane, Serena Williams, rikthehet në Australian Open, që do të jetë hera e parë pas fitores në vitin 2017, bëri të ditur sot organizatori i cili në Twitter ka konfirmuar se pjesëmarrës të turneut që do të mbahet në janar, do të jenë pothuajse të gjithë tenistët në top 100, që do të thotë edhe tenistët e dëmtuar, Rafael Nadal dhe Andy Murray, transmeton AA.

Williams mungoi në turneun e sivjetshëm nga shkaku i lindjes së vajzës, mirëpo ishte gati për turnetë e tjerë duke arritur në finalen e Wimbledonit dhe US Open, megjithatë në të dyja finalet pësoi humbje bindëse duke e lënë në 23, numrin e fitoreve në turnetë e mëdha.

Organizatorët e Australian Open thanë se ajo është ndër emrat për hapjen e Grand Slamit të parë të vitit 2019, ku do të përpiqet të barazojë rekordin e Margaret Court me 24 tituj të Grand Slamit.

“Serena Williams, aktualisht në vendin e 16, do të bëjë rikthimin e shumëpritur në Melburn, për herë të parë që nga fitorja e saj në vitin 2017, kur ishte tetë javë shtatzënë me fëmijën Alexis Olympia”, tha organizatori i turneut.

Siç bën të ditur organizatori, Roger Federer do të jetë i pranishëm për të mbrojtur titullin nga viti i kaluar bashkë me Caroline Wozniacki e cila mbron titullin në kategorinë e femrave.

“Top 102-shi te femrat dhe top 101-shi te meshkujt, kanë konfirmuar se do të garojnë në Australian Open 2019”, shkruan organizatori.