` . Seksualizimi i jetës publike, antiliria që shfaqet liri – TV-SHENJA

Seksualizimi i jetës publike, antiliria që shfaqet liri

Në pikëpamje kulturore duket se ne po zhytemi në një botë pornografie! I gjithë ky peizazh pornografik në lokale, zyra dhe shkolla është dëshmi e marramenthit të çmendur të shoqërisë sonë, që ka shndërruar në mall gjithçka, duke u bërë skllave pikërisht e kësaj sjelljeje.

Shkruan: Fitim ZEKTHI, Tiranë

Ideja liberale është përçudnuar aq shumë sa, duke u përdorur për të justifikuar çdo veprim në ndjekje të kënaqësisë, e ka zhbërë krejt idenë e lirisë së zgjedhjes. Sipas kësaj ideje, askush nuk ka të drejtë të zgjedhë, por thjesht duhet të jetë liberal. Mendimtarët e mëdhenj liberalë të shekujve XVIII-XIX, Adam Smith, Vilhelm von Humbold etj., që e mbrojtën me forcë idenë e një rendi ku konkurrenca e lirë do të ishte zemra e zhvillimit ekonomik, duke çuar përpara lirinë dhe respektimin e të drejtave, i trembeshin shumë shndërrimit të njeriut në një qenie materialiste dhe të drejtuar vetëm nga fitimi. Për ta, “homo ekonomicus”, një zgjedhës racional i asaj që i prodhon fitim, do të ishte një qenie pa kapital social, që nuk do të ishte bartës i asnjë gjëje të trashëguar dhe i asnjë norme morale apo shpirtërore.

Edmund Burke e quante homo economicus-in “njeriun ideal të revolucionit jakobin”. Rreth dy shekuj më pas, kjo frikë duket u bë realitet. Homo economicus-i prodhoi totalitarizmat më të tmerrshëm të njerëzimit, si nazizmin dhe komunizmin, prodhoi vrasjet, gjenocidin, shfarosjet dhe gjithçka tjetër në mënyrë të organizuar dhe të sistematizuar. Një anë shumë e errët e kësaj kulture dhe një element i këtij sistemi është seksualizimi i njeriut dhe i shoqërisë. Homo economicus-i, në përpjekje për të kthyer gjithçka në mall, ka seksualizuar prej kohësh një pafundësi mallrash, me qëllim që seksi të kthehet në mall. Sara Bragg, Dejvid Bakingam, Rahel Rassel, tre profesorë të universiteteve në Lughborgudhe të Glasgov, shpjegojnë me detaje në librin “Fëmijët, seksualizimi dhe kultura e konsumit” se si prej vitesh prodhohen mallra dhe reklama me kontekst seksin, që të sjellin në mendje seksin, që i kërkojnë imagjinatës të shkojë tek seksi. Pa hyrë në detaje, se ato nuk kanë fund, po themi se bluzat për shembull kanë buzë femre ose deri edhe shumë më keq.

Më e rënda është se edhe mallrat për fëmijë prodhohen masivisht me këtë qëllim. Kukullat janë miss-e, janë modele, kanë fustane të shkurtra, kanë dekolte etj. E njëjta gjë edhe me librat, kopertonat, deri edhe stilolapsat, vizoret dhe gomat që mbushen me pamje seksiste. Këngët po ashtu janë të mbushura me tekste në qendër të së cilave është seksi.

Festivali i këtij viti në televizion shqiptar degjeneroi në një shfaqje ku prezantuesja thuajse doli lakuriq. Një pjesë e mirë e njerëzve e quajtën këtë gjë liri të saj për t’u veshur si të dojë, por ndoshta vetëm fakti që ishte në TVSH ishte problem. Në çdo televizion tjetër kjo do të ishte në rregull. Disa të tjerë u tallën dhe thanë se Rilindja (Partia Socialiste) e ka vjedhur të gjithë buxhetin dhe nuk kanë pasur lekë të blejnë brekë për festivalin.

Seksualizimi i hapësirës publike në Shqipëri është rrëqethës. Hapësira publike gati përkufizohet nga seksi. Në zyra vishen si në konkurse bukurie. Studentët në shkolla janë në garë për minifundin më të shkurtër, dekoltenë më të hapur, pantallonat më të ngushta etj. Gjimnazet edhe më keq. Shkollat 9-vjeçare janë një tmerr i vërtetë. Edhe fëmijët e klasës së parë në festën e abetares vishen me fustane nuseje, me vello. Televizionet e kanë kthyer seksualizimin e fëmijëve në normë. Ka festivale ku fëmijët vishen si gra të rritura, me fustane modelesh, me grim ku shkëlqejnë faqet dhe vetullat. Vetëm mendjet e djerra të homo economicus-it mund të bëjnë gjëra të tilla.

