` . Seehofer: Gjermanisë i duhet Huawei kinez për instalimin e rrjetit G5 - TV-SHENJA

Seehofer: Gjermanisë i duhet Huawei kinez për instalimin e rrjetit G5

Ministri i Brendshëm gjerman Hors Seehofer është i mendimit se vendi i tij në një afat të shkurtër nuk mund të ndërtojë rrjetin celular 5G pa gjigantin kinez Huawei, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Unë jam kundër heqjes së produkteve nga tregu thjesht sepse ekziston mundësia që diçka e keqe mund të ndodhë”, tha Seehofer.

Gazeta gjermane “Frankfurt Allgemeine Zeitung” raporton se Seehofer ka thënë se Gjermania gjithsesi duhet të jetë e kujdesshme në luftën kundër të gjitha llojeve të spiunazhit dhe sabotimit.

“Eleminimi i bashkëpunimit me Huawei-n kinez mund të vonojë ndërtimin e rrjetit celular 5G për pesë deri në dhjetë vjet të tjera”, tha Seehofer.

Kompania kineze Huawei është e njohur si një nga furnizuesit më të mëdhenj të pajisjeve telekomunikuese dhe për shkak të akuzave për spiunazh, është në shënjestër nga autoritetet amerikane.

SHBA kërkon nga aleatët të pengojnë kompaninë kineze, por Gjermania nuk i është bindur thirrjes dhe pretendon se do të bashkëpunojë me të gjitha kompanitë që përmbushin standardet e rrepta në atë vend.

Vazhdimi i operimit të Huawei-t në Gjermani mund të rrisë tensionet ekzistuese në marrëdhëniet Berlin-Washington.