` . Sekretari i shtetit i zgjedhur nga Trump – TV SHENJA

Sekretari i shtetit i zgjedhur nga Trump

Qëndrimi i presidentit të zgjedhur amerikan, Donald Trump mund të jetë miqësor ndaj Rusisë, por ndryshe duket ai i stafit të zgjedhur nga vetë republikani. Reks Tillerson, i nominuar në postin e Sekretarit të Shtetit, gjatë marrjes në pyetje në Senatin e Komitetit të Mardhënieve të Jashtme ka akuzuar ashpër Moskën.

“Rusia sot është një kërcënim, por nuk është e paparashikueshme në avancimin e interesava të veta. Ka pushtuar Ukrainën, përfshirë aneksimin e Krimesë si dhe ka mbështetur forcat siriane që kanë shkelur brutalisht ligjet e luftës”, u shpreh Tillerson.

Disa zyrtarë amerikanë ishin alarmuar fillimisht me nominimin e tij, duke parë që Tillerson ka pasur mardhënie shumë të mira me Presidentin rus, Vladimir Putin. Por ky i fundit duke u përballur me pyetje shumë të vështira ka lënë të kuptohet se nuk do të jetë aq miqësor me Kremlinin.

“Aleatët tanë në NATO alarmohen me të drejtë me rifuqizimin e Rusisë. Por kjo ka ndodhur në mungesën e lidershipit të Amerikës duke lënë një derë të hapur dhe duke dërguar sinjale të padëshiruara”, nënvizoi Sekretari i Shtetit i nominuar nga Trump.

Gjithashtu Tillerson është pyetur në lidhje me sulmet kibernetike. 64-vjeçari e cilësoi “supozim të drejtë” faktin që Putin qëndron pas hakimeve në zgjedhjet presidenciale të Shteteve të Bashkuara. Këtë deklaratë Tillerson e bëri pas një presioni të madh nga senatori Marko Rubio për të pranuar rolin e Presidentit rus në sulmet kibernetike. Më tej senatori i Floridas e akuzoi Putin për krime lufte për shkak të mbështetjes ndaj presidentit të Sirisë, Bashar Al Assad dhe për bombardimet në Aleppo. Por multimilioneri nga Teksasi tha se nuk do e përshkruante Presidentin e Rusisë si një kriminel lufte. Tillerson nënvizoi se për të dalë në një përfundim më të qartë për Putin duhet analizuar dhe mbledhur më shumë informacion.

Postime të Ngjajshme