Seksualizmi ka pasoja shumë të rënda, sidomos tek fëmijët. Shoqata Amerikane e Psikologjisë publikoi në vitin 2008 një raport ku thotë se “91 për qind e femrave vuajnë nga ideja se ato nuk e kanë trupin e duhur. Mbi 30 për qind e vajzave nga mosha 20 në 30 vjeç kanë çrregullime me të ngrënët dhe çrregullime të tjera. Seksualizimi i hershëm i çon në depresion dhe i bën të kenë vlerësim të keq apo të ulët për veten.” – thotë raporti.

Nga ana tjetër, seksualizimi i kthen femrat në objekte seksuale, e kufizon qenien e tyre vetëm tek seksi dhe bukuria trupore, duke zhbërë përmasën e tyre si qenie që mendojnë, ndiejnë, kanë dinjitet etj. Në pikëpamje kulturore duket se ne po zhytemi në një botë pornografie! I gjithë ky peizazh pornografik në lokale, zyra dhe shkolla është dëshmi e marramenthit të çmendur të shoqërisë sonë, që ka shndërruar në mall gjithçka, duke u bërë skllave pikërisht e kësaj sjelljeje. Në emër të lirisë është prodhuar një robërim i plotë që redukton rënien në objekt seksual.

Pornografia provokon regres seksual, kënaqësia që dikush merr nga pornografia është autoerotike. Ajo është më së shumti një ushtrim masturbimi i imagjinatës. Njerëzit që masturbohen, shkruante Irving Kristol vite më parë – nuk mërziten me masturbimin, bash ashtu si sadisti nuk mërzitet me sadizmin dhe siç nuk mërzitet voujeristi me voujerizmin. Gjithnjë e më tepër ajo përforcohet dhe bëhet neurozë. Kjo është në fakt antiliberale, është një formë skllavërie. Shoqëritë tona të sotme janë jashtëzakonisht të ekspozuara ndaj qasjeve të tilla. Një kulturë e tërë, e ndërtuar prej dekadash, duket se po arrin t’i dominojë shoqëritë tona dhe mënyrën tonë të të jetuarit.  Kjo kulturë ka nisur të shfaqet dekada më herët dhe ka të bëjë me përpjekjen për t’i zëvendësuar fetë tradicionale (Krishterimin dhe Islamin) dhe moralin e tyre me një fe të re dhe sigurisht me një moral të ri. Mund të themi se ajo po merr gati rolin e një feje të re. Parimet e kësaj feje të re po përpiqen ta dominojnë me shpejtësi moralitetin tonë publik. Për fat të keq elitat intelektuale dhe ato fetare nuk e kanë fuqinë dhe, ndoshta, as vetëdijen mbi rrezikun e kësaj feje te re. Kjo fe është thjesht rilindja e paganizmit dhe parimet e tij janë gnosticizmi, thotë Jeffrey Satinover-i i universitetit të Yale-it. Rilindja e paganizmit nuk është thjesht kufizim i fesë tradicionale dhe as thjesht feja e humanizmit, ndonëse humanizmi është një aspekt i dukshëm dhe i famshëm i saj. Në dallim nga fetë tradicionale, paganizmi ka një koncept shumë të kufizuar ose të paqenë mbi të keqen. Atij i mungon një mënyrë për të dalluar midis vullnetit dhe asaj që bëhet nga detyrimi, midis qëllimshmërisë së vetëdijshme dhe shtysës instiktive të pavetëdijshme, thotë Satinover-i. Në të kundërt, një parim themelor i feve tradicionale për mijëra vite ka qenë se mëkati është shpjegimi qendror për vuajtjet njerëzore. Në këtë pikëpamje nevoja absolute për Zotin duket qartë. Ndërsa shpjegimi pagan për vuajtjet njerëzore gjendet te materialja dhe kësisoj është shumë e vështirë të themelosh kufij në të cilët vepron njeriu. Dhe, pikërisht te këta kufij që nuk themelohen dot buron tërë perversioni i seksualizmit të shoqërive tona. Pikërisht tek zhdukja ose përpjekja për ta zhdukur metafizikën nga normat, morali dhe jeta jonë është burimi kësaj pamjeje të trishtë. Në shumë raste edhe ata që do të duhet të ishin të fundit ose duhet të mbeteshin të vetmit e palëkundur, priftërinjtë, hoxhallarët ose  udhëheqësit fetarë, kanë shfaqur dobësi, janë përpjekur të heshtin ose as e kanë kuptuar atë që po ndodhë.