` . Seminar shkencor për multikulturalizmin ndër vite (Video) – TV-SHENJA

Seminar shkencor për multikulturalizmin ndër vite (Video)

“Multikulturalizmi, multilingualizmi dhe interkulturalizmi nëpër shekuj”, ishte tema e diskutimit në seminarin shkencor ndërkombëtar që u mbajt në Universitetin “Nënë Tereza”. Seminarin shkencor e përshëndetën edhe ministri i Arsimit dhe Shkencës dhe ai i Kulturës së Republikës së Maqedonisë, të cilët ishin gjithashtu përkrahës të këtij aktiviteti.

ARBËR ADEMI, MINISTËR I ARSIMIT DHE SHKENCËS

“Është një temë e cila duhet të diskutohet, debatohet në gjithë shoqërinë tonë, e veçanërisht në qarqet akademike. Pra, shoqëria në vend është multietnike dhe sigurisht se një karakteristikë e këtillë e shoqërisë tonë ka ekzistuar prej më parë. Duhet të ndajmë, respektojmë vlerat e çdo komuniteti, çdo bashkësie etnike dhe së këndejmi duhet të angazhdohemi për të ndërtuar një shoqëri kohezive”

ASAF ADEMI, MINISTËR I KULTURËS

“Tema ka të bëjë me atë ku ne synojmë të jemi, ajo është multikulturalizmi dhe multilinguilizmi që është edhe synimi parësor i afirmimit të ndjenjave kulturore, shpirtërore të gjithë universiteteve që jetojnë në këtë kontinent. Është një ndjesi e mirë që ne si qytetarë të Maqedonisë, në veçanti shqiptarët janë më së paku bilingual, më së paku njohin kulturat e të tjerëve, e kjo është diçka që na pret kur të antarsohemi në Unionin Evropian”.

Rektori i Universitetit “Nëna Tereza”, Aziz Pollozhani u shpreh se seminari do të merr karakter tradicional.

AZIZ POLLOZHANI, REKTOR I UNT-SË

“Në qoftë se tradita ka treguar mënyrën se si ka mbijetuar dhe kemi harmonizuar raportet tona në të kaluarën, ajo që është sfidë është tani se si këto dimensione, pra ti shndërrojmë në vlera, se si do të na shërbejnë edhe drejtë integrimeve dhe proceseve globalizuese që i kemi përpara”

Akademiku Luan Starova u shpreh se toleranca multikulturore dhe multilinguistike që nga periudha e Rilindjes, ndër vite ka sjellur efekte pozitive në shoqërinë tonë.

LUAN STAROVA, AKADEMIK

“Duke filluar prej kohës së Rilindjes dhe rilindasve të cilët kanë funksionuar prej më shumë se një shekulli si institute në vete të multikulturalizmit të një bote shumë të pasur do të kisha thënë edhe multilinguale. Midis tyre në historinë e shqiptarëve ka shembuj në numër mjaftë të madh jo vetëm në aspektet fetare, siç e dimë toleranca ekziston ndër tre fetë të cilat i praktikojnë shqiptarët”.

Në kuadër të këtij seminari, me rastin e “Vitit të Skenderbeut”, përkatësisht në përkujtim të 550-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut, u prezantuan edhe vështrime shkencore të rajonit dhe më gjerë, të cilat sipas folësve hedhin një dritë mbi traditën e multikulturalizmit dhe multilinguizmit. Emine Ismaili /SHENJA/